Eqrem bej Vlora “Kujtime, 1885 – 1925”. Përktheu nga gjermanishtja Afrim Koçi. Bot. IDK.
(2LONLINE) – Ishin kujtime për një jetë 78 vjeçe, por për një pjesë të lexuesve kanë mbetur ngjarje kombëtare në retrospektivë. Tash nuk duam të flasim për shkrimin në gjuhë të huaj të këtij libri dhe aftësinë e autorit, përgatitja e të cilit është bërë gati në mënyrë kronologjike, qe nga fëmijëria e hershme e personazhit e deri në fundin e jetës së tij, me adhurime e hidhërime të shumta. Nuk duam as ta trajtojmë tërë praninë e tij në dy shtetet, si njeri i klasës së privilegjuar, në atë Perandorinë para më tepër se një shekull dhe në atë shqiptare, tek sa është inauguruar “guri i parë” në bazamentin e asaj “ndërtese” kombëtare – Shqipëria e Pavarur. Shqipëria e re. Një shtet, i cili u “ngastrua”, si thotë një rilindës, në disa parcela në Ballkan. Megjithatë, kjo ngjarje e permendur, zgjoi kënaqësi të jashtëzakonshme për shtresa të ndryshme popullore, aq sa edhe hidhërime, vuajtje e sakrifica të shumta me jetë të njerëzve, pasuri etj. Nuk do të flasim në mënyrë të veçantë edhe për gjuhën dhe stilin, pasi ky tekst është përkthyer në shqip prej Afrim Koçit. Ky i fundit e ka kreh dhe ia ka gjetur edhe shprehjet leksikore adekuate si në origjinal, duke pas parasysh zhvillimet e ngjarjeve në trojet shqiptare, veç termave dominuese të administratës së kohës, është përkujdesur mjaft mirë edhe për gjuhën shqipe. Po i gjeti e i përdori edhe për adetet tradicionale nëpër provincat shqiptare, pa i mbetur mangut edhe atyre turke. Nuk do të flasim në mënyrë eksplicite as për ngjarjet, po as për figurat e ndryshme, qoftë ato të idealit për atdheun e as për ato devijante e shkatërrimtare ndaj këtij atdheu si të pa fat. Me këtë rast do shfaqim vetëm disa pika shkurtimisht për ecurinë e politikës shqiptare…
Autori personazhi kryesor
Para se gjithash, “Kujtime” është një tekst që të ngashnjen së lexuari faqe pas faqe me ëndje. Si personazh kryesor, autori, Eqrem bej Vlora, i cili e sjell nga kujtesa e vet një pjesë të historisë kombëtare për 4-5 decenie, për ne ishte edhe personalitet jo aq i njohur e si i mjegulluar, pos emrit që rastësisht i përmendej, turbulltë, e ndonjë tepër i glorifikuar me epitete në historinë më të re kombëtare. Këtë kompleks nuk e ka autori i këtyre kujtimeve, kur shkruan për të tjerët. Askënd nuk e glorifikon e as nuk e ulë, po sa e si ishte në realitetin e kohës me vepren e vet.Me leximin e “Kujtime-ve” të tij, fitohet bindja se, kjo etapë historike do të kishte mbetur e mangët për aq sa ka rrëfyer Eqrem bej. Prej asaj Vlorës shekullore me pashallarë, vezirë, e gjithëfarë nëpunësish të administratës turke, në të tri kontinentet e Perandorisë. Ndoshta nuk munguan përpjekjet e hera herës për t’i dhënë shtytje në mënyrë diplomatike çështjes kombëtare, por “kapërcylli” i kohës ishte mjaft i vështirë. Në këto vende ndesheshin disa rryma socio-etno-psikologjike, të ushqyera me informacione e arsimim nga dy hemisferat Lindje – Perëndim.
