Avdi Ibrahimi, Vrasje në tri kohë,roman,”Era”Prishtinë,2005.f.136.
Recension
Mr.sc. Myrvete Dreshaj – Baliu
(2LONLINE) – Romani Vrasje në tri kohë të shkrimtarit Avdi Ibrahimi kam pasur fatin ta lexoj dy herë.Herën e parë e kam lexuar në kohën kur autori luhatej mes dilemës krijuese,nëse ishte i përshtatshëm botimi i romanit në kontekstin kohor;dhe herën e dytë nëse shija e tij estetike përplotësonte njëkohësisht edhe konceptet letrare të receptuesit të sotëm.
Krijimtarinë letrare të këtij shkrimtari ç’është e vërteta e kisha lexuar edhe më pare:kur kishte botuar vëllimet e para poetike, prej të cilave kisha kuptuar konceptet e tij për letërsinë,si shprehje të konfliktit individual dhe kolektiv,si dhe kur kisha lexuar veprën e tij të parë në prozë Kush e vrau lajmëtarin,leximin e së cilës më parë se sa përmbushja e qëllimi krijues letrar e artistik e nxiste konteksti historik mbi të cilën ishte ndërtuar fabula e novelës.Pra në këtë vepër më parë se kërkimi letrar më tërhiqte hulumtimi letrarizues,para së gjithash mënyra si e kishte trajtuar personazhin Jusuf Gërvalla,një reference kjo për mua në kërkimet shkencore dhe jo vetëm të saj.
Në këtë rrugtim leximesh unë kam përcjellë mjaft shkrimtar nga vëllimi i parë tek i fundit,por rrallë më ka ndodhur që krijuesit e kësaj kohe të përforcojnë procesin krijues ashtu sikur ka vepruar shkrimtari të cilin po e përurojmë sot.
Romani Vrasje në tri kohë në këtë aspekt është bërë strukturë e kërkimeve historike,poetike,leksikore dhe kompozicionale të lidhura në tërësi mjaft funksionale,në të cilin autori ka ndërthurë gjithë përvojën e tij jetësore dhe letrare të viteve të fundit.Është bërë zakon që veprat e tilla të quhen postmoderne dhe nëse postmodernja është tërësi e pluraliteteve letrare,le të quhet edhe ky roman kështu,por ky konstatim i definuar për mua nuk e ngre as nuk e zbret artin e leximit të tij.
Problem i parë që ngritet në përcaktimin letrar të kësaj vepre është statusi:roman,memoare,kujtime dhe përtej të gjithave ese.Në gjinit letrare,kjo prozë i plotëson natyrshëm kërkesat e romanit,por në artin e leximit,më parë se roman,më me endje lexohet si ese.
Nëse Brenda struktures së romanit natyrshëm janë integruar pjesët e ditarit me historin dhe detajet e saj të jetuara apo të kujtuara nga narratori,Brenda analizave të saj është integruar eseja,si tekst interkomunikues.Kështu romani është strukturuar si një kompleks faktik dhe fiktiv.Në rrafshin e parë përfshihet hapësira: Kosova,Rrafshi i Dukagjinit,Vrrini,Llapi,Reçaku,Drini i Bardhë; personazhet historike: Adem Jashari,Adem Demaçi,Shkëlzen Haradinaj,Komandanti Jakson,Markezi etj; personazhet
referenciale:Gjergj Elez Alia,Mic Sokoli,Avni Rrustemi,Rexhep Mala; personazhet gjysëm historike:Zahiri,Luani,komandant Haradinaj,Gani Saramati etj;dhe në rrafshin fiktiv: Dardania,Eneida,Akordi,Festimi,Dardaneli etj.
Një rrafsh tjetër është struktura e shkrimit: letrat,ditari,dialogu,monologu,kujtesa historike,ritregimi i përrallave,legjendave,miteve dhe madje ëndërrave,si dhe demitizimi i tyre në kontekst të zhvillimit të ngjarjeve historike,përjetimet artistike të personazheve letrare e të letraizuar.
Në kontekst të zhvillimt të parë,të dytë dhe të tretë inkuadrohet me sukses referenca komunikuese dhe problematizuese e historiesë së re e projektuar në mitin e antikitetit të saj,si një vijimsi e pandërmjetme e ndërdijes shekullore nacionale,sipas shembullit Kosova-Dardania apo agjencia “Kosova e lire”- “Dardania e lire”etj.Ky është rrafshi referencial që veprës ia shton përmasën e mendimit dhe të inelektualitetit të narratorit,pra shprehur përmes monologut,ditarit,analizës politike,komentit,polemikës historike,herë si reagim kolektiv i ndërdijes nacionale dhe polemikës intelektuale si përjetim individual,i cili natyrshëm përmbyllet në aksin letrar a të letrarizuar,me shembullin antologjik:”E drejta është në anën tonë,kurse thonë se liria është e të gjithëve,mendoja më vete gjatë rrugës”.(50),apo me shembullin sprovues:”Të rënët,po bëhen pjesë e jetës e vdekjes sonë,po bëhen edhe pjesë e kujtimeve,meditimeve tona”.(79)
Kështu temat dhe shtresat letrare e gjysmëletrare ashtu si edhe personazhet fiktive,korrespondojnë me mitet e antikitetit,ndërsa si të parat ashtu edhe të dytat me ngjarjet e historisë së fundit,shembull i së cilës është tregimi i legjendës së Anemonës nga mësuesja Ankize Drenusha,ku me sukses gërshetohet imagjinarja (si mit) dhe e magjinueshmja (si ndërtim e shije letrare).
Të gjitha këto bëjnë që vepra më e re e Avdi Ibrahimit Vrasje në tri kohë të lexohet si vepër historike,letrare,kulturore,estetike dhe madje intelektuale.E veprat që më kaq sukses gërshetojnë në mënyrë komplementare kategori letrare,estetike dhe kulturore janë vepra,të cilat kanë lexuesin e tyre të tashëm dhe të përhershëm. /2lonline/