Sabit RRUSTEMI
(2LONLINE) – Mërgata shqiptare, në dhjetëvjetëshat e fundit , përveç anëve materiale, Kosovës dhe përgjithësisht kulturës shqiptare po I sjell edhe të mira shpirtërore, vlera krijuese e intelektuale, të cilat, dorën në zemër, më herët, ishin bukur të rralla. Një nga këta emra, që fatmirësisht nuk janë të paktë, sot është në mesin tonë dhe “Vjeshta letrare e Gjilanit” mëton ta përpushë krijimtarinë e tij letrare, pa pretendime për ta shteruar apo thënë fjalën e fundit. Por, për ta aktualizuar si emër, si vlerë dhe si veprimtari bukur voluminoze. Shefqet Dibrani, protagonist i radhës i veprimtarive tona letrare në Gjilan, jeton dhe vepron në Zvicër, gjegjësisht në Sent Gallen nga viti 1984 e këndej, deri në ditët e sotshme. U lind para pesëdhjetetre vitesh, në Gërdoc të Podujevës, më saktë, një ditë pas midisit të verës, më 3 gusht 1960 – të. Aty kreu shkollën fillore si dhe në Batllavë. Më pas shkollimin e mesëm në Kastriot, ndërsa atë të lartin në Gjakovë. Pas dhjetë vitesh mërgimi, në botën letrare troket më 1994, përmes vëllimit poetic LARG PIKON HËNA, i cili pasohet pas dy vitesh ( 1996 ) me vëllimin tjetër poetik PSE E URREJ KADARENË…ndërsa po dy vite më pas, më 1998 vjen me DITAR MËRGIMI. Dhe, në vitin 2000, edhe me STREHËT E GJAKUT. Ku pas një pauze shtatëvjeçare, pauzë kjo që ka të bëjë vetë për vëllimet poetike, sjell edhe vëllimin poetik ËNDËRR E NJEJTË, TOKË TJETËR… sepse mes vëllimit të katërt dhe të pestë ishte i zënë me një projekt shumë serioz letrar, projekt i cili me një punë shumë përkushtuese dhe profesionale rezulton u suksesshëm meqë lexuesit shqiptar i sjell LIBRA DHE MBRESA, një libër ky mjaft voluminoz me 133 vështrime kritike për libra dhe revista, ku, me syrin e kritikut, shtjellon vepra dhe vlera të botuara anekënd trojeve shqiptare dhe andej kah jetojnë e veprojnë shqiptarët, qoftë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali I ZI , Kosova Lindore e Mërgata. Po, në ndërkohë , deri te poezia e tij e zgjedhur nën titullin përmbledhës ANATOMIA E BRYMËS, botim i këtij viti, Shefqet Dibrani, do t’i përkushtohet publicistikës. Në vitet 2005 e 2006 do ta pasurojë publicistikën shqiptare me ZHGËNJIMIN BALLKANIK, në dy pjesë. Ndërsa, në vitin 2009, pikërisht në pesëmbëdhjetë vjetorin e vdekjes tragjike të poetit dhe lirikut të madh të letërsisë shqipe, Agim Spahiut, që ishte dhe mik e vëlla shpirti i Shefqet Dibranit, do i dhurojë lexuesit shqiptar LETRAT EAGIMIT, një korrespodencë e jashtëzakonshme mes dy poetësh, miqsh letrash e vëllezër gjaku, që, figurativisht simbolizonin dy pjesët e një trungu shqiptar, korrespodencë kjo, sa dridhëse, emocionale, poaq dhe artistike e cila shpërfaq një botë intime, të paparë, sa , jo vetëm mrekullon me pasurinë e tyre shpirtërore po, edhe trondit me mallin dhe dhimbjen e ndarjes shekullore, po edhe dashurinë e pashtershme dhe gjakimin për të ardhur deri te një ditë që i bënë bashkë. Një vit pas kësaj korrespodence, po nga fusha e publicistikës, prej Shefqet Dibranit na vijnë dhe veprat VIRTYTE E VISARE ( 2010 ), 11 MINUTA PARA ORËS 00 ( 20111) dhe së fundmi, këtë vit gjithashtu, me librin më të ri publicisitik “ ROLI HISTORIK I LDK-SË NË NDRYSHIMIN E KONCEOTEVE POLITIKE. Deri më tash volumi letrar i prodhimtarisë së Shefqet Dibranit përthekohet me 14 –të vepra, që, gjithsesi do pasurohen dhe me tituj të tjerë Për një mërgimtar, i cili pesë ditë të çdo jave ka dhe një orar pune krejt jashtë këtij angazhimi intelektual, kjo nuk është prurje e pakët. Përkundrazi. Dhe, kur kësaj I shtohet se në pjesën dërmuese të këtyre veprave ai ka investuar jo vetëm dijen po edhe djersën e tij të ballit e trupit, të mallit mërgimtar, duke ndarë nga kafshata e tij për t’ na ushqyer neve dhe shpirtërisht, vlera e këtyre veprave dhe i këtij angazhimi, dyfishohet, meriton mirënjohje të thellë dhe, jo vetëm një prezantim a shpalim simbolik ( si ky i sotmi). Të mos e harrojmë edhe një fakt, se, falë njohjes dhe letërkëmbimit me poetin dhe mikun e tij të shpirtit, Agim Spahiut, Shefqet Dibrani me përkushtimin dhe investimin e tij do ndikojë që ky poet i veçantë i lirikës shqiptare, në vitin 1994, pak muaj pas vdekjes, të prezantohet me një botim të zgjedhur edhe në Kosovë. NJERIU MBI PIKËLLIMË ishte libri që bëri bujë në vitet nëntëdhjeta kur u shpërfaq para lexuesit, këtu. Por, vlera e tij as pas gati njëzet vjetësh, aspak nuk u zbeh. Dhe,ishte pikërisht ky emër i shquar i poezisë shqiptare që do ta nxis dhe do ta brumos dashurinë dhe përkushtimin për poezinë edhe te vetë Shefqet Dibrani. Vëllimi i tij i parë poetik, LARG PIKON HËNA do redaktohet dhe përgatitet për botim, po nga Agim Spahiu, nga ai që s’ arriti ta sheh as librin e tij të zgjedhur , të botuar në Kosovë e, që e kish ëndërr jete. Po, as librin e mikut të tij, të cilin I a la amanet kujt tjetër pos, Visar Zhitit, një poet e prozator brilant, i cili solli risi e freski në letërsinë shqipe në këto njëzetepesë vite. Përndryshe, Shefqet Dibrani pati fatin e tij të mirë që, dorëshkrimet e tij, t’i kenë nëpër duar si dhe t’i përgatisin për botim emra të shquar të letërsisë sonë si Ali Podrimja, Azem Shkreli, Rrahman Dedaj, Visar Zhiti, Lazër Stani , Adem Gashi, Iljaz Prokshi si dhe botues si Nazi Rrahmani, Abdullah Zeneli e Ramadan Mehmeti. /2lonline/