Aq këndshëm dalin përshkrimet për familjen e tij të madhe – Vlora, por edhe për shumë të tjera simotra, në atë sistemin e asaj epoke historike. Një familje e madhe numerikisht, por edhe e ngritur ekonomikisht, me veprimtari intelektuale e arsimim të lartë, ngase i ati i kryepersonazhit, Syrja bej Vlora, ishte në administratën e sulltanit, por edhe xhaxhallarët, dajat dhe lidhja farefisnore gati me të gjitha provincat e Shqipërisë etnike. Në Vlorë, shtëpia e tyre e madhe priste dhe përcillte njerëz të klasave elitare, por edhe të atyre më të varfëra. Përshkrimi i ndërtesës ishte diçka jo si sot me atë farë stili. Me paradhomë të madhe, me sallon, dhoma të fjetjes, me banjo e me dhomë pritjeje. Kopshti dhe ndërtesat përcjellëse (magazet, hambaret etj.) Edhe në Stamboll e kishin pas shtëpinë e familjes, derisa i ati punonte në shërbim të Perandorisë. Shtëpia e tyre kishte edhe personelin shërbyes, gati si harem sulltani, e madje edhe edukatorin për fëmijët. Eqrem beu u shkollua në Perandorinë Osmane, por edhe në Vjenë me shumë shokë të vendeve të ndryshme të botës. Personazhi që flet në veten e parë, shihet haptas se kishte fituar një kulturë të jashtëzakonshme. Austrohungaria ishte vendi që ua ushqeu ndjenjën të rinjve shqiptarë për një kulturë perëndimore të pranueshme. Ishte me fe myslimane, por nuk bënte dallime në këtë pikëpamje. Kishte miq të shumtë sa në Lindje aq edhe në Perëndim. Shumë gjuhë të huaja i njihte mirë dhe ia bënin të mundshme komunikimin me shumë kancelari evropiane e me shumë njerëz të klasave të larta shoqërore. Këtë privilegj e kishte edhe me administratën turke dhe kudo që gjendej. Një kohë të shkurtër ishte edhe vetë në shërbim të sulltanit. Udhëtimet e tij ishin të shumta nëpër Evropë. Madje, kudo që ndalej nëpër tokat e Azisë, gjente pa prit ndonjë pasha, apo ndonjë zyrtar tjetër të çfarëdo rangu me prejardhje shqiptare. Shohim biografi e veprimtari të shumë figurave kombëtare. Rrëfimet për ikjen e Ismail Q. Vlorën. Për shpalljen e pavarësisë, për qeverisjen e tij të Shqipërisë. Ardhja e Prin Vidit, egërsimet e tarafeve të ndryshme kundër një pale tjetër. Personazhet fisnike të të gjitha provincave shqiptare, sikur edhe ata kosovarë: për Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Luigj Gurakuqin, Isa Boletinin, Ahmet Zogurn, po i përmend edhe sa e sa figura të tjera të asaj kohe, sidomos ato shqiptare, në angazhimin e tyre si nacionalistë për pavarësinë e Shqipërisë, etj. Por, edhe për elementet që devijonin dhe tradhëtonin, sikur ishte fjala për Esad pashë Toptanin (edhe pse dajë) pasqyrimin e tij si element negativ e paraqet pa ndonjë mbrojtje as më të voglen. Pastaj, flet për Kongresin e Lushnjes, e të tjera ngjarje në Shqipëri e për te.
Vlera e këtij libri
E, është e padiskutueshme vlera e këtij libri si nam i autorit – vetëpersonazh, në radhë të parë. Për lexuesin rrëfimi nga kjo vetë, por edhe rrjedha e ngjarjeve sinkronizuese është i lehtë. Nëpër valët herë ftohtë e herë nxehtë, apo rënie ngritjet e temperaturave të atdheut dhe bashkatdhetarëve të vet, sa faqe lexon, vetvetiu lexuesi e kërkon vijimin e ngjarjeve si plotësim kuptimi për diç të re. Më pëlqen të informohem nga dora e parë për këto vite deri te Pavarësia po dhe pas Pavarësisë së Shqipërisë. Qëllimi i jonë, sikur e thamë në fillim, nuk është thjesht leximi i kësaj historie shumë të këndshme, madje edhe si letërsi bukur mirë e strukturuar, e stilizuar dhe e nivelizuar artistikisht, me ngjarje e kronika, por ajo që na bën të reflektojmë më shumë në përshkrimin e tabllove, e të perjetimeve të autorit, herë-herë edhe si njeri neutral, është një etno psikologji shekullore. Një mentalitet që shpesh nuk dimë as vetë ta perceptojmë si duhet. Ky popull, në raste të vështira është shumë homogjen e i dhimshëm. Në rast të një hapësire pak më të lirë, nuk përfill kursin e një ecje normale, pa bishtëruar grupe kokëkrisurish e tradhëtarësh. Veçanarisht ato kohë ishin krejt më ndryshe nga këto të shekullit tonë. Po janë përshkruar bukur dhe është mjaft tërheqës edhe për ata që nuk do të dëshironin që të mirren me historinë më të re shqiptare. Edhe më në fund, dua të shtoj, të mësojmë për vetveten më tepër që sa më pak të pësojmë.
