(2LONLINE) – Emin Krasniqi kryetar i Degës së PDK-së në Kamenicë, të enjten ka mbajtur një takim me strukturat e PDK-së për ti njoftuar ata rreth zhvillimeve të fundit politike që kanë rrjedhë në këtë komunë sidomos rreth koalicioneve të cilat janë bërë në mes të PDK-së, AAK-së dhe së fundmi me AKR-në. Krasniqi, ka falënderuar të gjithë ata që kanë dhënë kontribut në zgjedhjet e 3 nëntorit dhe kërkoi që më 1 dhjetor të mbështesin fuqishëm kandidatin për kryetar të komunës nga radhët e PDK-së, Begzad Sinanin.
“Apeli ynë është që të mobilizohemi të gjithë që me 1 dhjetor ta kem kryetar të komunës Begzad Sinanin”, ka thënë Krasniqi, duke falënderuar dy subjektet politike të AAK-së dhe AKR-së për koalicionin e bërë me PDK-në.
Ndërkaq, kandidati për kryetar I komunës Begzad Sinani, ka njoftuar strukturat partiake për mbarëvajtjen e takimeve me subjektet e koalicionit.
“Kam kënaqësinë të ju njoftojë se pas disa takimeve që kemi pasur me zyrtarë të lartë të subjekteve politike të AAK-së dhe AKR-së, kemi arritur në një pikë të favorshëm për punën tonë. Kemi arritur që të rrumbullakojmë dy koalicione, një projekt të përbashkët në mes të PDK-së, AAK-së dhe AKR-së. Me këto dy marrëveshje po shkojmë me një projekt të përbashkët në zgjedhjet e 1 dhjetorit, ku tashmë janë krijuar favore shumë domethënëse dhe se fitues i këtyre zgjedhjeve do të jetë PDK-ja dhe kryetari Begzad Sinani”, ka thënë ai.
Sinani është I vendosur në një projekt që ai beson se do të jetë në të mirën e qytetarëve të komunës së Kamenicës.” Ne po hymë në një projekt shumë serioz, projekt që është jetësor dhe ate që e kam pasur ide, vision ishte që të bashkojmë forcat dhe kapacitetet tona profesionale, politike për një komunë më ndryshe, komunë evropiane”, ka thënë Sinani, duke shtuar se është arritur dje që përfundimisht të krijohet një atmosferë dhe një relaks tek shumica e qytetarëve për koalicionin PDK,AAK AKR.
Sipas Sinanit, ky projekt do të jetë projekt i zhvillimit ekonomik, projekt i cilësisë më të mirë në segmente caktuara të administratës në përgjithësi,dhe se ky është vizuioni I tij politik.
“Partnerët e këtij projekti, në rend të parë asaj të AAK-së pasi që të parët nënshkruan marrëveshjen politike, do ti kenë duart e lira nga ana e kryetarit të komunës, sepse AAK-ja është thirrë shumë në zhvillimin e industrisë së drurit dhe elemente tjera që i kanë përmendur para elektoratit të tyre dhe ne do ti krijojmë kushtet në atë fushë”, ka potencuar Sinani duke thënë se respekton të dyja parti politike, AAK dhe AKR, që është lidhur marrëveshje për qeverisjen 4 vjeçare.
“Sa i përket AKR-së, është e njëjta gjë sikurse për AAK-në sepse AKR-ja ka treguar një vendosshmëri për të na mbështetur në balotazh dhe kërkoj nga anëtarësia e PDK-së që të respektojnë përfaqësuesit e AAK-së dhe AKR-së, për qeverisjen e përbashkët që do të jetë pas 1 dhjetori për 4 vitet e ardhshme dhe ftoj të respektoni partneritetin politik në çdo mjedis dhe në çdo lokalitet ku jetojmë”, ka thënë në fund Sinani. /Rexhë Hasani/