U bë përurimi i librit të Islam Osmanit “Monografia e hafëzëve të Anamoravës”
Gjilan – (2LONLINE) – Në ditën e tretë të Panairit të librit në Gjilani (2013), i cili panair u organizua për të 41 herë me radhë, u bë përurimi i librit të Islam Osmanit “Monografia e hafëzëve të Anamoravës” autor gjilanas. Ky përurim i librit ishte i fundit për këtë Panair të librit, ku, kësaj here nuk mungoi interesimi i kulturodashësve për të dëgjuar e përcjellur këto evenimente të rëndësishme të kulturës sonë.
Agim Hyseni, përfaqësues i Bashkësisë Islame, në Gjilan, me dy-tri fjalë e nisi përurimin e librit duke i përshëndetur të pranishmit artdashës, si një, të cilët ishin ardhur të dëgjonin fjalë përuruese për librin monografik të Islam Osmanit, publicist e krijues nga Gjilani. E Sylejman Osmani, kryetar i BI në Gjilan, i cili tha se, karvani i aktiviteteve të Panairit të librit s’ka të ndalur, ku, kësaj here, edhe ne po gjendemi në një Odë të madhe të KK të Gjilanit, vend ku po na afron dhe po na bashkon shpirtërisht me të gjithë njerëzit që po krijojnë vlera të zhanreve të ndryshme të jetës shkrimore.
“Unë, sot, e ndjej vetën shumë të relaksuar, për faktin se, edhe ky përurim i librit të kolegut tonë, Islam Osmanit, gjilanas, po gjen vendin e duhur për t’ju bërë një nderim ashtu si e meriton”.
Ndërsa, Xhymshit Osmani, drejtor i Bibliotekës Ndërkomunale “Fan S. Noli” në Gjilan, tha se libri, si krijim arti e shkence jo vetëm që na afron dije e dituri, por edhe na shpalos jetën tonë dhe librit ti ipet vendi i merituar, se ka vlera të dijes e diturisë të pakufi.
“Na ka dhënë mundësia që libri të përurohet aty ku e ka vendin dhe ku e afron masën e tij, kjo e vlen më shumë”. Prof. Asoc. Dr. Fahrush Rexhepi, në vështrimin e tij tha se, “libri i autorit Islam Osmani me titull “Monografia e hafëzëve të Anamoravës”, të cilin po e promovojmë sot, shpalos të dhëna të shumta që ndërlidhen me jetën, biografinë dhe kontributin e hafëzëve të Anamoravës, të cilët, edhe pse në kushte të vështira të punës e të jetës, ata ia kishin dalur që me shumë përkushtim dhe devotshmëri ti kryenin kurset e hafëzit dhe kështu ta mësonin Kur’ranin përmendësh.
Ishte kjo një punë e vështirë, por e vullnetshme e tyre”. Ai, duke folur për punën e tyre të vlefshme në rrugëtimin e ndriçimit të dijes, shtoi edhe këtë se, “Gjatë gjithë shekullit XX, në trevat e Anamoravës së Gjilanit, ishin angazhuar shumë hoxhollarë, hafëzë e myderrizë të njohur të kësaj ane, të cilët, edhe në periudha të më hershme, siç dihet, kanë nxjerrë nga mesi i tyre hafëzë të Kur’anit, si janë: Hafëz Iliaz Selmani, nga Gjilani, por i ardhur nga fshati Cërnicë; Mulla Ramadani nga Dobërqani, Mulla Bilall Hyseni nga Llovca, Mulla Hysen Latifi nga Topanica, Mulla Nazmi nga Rahivica e Preshevës, Hafëz Hexhati Myderrizi nga Presheva e disa të tjerë”.
Profesor dr. Farush Rexhepi, duke folur për librin në fjalë, ai u ndalë edhe në disa të dhëna të tjera të librit të I. Osmanit, ku tha: “Në këtë monografi, autori, me punën e tij hulumtuese e shkencore, por edhe analitike e përshkruese, ka prezantuar jetën dhe kontributin e 30 hafëzëve duke përshkruar jetën e tyre me një sy kritik, mandej peripetitë dhe sfidat e jetës së tyre gjatë gjithë periudhave të shërbimit nëpër xhami dhe nëpër institucione të tjera fetare”.
Në fund të vështrimi të tij rreth librit të Islam Osmanit, ai tha se, monografia në fjalë, “si për nga periudha kohore, që trajton rrugëtimin e ndriçimit të dijes, përbën një arritje të pakontestueshme të autorit, por, gjithashtu, kjo është, para se gjithash, edhe një vlerë fetare, kulturore e historike dhe e pamohueshme. Në tërësi, fryma e monografisë është afirmative për këtë vlerë të rëndësishme për kulturën tonë jo vetëm fetare, por edhe kombëtare.
Monografia do të jetë një vlerë me interes për shumë lexues dhe studjues të kulturës islame, jo vetëm ne regjionin e Anamoravës, por dhe më gjerë”. E, Nexhat Rexha, profesor dhe studjues letërsisë, tha se, “Në librin monografik të autorit Islam Osmani “Monografia e Hafëzëve të Anamoravës”, janë pasqyruar e vështruar 29 hafëzë të kësaj treve të Anamoravës, të cilët kanë arritur, që me morien e tyre të artikulojnë e ruajnë porosinë e Zotit ndër breza.