Tundimet e shumta në jetën shqiptare
Po ishin dilema të mëdha. Dhe skepticizmi shpërndahej nga grupe të sferave të interesit. Idealistët për Shqipërinë e pavaur po kalonin si nëpër tehun e një shpate. Kërkohej mund, vullnet kombëtar dhe dije. Sistemi feudal me bajraqet e provincave me mbretër e princër të vetëthënë në një anë, e në anën tjetër injoranca, qartë shihej hendikepi i një arsimimi e i një informimi të mjaftueshëm, krejt këto bënin tundime të pandërprera në masë. Donin pavarësi, e kjo kërkonte përkushtim dhe mobilizim. Një forcë unike shoqërore e kombëtare. Për këtë mungonin jo veç zërat e bashkuar, por edhe aleanca nga forcat e jashtme. Rreziku ishte permanent nga fqinjët ballkanik. Devijimi i forcave të brendshme, me pretendime të secilit për pushtet krye në vete, ishte vështirë të ruhet e mbrohet tërësia e tokave shqiptare. Eqrem bej Vlora nuk ishte gjithherë i kënaqur me qeverisjen e kusheririt te vet, Ismail be Vlores. Thuhej se, Ismail bënte më tepër se që duhej tolerime. Mendonte të mos hidhëroj askënd, edhe pse rreziku i kanosej dita me ditë. Në këtë drejtim zinin vend rrebelet dhe një klasë qe e mendonin veten se, vetëm ata mund ta vendosnin e ta qeverisnin shtetin shqiptar. Ata ishin të ndikuar nga kleri mysliman dhe dëshironin të ktheheshin sërish nën sundimin e Turqisë. Me këtë i sollën shumë dëm vendit dhe vetë qytetarëve të tjerë të pafajshëm.
Fajin më të madh për shqiptarët e kishte Perandoria Osmane
Kur serbët, grekët dhe bullgarët hapnin shkolla nëpër territoret e Shqipërisë etnike, shqiptarët nuk kishin as alfabet të vetin. Madje shqipja ishte gjuhë e anatemuar dhe e dënueshme…Gabimi më i madh i Perandorisë Osmane ishte kundrejt shqiptarëve, qysh nuk u kishte lejuar shkollë në gjuhë amtare. Kundërshtitë nuk kishin munguar nga populli për tatimet, për nizamët, por edhe për rregullat tjera shoqërore që i viheshin popullit për ta sunduar më lehtë. Lëvizje e kryengritje të ngjashme ishin zhvilluar gjithherë në të katër anët te shqiptarët. Si duket, deri me ardhjen e Xhon Turqve, kur u mbajt Kongresi i (i Manastirit) Alfabetit shqip, më 1908, nuk kishte ndonjë lëvizje serioze kulturore. Këtu poshtë po shtojmë edhe mendimet e autorit të librit “Kujtime”.“Qortimin më të hidhur nga këndvështrimi shqiptar, natyrisht e meriton qeveria turke për qëndrimin e saj të marrë politik nga 1882 deri më 1912. Autoritetet turke, si pasojë e shfuqizimit të kushtetutës së re dhe të mosthirrjes së parlamentit të 1883-ës, jo vetëm që shkelën të gjitha ato të drejta të fituara me mund, por përndoqën dhe dënuan madje edhe shqiptarët myslimanë (katolikët ishin në ketë drejtim disi më të lirë) që guxuan të shkruajnë e lexojnë në gjuhën e tyre,” (f.168). Shënojmë edhe disa data nga fusnotat e këtij libri si referenca për ta parë embargon e arsimit shqip në ato kohë, sikur do ta përjetojnë edhe shqiptarët në atë Jugosllavinë e atyre kohëve, deri pas Luftës së Dytë Botërore. “Përveç pengimit me çdo mënyrë të çeljes së shkollave shqipe, qeveria, aty ku kishte pushtet të mjaftueshëm burgoste, madje edhe i rrihte publikisht, të gjithë ata të cilët shkruanin qoftë edhe një letër shqip. Çdo arsyetim i kthjelltë do ta gjente këtë mënyrë veprimi të çmendur, madje në atë shkallë të çmendur, sa që unë, për të mos qenë i pabesueshëm