Gjilan – (2LONLINE) – Duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, të hënën Gjykata Themelore në Gjilan, Departamenti i Krimeve të Rënda, përmes gjyqtarit procedurës paraprake Afrim Shala,i ka caktuar paraburgimin në kohëzgjatje prej 1 (një) muaj të pandehurit Sllobodan Jovanoviq, nga fshati Vërboc, Komuna e Kllokotit, për shkak të veprës penale kanosja e kandidatit, nga neni 211 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). I pandehuri dyshohet se këtë vepër penale e ka kryer ndaj të dëmtuarit Sasha Marinkoviq, kandidat për kryetar të Komunës së Kllokotit, si dhe ndaj të dëmtuarit Djej Ajeti.
Ndaj të pandehurit Sllobodan Jovanoviq, nga fshati Vërboc, Komuna e Kllokotit, është caktuar paraburgiminë kohëzgjatje 1 (një) muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit 26.10.2013 dhe t’i zgjasë deri më datën 26.11.2013, konform dispozitave të nenit 187 paragrafi 1 nënparagrafët 1dhe 2, pika 1.2.2 dhe 1.2.3 të Kodit të Procedurës Penale (KPP).
Në rastin konkret paraburgimi është caktuar ngase janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për një gjë të tillë, e në veçanti për shkak të faktit se duke i marrë për bazë natyrën e veprës penale; cilësitë personale të pandehurit; si faktin se prokurori i shtetit ka filluar hetimet dhe lidhur me këtë do të dëgjohen të dëmtuarit Sasha Marinkoviq, si dhe Djej Ajeti, me të vërtet ekziston rreziku real që i njëjti do të mund të ndikoj në këta të dëmtuar.
Përveç këtyre, duke e marrë për bazë faktin se më datën 03.11.2013, do të mbahen zgjedhjet në Republikën e Kosovës; se kjo vepër penale dyshohet se është kryer për motive politike, ngase i pandehuri është simpatizantë i partisë politike “Samostralna Liberalna Stranka (SLS)”, ndërsa i dëmtuari Sasha Marinkoviq, është kandidat për kryetar të Komunës së Kllokotit, nga partia “Narodno Jedinstve (NJ)”;vendin dhe kohën kur është kryer kjo vepër penale; se nga kallëzimi penal i Policisë shihet se ndaj të pandehurit janë iniciuar edhe procedura tjera për 3 vepra penale tregojnë rrezikun real, se po që se i njëjti tani në këtë fazë të procedurës penale do të gjendej në liri, do të mund të përsërisë veprat penale të natyrës së njëjtë apo do të mund të kryejë ndonjë vepër tjetër penale. /2lonline/