(2LONLINE) – Në njëvjetorin e vdekjes së veprimtarëve të shquar të lëvizjes kombëtare Taip Zeka dhe Reshat Sadiku, me akademi përkujtimore të organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Shoqatës së të Burgosurve Politik, është përkujtuar veprimtaria dhe ideali i përbashkët i këtyre dy figurave patriotike që kanë lënë gjurmë në historinë më të re të Gjilanit përgjithësisht në luftën e tyre për liri.
Me këtë rast në emër të dy shoqatave të pranishmit e shumtë i ka përshëndetur deputeti i Kuvendit të Kosovës Ahmet Isufi, i cili ka spikatur disa nga tiparet e dy veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare. Ai ka thënë se aktiviteti i Taipit dhe i Reshatit, janë dy histori të cilat qëllim kishin çlirimin, lirinë dhe prosperimin e vendit, por edhe rrugëtimin drejt vendeve Euro-Atlantike sepse ajo është meritë e shtetit tonë.
Ndërsa Sami Kurteshi, ka ndarë me të pranishmit kujtimet e tij që kishte me Taip Zekën. Ai sa i përket veprimtarisë së Zekës, ka thënë se ai ishte një njeri sikur të gjithë të tjerët, porse vendosmëria e tij qysh nga koha e rinis së tij ishte përherë e përqendruar në rezistencën, organizimin dhe veprimin për çlirimin e vendit.
Nga ana tjetër Sejdullah Kadriu, bashkëveprimtar me Reshat Sadikun, ka thënë se Reshati që ishte i lindur në Malësinë e Bujanocit, pra në Kosovën Lindore, përherë ishte pranë shokëve të tij kudo që ishte qëllimi për çlirim dhe për liri. Dy këto figura që sot i kujtojmë ishin të rreshtuar edhe në UÇK, dhe shumë veprime të ushtrisë çlirimtare vinin nga iniciativat e tyre. Gjilani është i nderuar që në historinë e tij do t’i spikat emrat e këtyre dy figurave sikur edhe të shumë dëshmorëve dhe të rënëve për liri.
Për kujtimin për dy veprimtarëve të çështjes kombëtare aktori Ramadan Kurti ka ndarë një pjesë të artit me të pranishmit në kujtim të dy figurave të mëdha të Gjilanit.
E në emër të dy familjeve të pranishmit i ka përshëndetur deputeti i Kuvendit të Kosovës Zenun Pajaziti, i cili ka thënë se organizime të tilla i ndihmojnë familjet që kujtimet e shokëve por edhe veprimet e tyre tua lehtësojnë edhe më shumë dhembjen që kanë ata për mungesën që më në mesin tonë nuk i kemi këta dy veprimtar të mëdhenj të luftës për liri.
Ndryshe të pranishëm në këtë akademi përkujtimore ishin personalitete nga niveli qendror por edhe ai lokal i qeverisjes, si dhe qindra qytetarë, miq, familjar të dy veprimtarëve. /2lonline/