detyrohem të sjell disa shembuj: Më 1866, në Kaninë të Vlorës kontrollohen për disa libra shtëpitë e agallarëve të fshatit. Kur në shtëpinë e Abaz agë Hamzarajt dhe të disa agallarëve të tjerë u gjetën libra shqip të shtypur jashtë shtetit, fajtorët u dërguan në qelitë e kështjellës së Janinës dhe 17 nga këta krerë u dënuan me 20 vjet burg, ndërkohë që mbarë popullsia e Vlorës bridhte e armatosur dhe çdo vit ndodhnin 200 deri 260 vrasje (në një popullsi prej 50.000 banorësh) dhe asnjëri nga këta vrasës nuk sillej përpara gjyqit prej autoriteteve. Më 1896 në Stamboll arrestohen nga policia Hasan bej Vrioni dhe i biri Nyzhet beu, sepse në dhomën e tyre të hotelit u gjet një gazetë shqip-italisht, që dilte aso kohe në Napoli (sigurisht ‘la Nazione Albanese’- sh.im). Nëntë vjet burg në Sivas të Anadollit bënë babë e bir, burg që babai nuk e mbijetoi. Në vitin 1900 policia kontrolloi shtëpinë e Murat bej Toptanit në Tiranë dhe gjeti atje libra mësimi në shqip, vjersha dhe Historinë e Skënderbeut, të gjitha të shtypura në vitin 1881 me lejen e autoriteteve të kohës, nga komisioni shkecor “Dituria”. Murat beu me gjithë familje u internua në Konia të Azisë së Vogël dhe u kthye në atdhe vetëm në vitin 1908”, etj. Pra, kur Turqia i donte aq shqiptarët, pse nuk ua liroi arsimimin në gjuhë amtare, i inkriminonte me aq pushtet të dhunshëm?
Feja e shqiptarit
Asnjë herë shqiptarët nuk i ka penguar feja (tri kryesore) në mes veti për çështje kombëtare. Rilindësit tanë i kishin edukuar pjesën më të madhe të shqiptarëve se si duhej të kishin marrëdhëniet në mes veti i krishteri me myslimanin. Por, edhe para rilindësve, me shekuj kanë jetuar së bashku, duke ndier njëri-tjetrin si vëllai vllan. E. Vlora, tashmë një njeri shumë inteligjent e mjaft i pjekur, frymonte dy kultura, por gjithnjë me preferenca kah ajo perëndimore. Atij nuk mbetej pa i shkrepë për asgjë, nëse sipas adetit dhe zakonit të kujdo qoftë, ofendohej dhe prekej në sedrën e tij si njeri që merrte vesh për prejardhjen e tij kombëtare. Pra, ai promovonte domosdoshmërisht, e para së gjithash çështjen kombëtare. Kështu,“Kujtime-t” e E. B. Vlorës janë një arkiv i mbushur plotë me ngjarje të ndryshme. Edhe rreth çështjes fetare. Ai ishte mysliman, po e ruante pamjen evropiane. Lidhur me këtë, njëherë pat një aferë te një mik në Egjipt. Me që kusheriri i tij ishte fejuar me një muslimane nga ky vend, xhaxhai i tij, Ferit pashë Vlora (veziri i madh), dëshironte gjithashtu që edhe Eqremi të fejohej me një priceshë egjiptiane. I veshur e i rregulluar në mënyrën e vet, shkon në ndejë me kusheririn, xhaxhain, dr. Turtullin dhe me një Nasip efendiun. Kur hyjnë brenda te një princ Hyseni, ai e ka pyet kryekadiun, i cili e kishte shoqëruar: “I krishterë (nasran) apo mysliman është Eqrem beu?” Kadiu është habitur këtë pyetje të papritur, por Eqremi ia kthen: “Mysliman, Lartësi, dhe madje, shumë më i mirë se ata që përkatësinë fetare e lidhin me bishtin e frakut apo me fesin e kuq”. Princi mbetet i habitur gjithashtu. Eqremi vazhdon edhe më: ”…kjo (feja) nuk ka të bëj aspak me veshjen dhe pamjen e jashtme, ajo duhet kuptuar në mënyrë figurative, ka të bëjë, pra, me ndjenja, me mendimet, me botëkuptimin tonë dhe ato tek unë, më besoni Lartësi, janë patundshmërisht myslimane.” (f.258).
