(2L ONLINE) – Gjilanin e ndajnë 90 minuta nga titulli vjeshtor dhe një hapit gjigant drejt rikthimit në elitën e futbollit kosovar. Kjo pasi këtë vikend skuadra e drejtuar nga Musa Selimi ka regjistruar një fitore me shumë vlera duke e mposhtur në udhëtim Ramiz Sadikun me shifra të pastra, (0:2).
Tjetër tre pikësh me rëndësi për Gjilanin vjen një javë para përfundimit të stinorit vjeshtor në Ligën e parë të futbollit në vend. Por, siç duket ky do të jetë viti i fundit që gjilanasit do të bëjnë gara në këtë ligë pasi nga viti i ardhshëm statusi do të ndryshojë në Superligë.
Krejt kjo vjen falë rezultateve fantastike të arritura nga futbollistët e udhëhequr nga Musa Selimi që këtë vikend ‘’korrën’’ suksesin e radhës. Përballë kishin skuadrën e Ramiz Sadikut që e shpartalluan për 45 minuta lojë duke shënuar dy herë në këtë periudhë kohore.
Triumfi i 10-të, i gjilanasve këtë edicion mbanë ‘’vulën’’ e Lirian Feratit dhe Vllaznim Jasharit që realizuan për tri pikët e radhës.
Golat
Ndeshja nisi e niveluar me dy skuadrat që testuan njëra tjetrën. Sulmi më i mirë i ligës kishte përballë mbrojtjen më të mirë të ligës, mirëpo që u thye në fundin e pjesës së parë.
Goli i parë në ndeshje erdhi në minutën e 39, të cilin e solli Lirian Ferati pasi bukur u shkëput me kokë dhe me një gjuajtje të saktë ia del ta mposhtë gardianin Ismajli për herë të parë. Vetëm dy minuta më pas, gjilanasit shënojnë edhe njëherë ama çfarë goli se.
Nga një distancë prej më se 25 metrave, Vllaznim Jashari ka qëlluar portën e Ismajlit duke e mbështetur topin për rrjetën e ‘’ndërtimtarëve’’ për të dytën herë në ndeshje.
Kaç i mjaftoi futbollistëve të Gjilanin që ta kryen punën pasi deri në fundin e pjesës së parë nuk pati ndonjë rast tjetër.
Pjesa e dytë e lojës ishte vetëm formalitet pasi vendasit nuk arritën të thyenin mbrojtjen udhëtuese, ndërkohë gjilanasit i patën dy mundësi të tjera përmes Feratit dhe Kosumit për ta thelluar epërsinë, por mjaftuan dy golat e pjesës së parë që të marrin pikët e plota nga ky ballafaqim.
Fitore me meritë
‘Timonieri’ i gjilanasve, Musa Selimi, tha se skuadra e tij me meritë korri fitore. “Edhe para lojës kam thënë se do të jetë një ndeshje e vështirë sepse Ramiz Sadiku, ka një ekip të ri dhe që vrapojnë shumë. Në këtë takim mbizotëruam dhe me plotë meritë arritëm fitore”, deklaroi Musa Selimi.
Gjilani kryeson renditjen një javë para fundit të stinorit vjeshtorë me 31 pikë dhe vikendin e ardhshëm e pret skuadrën e KEK-ut një tjetër pretendente për Superligë, ndërkohë Ramiz Sadiku pas kësaj sfide ndodhet në vendin e tetë me 19 pikë të tubuara.
Ramiz Sadiku – Gjilani 0:2
Stadiumi i Ramiz Sadikut në Prishtinë
Shikues: 100
Gjyqtarë: B. Batalli, H, Llallo, S. Reçica. KV: – Maliqi, Jashari
Shënues: Ferati 39’, Jashari 41’
Ramiz Sadiku: Ismajli, Bekaj, Abdullahu, Rama (Dulahu), Halili, T. Sinani, Marniku, A. Sinani (Islami), Shabani (Rama), A. Gashi, D. Gashi. Trajner: Agron Mecinaj.
Gjilani: Maloku, Maliqi, Hyseni (Arifi), Emini, Kosumi, Mustafa, Shaqiri, Sermaxhaj (Morina), Jashari, Blakçori, Ferati (Ibërdemaj). Trajner: Musa Selimi.
/Drilon SYLEJMANI / 2L ONLINE/
/fotoarkivi/