Duke marrë pjesë në një tribunë të qendrës për studime “Woodrow Willson” përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian Catherine Ashton ka thënë se pas zgjedhjeve në Kosovë më 3 nëntor, mund të ketë marrëveshje të dytë ndërmjet dy palëve.
Zgjedhjet në Kosovë, që do të mbahen më 3 nëntor, paraqesin një mundësi të madhe, dhe atë për herë të parë nga viti 1999, Serbia i ka bërë thirrje popullatës serbe që të dalin në zgjedhje, ka thënë baronesha Catherine Ashton, njoftojnë medie të Beogradit.
Duke folur për Marrëveshjen e Brukselit, të arritur në mes të qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, Ashton ka thënë se meritat kryesore për këto marrëveshje nuk i takojnë asaj, veçse dy kryeministrave.
Ajo ka thënë se Thaçi dhe Daçiq dëshirojnë që vendet e tyre të integrohen në BE, duke shtuar se “edhe duhet të jenë në BE dhe se rreth kësaj çështje as që duhet diskutuar”.
Duke rrëfyer momentin kur ka kuptuar për vrasjen e doganierit lituan në veri të Mitrovicës, Ashton ka thënë se këtë e ka kuptuar nga kryeministri Serb, Daçiq, i cili, sipas saj, e ka njoftuar atë përmes telefonit, me zë të pikëlluar./koha.net/