(2LONLINE) – Deklarata e fundit e Lutfi Hazirit, kandidatit që pati dëshirë të bëhej edhe një herë kryetar i Komunës së Gjilanit, se po garon kundër Hashim Thaçit, tregon fillimin e ndërtimit të justifikimit për humbjen e ftohtë të “1 dhjetorit”, e cila veç po duket në horizont!, thuhet në një komunikatë të sektorit për informim të Shtabit zgjedhor të Degës së PDK-së në Gjilan.
Në këtë komunikatë thuhet se se “Të jesh disfatist, nuk do të thotë domosdo të pësosh disfatë, por do të thotë, të jetosh me ndjenjën e humbësit dhe të dorëzohesh përballë çdo sfide – nga mungesa e besimit në fitore! Kjo është sindroma e disfatistëve! Disfatisti pra, s’ka besim në përfundimin me sukses të një lufte a të një pune të rëndësishme; trembet nga vështirësitë dhe ngjall frikë e mosbesim edhe tek të tjerët! A s’po e bën këtë Luta? Të humbësh nga Hashim Thaçi, vërtetë nuk është e turpshme, këtë do t’ua thotë Lutfi Haziri votuesve të tij dhe po këtë justifikim do ta përdor edhe para Isa Mustafës! Ky arsyetim dhe kjo humbje që po shihet, shënon rast analogjik me garën për kandidaturën paraprake, kur ishte në lojë kandidati pararendës nga LDK-ja, i cili gjithashtu sikur Lutfi Haziri përdorte të njëjtin justifikim – atë se po garonte kundër Hashim Thaçit, që nënkuptonte ose lë të kuptohet, që në një rast të tillë, gjithsesi do të jesh i humbur – kushdo qofsh përballë tij!
Më tej në komunikatë thuhet se “Hidhërimi i Lutës, ende pa përfunduar loja, seç na kujton atë lojën e tavolinës me zare, “Njeri mos u hidhëro”, e cila që në emërtim ka parasysh hidhërimin e humbësve dhe i fton që të mos hidhërohen! Në atë lojë pra, lojtari mund të tejkalojë tjetrin për disa pikë, por vjen një hedhje tjetër zaresh, që e rikthen lojtarin kundërshtar në pikën zero, ose gjashtë hapa mbrapa. Por këtë garë, njësoj sikur pararendësi i tij, edhe Lutfi Haziri do ta humbas nga qytarët e Gjilanit më parë se ta ketë humbur nga Qemajl Mustafa apo nga Hashim Thaçi! Pra e sigurojmë që nuk është Hashim Thaçi arsyeja pse ai do të humb, por janë premtimet kundërthënëse të tij, dhe temat në të cilat thirret e që nuk përkasin me veprimet e tij. Ai po përmend Ibrahim Rugovën, i cili simbol kishte dy gishtrinjtë e fitores, e që ishte motivim nga “Viktoria” amerikane – ndërsa Lutfi Haziri po ngreh një gisht lartë, i motivuar nga ekstremistë islamikë; po i ngre katër gishtërinjë lartë; po përshëndet me dorën mbi vetull – diçka si liderët komunistë… që gjithë këto, tregojnë se Lutës i janë përzier simbolet, pra e ka humbur identitetin Rugovian dhe kjo është dëshmi se orientimi i tij është kundëramerikan, kundër vijës tradicionale të LDK-së dhe poashtu kundër islamit tradicional!
Në këtë komunikatë të sektorit për informim të Shtabit zgjedhor të Degës së PDK-së në Gjilan. Thuhet edhe se “Haziri po përmend kthimin e shamive nëpër shkolla, për të cilën reagoi edhe vet padroni i tij, i nderuari Isa Mustafa, në një kohë kur të gjithë kanë parë fotot e tij (gjë që edhe ai vetë e ka deklaruar), me pirsa në gjoks; në një vend ku të gjithë e njohin si pijanec, madje me pije të keqe. E dashuria e tij ndaj Gjilanit, tregohet më së miri me krahasime hartash, nga koha e qeverisjes nga ai, me ç’rast Gjilanit i janë copëtuar edhe pjesë të qytetit, jo vetëm të rrethinës – mbi 130km katrorë, me rastin e decentralizimit”.
“Dashuria e tij ndaj Gjilanit është treguar edhe gjatë udhëheqjes së tij të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, kur asnjë gjilanas dhe as Gjilani, nuk kishin asnjë përkrahje nga ai! Ndërsa, ushtarët e Ibrahim Rugovës, siç i thërret ai, nuk e dimë për ku do t’i nisë a për ku po i motivon – kundër cilëve të huaj?! Ose cila është lidhja e tij me ushtrinë?! Çuditërisht, ai po u hyn disa temave për të cilat s’është i denjë t’u dalë zot, pikërisht atyre të cilat përbëjnë turpet më të mëdha të jetës së tij! Sikur ne t’i kishim harruar të gjitha zhvillimet e luftës dhe ta kishim harruar paraqitjen e tij në proceset gjyqësore të Gjilanit, nga të cilat shpëtoi duke ngarkuar ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Të gjithë e kujtojmë fjalinë e famshme të avokatëve të tij, të cilët, në emër të mbrojtjes kishin deklaruar se: “Lutfi Haziri s’ishte terrorist, sepse nuk ishte zënë me uniformë sikur të tjerët aty; nuk kishte qenë në zonat e luftës sikur të tjerët aty”! Aludim ky, me të cilin u ngarkuan ushtarët e tjerë në të njëjtin proces – luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – disa prej tyre tani dëshmorë të kombit”, thuhet tutje në komunikatën e PDk-së, për tu shtuar se “Ishte ai proces famëkeq, i paharruar për Gjilanin, nga i cili kishin dalur të tronditur edhe avokatët mbrojtës të ushtarëve të UÇK-së, pasi ushtarët e UÇK-së që po akuzoheshin, nuk po ngarkoheshin vetëm nga prokuroria serbe, por edhe nga mbrojtja e Lutfi Hazirit, me ç’rast po atë ditë, në po ato çaste, njëri prej avokatëve që po mbronte grupin e UÇK-së, pati infarkt dhe ndërroi jetë – mbase nga kjo situatë”.
Prandaj, i bëjmë thirrje Lutfi Hazirit: Të mos e njollos nocionin “ushtar” i cili në kontekstin e luftës së fundit, i përket vetëm ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Të mos e njollos lëvizjen paqësore të Ibrahim Rugovës dhe orientimin e tij proamerikan, me përshëndetje fundamendaliste! Të mos e fyej Islamin tradicional me veprimet e përditshme në kundërshtim me parimet e islamit. Të mos e fyej Gjilanin duke i falur dashuri të rrejshme e duke qarë me lot krokodili pasi e copëtoi sa ishte kryetar komune!”, përfundon komunikata e lëshuar për media nga sektori për informim i Shtabit zgjedhor të Degës së PDK-së në Gjilan. /2lonline/