Gjilan – (2LONLINE) – Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se në statistikat policore, vetëm brenda një jave, në Rajonin e Gjilanit janë regjistruar 49 incidente të natyrave të ndryshme ndërsa ka pasur 29 të arrestuar. Ndërsa sa i përket aksidenteve të trafikut janë regjistruar 32 të tilla.
Zëdhënësi Hashani, ka bërë me dije se gjatë periudhës shtatë ditore, në këtë rajon ka pasur 32 aksidente trafiku nga të cilat 12 me lëndime në njerëz dhe 20 aksidente trafiku me dëme materiale, por pa lëndime, derisa janë shqiptua 522 tiketa gjobitëse për ata që nuk kanë respektuar ligjin.
Përndryshe, autoritetet policore të Rajonit të Gjilanit kanë kërkuar nga ngasësit e automjeteve që të shtojnë kujdesin dhe të jenë pjesë e komunikacionit konform ligjit duke i respektuar të gjitha rregullat. /2lonline/