Tre liderët e partive opozitare janë deklaruar pas takimit që kanë pasur në selinë e AAK-së, në lidhje me propozimin e Isa Mustafës për dialog. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se duhet të anulohen marrëveshjet dhe të lirohen deputetet, pastaj të diskutohet.
“Diskutuam për propozimin e Mustafës.
Ky propozim do të kishte kuptimin sikur të bëhej më 26 gusht, pas nënshkrimit të marrëveshjeve. Ne nuk e pranojmë një takim të tillë. Ne kemi një propozim për kryeministrin: anulimi i marrëveshjeve dhe lirimit të deputetëve”, ka thënë Haradinaj.
Ndërsa kryetari i VV-së, Visar Ymeri ka thënë se s’ka normalitet pa anulimin e marrëveshjeve.
“Qendrimi i tri subjekteve është i qartë. Secili prej nesh jeni të vetëdijshëm për qëllimin e protestës. Pra kundërshtimi i marrëveshja. Qeveria është tallur me këtë Republikë. S’ka rrugëdalje tjetër pos kthimit të Kosovës në normalitet, e normaliteti vjen pas anulimit të marrëveshjeve”, ka thënë Ymeri, raporton Indeksonline.
E i pari i NISMA-s, Fatmir Limaj ka thënë se oferta e Mustafës është jo serioze dhe nuk pranojnë të dialogojnë.
“Unë e ftoj Mustafën dhe të tjerët që të jenë më serioz me ftesa të tilla. Kjo është një ftesë më tepër formale e shtyrë nga dikush tjetër. Shpresoj qe ata do ti marrin seriozisht kërkesat tona”, ka thënë Limaj në konferencën për media.