(2LONLINE) – Padyshim që pjesa letrare që njihet tani më si “Pena e Flakës” është njëra ndër shtyllat me rëndësi të veçantë që e plotëson dhe i jep peshë të fuqishme Manifestimit kulturor tradicional “Flaka e Janarit” që mbahen tani e mbi 20 vite me radhë. Por, a ka ardhur kohë që dikush të mendojë për një fizionomi ma ndryshe, të ndërmerre veprime, fillimisht për t’u ndalur stërkeqja e kësaj pjese dhe pasi të kthehet në binarë edhe të avancohet?!
Mendoj se Ora Letrare e sotshme është tregues më i mirë se diçka s’po ecën mirë dhe se për këtë duhet ndërmarrë masa, për të mos lejuar që ky aktivitet të jetë një lloj shablloni dhe për çdo vit, vetëm të kapërcehet në të.
Pse, po e them këtë?
Fillimisht u përzije hesapi me organizimin, që në këtë rast e bënë edhe organizatorin dështues të kësaj mbrëmje letrare. Së pari, krijuesit dhe adhuruesit të fjalës së shkruar ishin orientuar në Sallën e Kuvendit, ku zakonisht mbahet Ora letrare e Flakës, (pikërisht vend i papërshtatshëm për një aktivitet të tillë e që duhet të përfshihet ndër ndryshimet e para që duhet bërë), por për shkak numrit të madh, u gjet aty për aty një alternativë, e që ishte Teatri i Qyteti, por që doli të ishte zgjidhje e gabuar, për shkak të rrethanave, pasi aty pritej të mbahej aktiviteti tjetër i Flakës dhe pastaj “Ora letrare”, ishte në presion të kohës.
Paramendoni sa mund të kënaqemi pastaj me një Orë Letrare, kur duhet të fokusohemi në atë se si ta kryejmë sa më parë e të lirojmë sallën, në vend se të na interesojnë vargjet që do të deklamoheshin. Natyrisht këtë gjendja e rëndon edhe fakti që nuk ka seleksionim të asaj se çfarë do të servohet dhe se kishte edhe aso vargje pastaj që “torturonin” edhe organizatorin që nuk dinte çfarë të bëjë me të tillët që dilnin në binë, por në siklet ishin edhe krijues të tjerë të mirëfilltë të pranishëm në sallë, që i kapte monotonia, dhe mbi të gjitha adhuruesit e fjalës së shkruar, që kishin ardhur për t’u mbushur me kënaqësi duke pritur të dëgjojnë poezi të mira, ndërkohë që për disa raste, kënaqësinë e gjenin vetëm kur përfundonin ato “poezi”.
Besoj se të gjitha ata krijues e adhurues të sinqertë, që ishin pjesë e kësaj Ore, pajtohen se aty lexuan me dhjetëra poetë, por se vlerë u pa shumë pak dhe po të kishte paraprakisht ndonjë juri seleksionuese e punimeve që do të mund të lexoheshin, vështirë se do përzgjidheshin gjysma e tyre.
E pikërisht, seleksionimi paraprak nga një juri e përgjegjshme do të ishte hapi i domosdoshëm për “Penën…” e ardhshme të Flakës, për të bërë të mundshme që jo edhe bash gjithkush dhe bash çfarëdo krijimi të lexohej në Orën e Flakës.
Hiq, disa krijime të mira, në përgjithësi vlera e kësaj Ore Letrare ishte e tillë që tek masa e pranishme më së tepërmi nxirrte batuta sesa krijonte ndonjë emocion të mirë, natyrisht me përjashtim të disa prej poezive që ishin për t’u vlerësuar dhe ta kishte ëndja t’i dëgjoje, sepse për pak qaste ndjeje një fllad shpirtëror.
Ndryshe, disa prej gjërave të këqija që po e përcjellin Orën Letrare në vazhdimësi janë edhe ato që ndonëse ky është një aktivitet me karakter garues, dalin poetët që lexojnë duke u vet deklaruar se poezitë e tyre janë jashtë konkurrencës. Kështu nisi bile edhe kjo Orë e sotme Letrare. Pastaj, ka të tillë që është kot t’u thuash që t’u shmangen urimeve, falënderimeve e fjalimeve, por thjeshtë vetëm të deklamojnë poezitë e tyre, sepse ata, prapë se prapë, e bëjnë të tyren, nuk mërziten hiq. E, më e keqja prej të këqijave është ajo kur “poetit” nuk i intereson masa që ka ardhur me dëgjua dhe nuk i bënë përshtypje se e ‘torturon” atë masë, por thjeshtë këtij soji “poeti”, i mjafton vetëkënaqësia.
