Perimet janë burimi më i mirë natyror i vitaminave, mineraleve dhe i materieve ushqyese të cilat e ruajnë shëndetin, por janë edhe kujdesi më i shijshëm i lëkurës – veçanërisht dimrit.
Nutricionistët, mjekët, ithtarët e ushqimit të shëndetshëm pajtohen që duhet të hamë perime, sepse janë burimi natyror i vitaminave, mineraleve dhe i materieve të tjera të cilat e ruajnë shëndetin tonë dhe e mbrojnë nga sëmundjet e ndryshme.
Në kohën kur imuniteti është edhe më i dobësuar, dhe i ekspozuar viruseve, ftohjeve dhe sëmundjeve të tjera të dimrit, artikujt ushqimorë si karota, bizelet, domatet dhe xhenxhefili fitojnë edhe më shumë rëndësi, transmeton Koha.net. Përveç që sjellin përfitime të mjaftueshme për tërë organizmin, një arsye shtesë për t’i provuar është edhe kënaqësia femërore – përgatitja e maskës apo tonikut i cili do të zgjojë bukurinë e re të lëkurës sonë.
Perimet bishtajore për më shumë energji
Për ruajtjen e shëndetit të sistemit kardiovaskular dhe eshtrave mos i anashkaloni bizelet e gjelbra. Adhuruesit e bizeles e dinë që ajo është e pasur me vitamina dhe minerale, dhe veçanërisht me kalium, fosfor dhe grupin e vitaminave B.
Në frutat e pjekura ka karotenoid dhe sasi të vogla të vitaminës C. Është burim i pasur i fibrave dhe materieve ushqyese, ndërsa përmban edhe shumë sheqer, prandaj nuk u rekomandohet njerëzve të cilët vuajnë nga sëmundjet e sheqerit. Siguron materie shumë të rëndësishme për shëndetin e eshtrave, ndërsa për këtë ka meritë vitamina K1, e cila aktivizon proteinën e rëndësishme për integrimin e kalciumit në eshtra.
Dihet edhe që vitamina B6, acidi folik dhe vitamina K, të cilat gjenden në bizele, marrin pjesë në ruajtjen e shëndetit të sistemit kardiovaskular. Përmban edhe vitaminë C, e cila është shumë e rëndësishme për zhvillimin e procesit për mbrojtje të organizmit nga dëmtimet në molekulën e ADN-së dhe konsiderohet si shenjë paralajmëruese e zhvillimit të sëmundjeve malinje.
Shumë studime kanë treguar që vitamina C mund të zvogëlojë rrezikun nga zhvillimi i formave të ndryshme të kancerit. Paraqet linjën e parë të mbrojtjes së organizmit dhe ofron mbrojtje të rëndësishme antioksidante.
Për shikim më të mirë
Karota është burimi më i madh natyral i vitaminës A, ndërsa më e shëndetshmja është e zier. Beta-karoteni nga karota është i rëndësishëm për funksionin e organeve të tretjes, ndihmon formimin e qelizave tona dhe formimin e shëndetshëm të dhëmbëve.
Është i njohur si vitaminë për sy, sepse ndihmon në çrregullimet e të parit, ndezjeve, verbërinë e natës, dhe lodhjen e syve. Mineralet nga karota janë të rëndësishme për sy, normalizimin e punës së zemrës dhe shëndetin e eshtrave.
Kungulli për tretje më të mirë
Substancat kuruese inkurajojnë organizmin t’i absorbojë më lehtë të gjitha materiet ushqyese. Përveç proteinave, karbohidrateve, yndyrave dhe vitaminave, kungujt janë të pasur edhe me fije bimore, prandaj ju rekomandohen njerëzve me stomak dhe zorrë të sëmura si dhe atyre që vuajnë nga kapsllëku.
Janë diuretikë të shkëlqyer, dhe duhet t’i hanë njerëzit me probleme reumatike, ftohje të kanaleve të urinës, veshkave dhe traktit biliar. Zvogëlon kolesterolin në gjak, ndërsa kompresa prej kungullit të freskët të copëzuar me rende lehtëson dhimbjet nga venat e zgjeruara.
Për bukurinë: maska për pastrim të thellë të lëkurtës së yndyrshme dhe të ndotur – bëni pire nga kungujt e zier dhe përzieni me gjysmë luge mjaltë dhe ¼ qumësht soje dhe vendosni njëtrajtshëm në fytyrë, qafë dhe dekolte, transmeton Koha.net. Duke ju falënderuar përbërësve shërues, maska pastron papastërtitë, qetëson ndezjet si aknet dhe nxit qarkullimin. Është e mirë edhe për lëkurë të ndjeshme.
Kundër reumës
Patatja është burim i çmueshëm i energjisë, karbohidrateve dhe niseshtesë. Është burim i vlefshëm i mineraleve: vitaminës C, niacinës, vitaminës B6, acidit pantotenik, tiaminës, folatit, kaliumit, magnezit, fosforit, hekurit, manganit dhe kalciumit.
Në mjekësinë popullore qulli i patateve nga kohët e lashta përdoret si ilaç ndihmës te reuma, ënjtja e nyjave, kokëdhimbja, temperatura e lartë, djegiet dhe morthi. Njerëzve, të cilët kanë probleme me mukozën e stomakut u rekomandohet lëngu i patates i përzierë me lëngun e karotës apo i holluar me ujë.
Ky lëng është i pasur me materiet themelore, e lidh për vete acidin e urinës dhe kështu ndihmon në shërim të gihtit, reumës dhe artritisit.