Shqiptarët të vonuar dhe jo imunë në momente të duhura
Pa tolerancë në mes veti. Historia do ta gjykoj secilin me të mira dhe të këqija. Nuk do të duhej që çdo gjë të kundërshtarit ta shembim. Ta djegim e rrënojmë vetvetën. Mirë e keq ashtu të mbetet. Edhe e shëmtuara është kategori e artit, por edhe pjesë e historisë së civilizimeve. Pa dashur të rehabilitohet asnjëherë tradhëtia prej kujdo që shfaqet dhe ushtrohet praktikisht. Për këtë “ngastrim” që iu bë Shqipërisë, disa ia hedhin ‘fajin’ politikës së jashtme, e disa asaj të brendshmës të asaj kohe. Dhe askush i huaj nuk e merr barrën tënde, derisa vetë toleron për gjëra që nuk duhet. Po, faktori i parë ishte një arsimim i vonuar, popull i pa informuar për vetveten dhe interesin kolektiv, kur të tjerët i kishin tejkaluar kaherë këto barriera, shqiptarët në këtë mënyrë kanë mbetur gjithnjë të vonuar dhe gjithnjë të dëmtuar. Thuhet se, supërfuqitë ishin vendimmarrëse, po, jam shumë i sigurt, që më shumë politika e pa konsoliduar te vetë shqiptarët ishte një “kep” në të cilin zurën në thua e që pengoi tërë procesin në zgjidhjen e problemit. Dëmtimi i interesave kombëtare në përgjithësi nga interesi primitiv i individit apo grupit, flet shumë edhe në kohët e më vonshme. Lakmia e injorancës vështirë shkëputet nga këto grupe. Në kohën më të duhur, si duket shqiptarët nuk kanë qenë asnjë herë të gatshëm për t’u përballur në pikëpamje politike e madje edhe luftarake. Kjo ishte edhe pengesa kryesore që nuk kanë mundur të organizohen si kërkohet për çlirimin e tokave të veta gjeografikisht dhe politikisht. Tradhëtitë nga grupet dhe individët e ndryshëm e kanë vulos fatin e këtij populli. Më duket se problem tjetër te shqiptarët, sot atëherë, është edhe hakmarrja ndaj njëri-tjetrit. Interesi personal shumë i madh. Plaçka dhe hajnia një sëmundje e pashërueshme. Si qentë rrugëve. Bajraktarizmi shumë i shfaqur kurdoherë në të gjitha provincat. Prandaj, nuk ka pasur një imunitet as ndaj politikave të fqinjve përreth. Supërfuqitë nuk kanë prishur mardhënien në mes vete. Është gjykuar si një papjekuri e shqiptarëve. Natyrisht, kur vetë ata nuk e kanë përballuar gjendjen ashtu qysh ka qenë rendi. Lëshimet një nga një janë bërë për arsye të mos vullnetit të mjaftueshëm në përballje me kundërshtarët. Dhe ato lëshime që janë menduar se do të tejkalohen ndonjë ditë në të ardhmën, absolutisht nuk ishin të arsyeshme, ashtu sikur e kemi parë deri në ditët tona. Ka kaluar edhe Lufta e Dytë, duke shpresuar se do të ketë aleancë me fqinjët, por kjo ka sjellë edhe më tutje një “pabesi” dhe “tradhëti” nga fqinjët tanë. Miqësi e alencë të vërtetë nuk duhet të pritet asnjëherë nga fqinjët. Jo pse jemi të prirur kështu të flasim, por koha ka treguar historikisht, që kjo nuk ka dalë asnjëherë. Eqrem bej Vlora ishte njeri që merrte vesh në politikë. Ishte dëshmitar i përjetimeve vendimtare historike. Ai dhe shumë shokë të gjeneratës së tij ishin munduar për atdheun e tyre, i cili u kishte munguar për jetë! Edhe kjo është e çuditshme!
/SHEFIK SHKODRA/