Gjilan – (2LONLINE) – Me iniciativën e Kompanisë Regjionale të Mbeturinave “Eko – higjiena” dhe me mbështetje të nxënësve të shkollës fillore “Abdulla Tahiri”, si dhe të disa banorëve, për rreth 10 minuta janë pastruar dhjetëra hektar hapësirë e ndotur nga hedhjet e pakujdesshme të mbeturinave.
Me këtë rast disa qindra nxënës kanë pastruar dhe i kanë kthyer gjendjen normale livadheve të fshatit Malishevë, duke bartur mesazhin se mbeturinat duhet të hedhen vetëm në vendet adekuate e assesi në hapësira të gjelbra dhe gjithandej. Nxënësit kanë thënë se aktivitete të kësaj natyre së bashku me udhëheqësin e shkollës marrin disa herë brenda vitit.
Me këtë rast përfaqësuesi i fshatit Malishevë, Riad Rashiri, ka thënë se sot iu kanë bashkangjitur aksionit të eko-higjienës dhe nxënësve të shkollës me disa banorë, sepse ky fshat disa herë ka marrë aksione të kësaj natyre, siç është ai i mbjelljes së drunjve për shënim të ditës së tokës, largimin e disa deponive të egra, pastrimin e varrezave të fshatit etj. ai tha se kështu do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, dhe sot Malisheva ka bërë hapa të rëndësishëm që duhet të ndërmerren edhe nga fshatra të tjera, ngase ruajtja e pastërtisë është obligim i të gjithë qytetarëve. Pastërtia jonë publike por edhe hapësinore është pasqyrë e shtëpive tona. Ky është një aktivitet spontan që e falënderojmë edhe kompaninë “Eko – higjiena” por edhe nxënësit dhe arsimtarët e shkollës sonë, që iu kanë bashkangjitur këtij aksioni, sikundër që ka falënderuar edhe disa banor që u bashkuan rreth këtij aksioni. Rashiti edhe në emër të Komunës dhe kryetarit Mustafa e ka përshëndetur këtë aksion, duke uruar që për çdo ditë të ketë më pak hapësira të ndotura.
Ndërsa drejtori i shkollës fillore, Përparim Poroshtica, ka thënë se pastërtia është një edukatë, dhe ne sot së bashku me nxënësit, me kompaninë dhe me disa banorë kemi dalë që të pastrojmë këtë hapësir e përmes këtij aksioni të japim mesazhin se duhet të mbahet ambienti i pastër jo vetëm këtu në këto livadhe por gjithandej hapësirës së Komunës. Interesi i të gjithë neve është pastërtia, ndaj për çdo ditë të pastrojmë ngapak dhe një ditë më nuk do të kemi ambiente të ndotura nga mbeturinat. Ai ka thënë se një shembull i mirë është oborri i shkollës që në kuadër të pastërtisë merr një notë të lartë falë përkushtimit të të gjithëve brenda oborrit të saj.
Edhe nxënësit kanë thënë se aktiviteti i sotëm është në baza vullnetare, që ambientin tonë ta ruajmë dhe pasurojmë me gjelbërim e assesi ta ndotim dhe shëmtojmë.
Ndërsa disa nga përfaqësuesit e kompanisë “Eko – higjiena”, kanë thënë se kur është vullneti i madh siç janë nxënësit, dhe banorët, s’ka hapësir që s’mund të pastrohet. Duhet të ekzistoj vullneti sikur ky në shkollën fillore të Malishevës, dhe ambienti bëhet për pak minuta shumë i pastër. Ata kanë porositur që të paguajnë shërbimet e eko- higjienës sepse pastërtia do të mirëmbahet më mirë. /2LONLINE/