Disa përshtypje për atë që dëgjoja sot nga publiku.
Kur doli një poete, në skenë, komenti i një adhuruesi në publik për ata që i kishte pranë ulur ishte ky: “Po që se e duron këtë poete, atëherë u lexua çfarë u lexua, po ju garantojë se keni me qëndrua deri në fund!”.
Apo, komenti i një të riu pasi përfundoi Ora Letrare: “Lidhje nuk kam me poezi, por nuk e di, disi sonte jam kënaq t’u qesh, Mungoi loja me drita për t’u ndier sikur të isha duke e përcjellë një komedi!”.
Apo, komenti i një tjetri, që edhe vet ishte deklamues, por që pranoi se nuk pati vlerë në këtë Orë. “Nëse juria më shpallë fitues do të them se nuk isha më i miri, por nuk pati më të mirë!”.
Apo edhe batuta të tilla që Orët e ardhshme letrare duhet të bëhen nën praninë e policisë, e cila në raste-raste, edhe do të intervenonte duke arrestuar “poet” për prishje të rendit dhe qetësisë publike.
Nuk mungoi as batuta që u dëgjua në publik në lidhje me atë se Gjilani nuk po i respekton ligjet që po i nxjerrë Kuvendi i Kosovës, pasi me këtë Orë e theu ligjin kundër zhurmës, dhe edhe plotë batuta të tjera.
E kur jemi te konkursi letrar për poezi e prozë, atë që nuk po mund të e kuptojë akoma, është ajo që juritë po vazhdojnë të i ndajnë çmimet përgjysmë, edhe pse konkursi është i qartë dhe se ata e dinë që në mesin e punime konkurruese duhet të zgjedhën tri poezitë më të mira që duhet ranguar me vendin e parë, të dytë e të tretë, dhe e njëjta vlen edhe për prozë.
A janë të paftë juritë që nuk po munden të vlerësojnë e të përcaktohen se cila nga dy poezitë përkatësisht tregimet, që po e ndajnë një çmim e meritojnë të vetme atë pozitë e tjetra pastaj të radhitet për një vend më poshtë, apo çfarë është në pyetje, ndoshta do ta mësojmë ndonjëherë
Gjithmonë juria është tek në përbërje andaj pse të përzgjidhen dy punime, shembull për pozitën e dytë, siç ndodhi edhe kësaj here, në vend se të votohet për këto dy punime dhe njëra të përcaktohet për pozitën e dytë dhe tjetra automatikisht të jetë e treta.
Pastaj, “Pena e Flakës”, pjesa e konkursit letrar, nuk duhet të jetë thjeshtë vetëm aktivitet i komunikimit të rezultateve. Duhet të jetë aktivitet kulturor në vete, ku ka kreativitet dhe ja vlen të shkohet për t’u parë, e rezultatet pastaj vetëm e plotësojnë atë aktivitet kulturor
Sidoqoftë, pa e zgjatur më tepër, është ky një reflektim i përgjithshëm, ndoshta sipërfaqësor, menjëherë pas përfundim të Orës Letrare, por që vlerësojë se ishte një Orë e prishur, nga organizatori, e mbi të gjitha nga vet poetët. Me këtë nuk dua ta gjykojë kënd, por vetëm ta nxjerrë në pah këtë çështje me të cilët ndoshta do të ishte mirë të merren vet krijuesit dhe njohës të kulturvs, për ta dhënë vlerësimin e tyre, me të vetmin qëllim që ta kemi një aktivitet të tillë ku do të dominojë vlera dhe ku të gjithë ata që e duan vargun poetik të vijnë e të kënaqen për një çast, e jo të jetë një lloj “fruthi” që na bije se nuk mund t’i shmangemi, e që pastaj duhet kaluar disi. /2lonline/
/Muhamet HALILI/