Pra, autori në këtë libër publicistik e dokumentar ka paraqitur biografitë e këtyre personaliteteve, sa fetare, aq edhe kombëtare, sepse, interpretimi i drejtpërdrejt i Kur’anit dhe ruajtja e fjalës origjinale, ka bërë që njeriu ka zënë të ruajë në qenien e tij në dy gjëra, me të cilat e kanë ushqyer shpirtin e tij. E para, mësimi i Kur’anit në gjuhën arabe, kjo do të thotë se, ata e kanë bërë që ta ruajnë anën burimore të fjalës dhe mesazhet nga perëndia, për të përhapur nga profeti Muhamed, si dhe për të arritur e depërtuar në të gjitha gjuhët e botës, pra tek popujt e civilizuar.
Në libër, lexuesi mund të pasurohet edhe me njohje të reja, sepse aty (në libër) pasqyrohet e ndriçohet edhe gjeografia shqiptare, në të cilën arrijmë të kuptojmë se mësimi i Kur’anit përmendësh ka shtrirje në të gjitha trevat ku jetojnë besimtarët e fesë Islame. Pra, mësimi i Kur’anit ka tradirtë ndër intelektualët shqiptarë, sepse ai ka krijuar treditën dhe dhe bindjen e vazhdueshme për të gjitha gjeneratat që i kanë hyrë kësaj pune të vështirë, por të mundshme e të arritshme, besoj”. N. Rexha, duke përmbyllur ligjëratën e tij me titull “Memoria në verdiktin e disa brezave”, pos tjerash, ka thënë se, “libri i Islam Osmanit është një përpjekje e rrallë e kësaj fushe të dijes, për faktin se, askush gjër më sot nuk ka bërë ndonjë hulumtim të tillë rreth këtyre personaliteteve të një kohe të rëndë e me shumë sfida, të cilët, jo vëtëm janë shkolluar këto personalitete për vete, por ata, njëkohësisht, ishin shkollarë të brezave që erdhën me kohën për të përhapur dije e dituri tek njerëzit që e adhuruan fjalën: fenë e atdhenë.
Autori, Islam Osmani ka bërë një libër që do ti shërbejë shkencës sonë dhe, në një mënyrë a tjetër, ai me këtë monografi e ka begatuar atë me disa biografi të këtyre personaliteteve shqiptare, të cilët i kanë shërbyer këtij vendi me devotshmëri dhe besim të paluhatshëm për një ditë të ardhmes së ndritur. Autorit i uroj shumë suksese dhe krijimtarisë së tij publicistike e letare, ngritje në lartësi të reja!”
Edhe Sabri Bajgora, një njohës i mirë i kësaj fushe të dijes, njëherit Kryeimam i Republikës së Kosovë, në parathënien e këtij libri, shton: “ Ky libër, le të jetë shembulli edhe për studjuesit e tjerë, që të ndjekin shembujllin e Islam Osmanit, sepse, çdo përpjekje e tillë, jo vetëm se do ta begatojë bibliotekën islame shqiptare, por njëkohësisht do të hedhë në dritë edhe të kalurën tonë të lavdishme”.
Në fund, autori i librit, Islam Osmani tha se, “jam tejet i shokuar nga këto fjalë që mi thanë ligjëruesit, prandaj, e kam vështirë të shtoj më tepër. “U thanë shumë fjalë miradie, të cilat më kurajojnë edhe më që të tilloj të shkruaj edhe vepra të tjera. Unë u jam falenderues për të gjitha fjalët e lexuara për librin tim. Shihni, tha Osmani, – vepra ime është unikate dhe, sa e dij unë, asnjë nuk ka shkruar ndonjë vepër të këtillë. Por, nëse më pyesni se si erdhi gjer te shkrimi dhe botimi i kësaj vepre, padyshim po ju them se, ideja më lindi aty-për aty. Ia fillova dhe libri e pa dritën me poroso të thellë: “Mos u largoni nga feja e atdheu!” Këtu kam shkruar për njerëzit që e kanë jetuar jetën e tyre 100-vjeçare. Jam gjendur në shumë ndeja me njerëz të këtill, hafëza të shkolluar, të cilët e kanë ndihmuar popullin dhe brezat ndër shekuj për të mësuar gjuhën, se ishin dijetarë të kohës. Në këtë kohë, si tha ai,- kur erdhi mësuesi i shquar i asaj kohe, Hasan Dyngjeri nga Shqipëria, ai këtyre hafëzave ua ka mësuar për herë të parë edhe gjuhën shqipe. Ky ishte njeri me dije dhe, rruga e dijes erdhi me të tillë njerëz të rrallë, të cilët dhanë nga veti rreze drite në shumë mese të vendit tonë, madje edhe në Anamoravën e Gjilanit e më gjerë”, shtoi në fund, Islam Osmani, autor i librit në fjalë./Tefik Selimi/