(2L ONLINE) – Seanca e sotme e Kuvendit Komunal të Gjilanit pas një pauze pesë minutëshe të detyruar, ka nisur prapë me tensione duke mos munguar as ngritja e zërave. Madje, Riad Rashiti këshilltar i PDK-së i ka thënë kryesueses e cila insistonte të kalohet në pikë tjetër, pasi ishte shterë pika që kishte të bënte me rendin e ditës, se nuk e ka çare pa ja dhënë fjalën. Këtë edhe e arriti dhe kur Rashiti mori fjalën i ka ngritur disa çështje, sipas tij, shqetësuese duke përmendur këtu edhe 12 kërkesa të tij me shkrim të cilave nuk iu është dhënë përgjigje, pastaj rreth shkeljeve të ligjit të LVL dhe të prokurimit. Po ashtu edhe këshilltarë të tjerë të PDK-së ngritën çështje të ndryshme.
Por, situata u tensionua edhe më, kur sërish Bujar Nevzati i PDK-së insistonte në atë që e kishte bërë edhe në pjesën e parë të seancës, për të kërkuar sqarime se ku banon kryetari i Komunës , e ku i mësojnë fëmijët, duke aluduar se as Haziri nuk jeton në Gjilan, e as fëmijët e vet nuk janë më mësime në shkollat e Gjilanit
Kjo lojë se ku jeton kryetari i Gjilanit vazhdoi akoma , madje Nevzat i PDK-së tha se nëse del dikush e thotë se kryetari jeton në Gjilan dhe fëmijët i mësojnë këtu, se ai pra e ka gabim, do të kërkojë falje e do të jep dorëheqje nga pozita e këshilltarit.
E një dorëheqje e tillë është ofruar edhe nga kreu i komunës nëse del dikush e thotë që ai nuk jeton në Gjilan.
“Mos u sill ka familja ime kah fëmijët e mi se ajo është e shenjtë”, ka thënë Haziri për të shtuar se “është mirë të përmbahemi në politikë e të mos hyjmë aty ku nuk bënë se familja është e shenjtë” .
Ndryshe, Haziri ka thënë se ai jeton në Gjilan, është 24 orë këtu, përveç kur zyrtarisht shkon në Prishtinë. Madje ai nuk ka përtuar të jap adresën dhe numri e saktë të shtëpisë ku jeton ndërsa për fëmijët tha se i ka në shkollë publike dhe se nuk është ushtarak kah të lëviz ti marrë me fëmijët, aq më parë kur është një gjysmëvjetor. Ai ka kërkuar nga Nevzati ta mbajë fjalën, duke aluduar në atë që kur ai kishte përmendur dorëheqjen .
Pas kësaj , u kalua në pikat tjera të rendit të ditës e që kjo e uli edhe tensionin dhe tani Kuvendi po i vazhdon punimet me pika të tjera të rendit të ditës. /2lonline/