“Përkundër kritikave publike që i kemi drejtue si opozitë në vazhdimësi për Kryetarin e komunës dhe për Shtabin Emergjent Komunal lidhur me menaxhimin e dobët të krizës me Covid19, këtyre ditëve, PDK – dega në Gjilan, është informuar nga burime të besueshme se furnizimi me oksigjen për Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit ka hasur në vështirësi serioze dhe kjo po ndodhë thuaja se çdo ditë, thuhet në Komunikatën e degës së PDK-së në Gjilan.
“Qytetarët dhe familjet e regjionit janë të shqetësuara me arsye dhe seriozisht për këtë pasiguri ekstreme në furnizim me oksigjen. Ata kërkojnë veprime të shpejta të mekanizmave kompetentë komunal e shtetëror për stabilizim urgjent të furnizimit me këtë artikull kaq jetësor për pacientët tanë me Covid19 por edhe për të tjerët që kanë nevojë për të”, thuhet tutje në komunikatë.
Sipas PDK-së së Gjilanit, tashmë, pas shumë muajve, u pa qartë se nuk kryejnë punë deklaratat boshe dhe retorikat të bëra rutinë nga Shtabi Emergjent komunal dhe nga Kryetari i komunës për ti dalur karshi trendit frikësues të infektimit me Covid19 në komunën tonë dhe në regjion.
“E kemi thënë nga fillimi i pandemisë se për ta parandaluar shpejtë dhe sigurtë përhapjen e virusit, Shtabi duhet të hartojë plan të qartë veprimi me të gjithë akterët dhe me të gjitha kapacitetet e nevojshme përbrenda tij si dhe kërkohet veprim dhe dinamikë e duhur për realizimin e plotë të këtij plani”, thuhet në komunikatën e PDK-së.
Sipas këtij subjekti politik, opozitë në Gjilan, Shtabi Emergjent komunal dhe kryesuesi i tij, kryetari i komunës, Lutfi Haziri, janë adresa e vetme dhe kryesorja e përgjegjësisë për t’u sfidue me këtë situatë aspak të mirë në komunën tonë.
PDK-ja vlerëson se kjo adresë e përgjegjësisë i ka përbrenda saj, përveç dy niveleve të shëndetësisë, edhe të gjitha segmentet e veprimtarive tjera publike e private komunale e rajonale. Krejtë çfarë duhet bërë është lidhja e mirë e këtyre hallkave, sinkronizimi i veprimeve dhe dinamika e shtuar në punë.
“Komunikimi i mirë dhe i duhur përbrenda komunës e rajonit si dhe me Shtabin Emergjent nacional në Prishtinë është i domosdoshëm sepse politikat dhe specifikat tona lokale e rajonale funksionojnë me efekt të plotë vetëm nëse jëmi mirë të koordinuar brenda nesh sikur edhe me politikat dhe me përkrahjen e qendrës.
E kundërta e kësaj që e thamë këtu më lartë, na ka sjellur deri në gjendjen aktuale për të cilën po ju alarmojmë sepse qysh nesër mund të jetë vonë për reagim”, thuhet në komunikatë.
Për PDK-në e Gjilanit, njjë jetë e humbur nga neglizhenca dhe mospuna na bën plotësisht të pabesueshëm si institucione dhe na bën plotësisht të papërgjegjshëm para jetëve të qytetarëve tanë që sot, më shumë se kurrë kanë nevojë për komunën e për shtetin e tyre. /2LONLINE.com/