Gjilan – (2LONLINE) – Sot, u bën 2 vjet nga vdekja e atdhetarit, ish të burgosurit politik, kontribuuesit të madh të UÇK-së e UÇPMB-së dhe themeluesit të shoqatës “Vatra”, Njazi Kadriu. Me rastin e përvjetorit të vdekjes, Lëvizja “Vatra”, mbajti një tubim përkujtimor, në të cilin u fol me pietet për veprimtarinë atdhetare të Njaziut.
Tubimin e hapi kryetari i Lëvizjes “Vatra”, Sejdulla Kadriu, ndërsa për jetën dhe veprimtarinë e tij atdhetare foli miku i tij Ismet Tafili, i cili ndër të tjera tha se Njaziun e karakterizonte devotshmëria deri në përulësi për Atdheun.
“Për gjashtë vjet radhazi vuajti kazamateve serbe. Qelitë e burgjeve të Vranjës e Nishit jo rrallë ishin ngopur me gjakun e tij nga torturat çnjerëzore të uniformës çetnike serbe. E megjithatë torturat nuk e thyen. Ai doli edhe më i fortë shpirtërisht për të vazhduar rrugën që tashmë shokët e tij e kishin çuar edhe më përpara. Dhe ndodhi UÇK dhe UÇPMB, Njaziu qe nga ata veprimtarë u përfshi shpirtërisht në vorbullën e kryengritjes. Me parime shumë të shëndosha njerëzore e shoqërore, komunikoi edhe pas luftës deri sa një ditë nga një sëmundje e rëndë i mbylli sytë për të ikur përgjithnjë”, tha Tafili.
Ndërsa Avni Veliu, tha se Njaziu njëmend ka ikur fizikisht, por vepra e tij po ec me ne.
Sali Mala ish burgosur politik dhe një nga miqtë e Njaziut evokoi ngjarje të qëndresës së Njaziut në burgjet serbe, për të konstatuar se ai u dëshmua për qëndresë të paepur.
Pas tubimit, pjesëmarrësit bën homazhe tek varri i Njazi Kadriut në varrezat e qytetit të Gjilanit. /2lonline/