(2LONLINE) – Vendimi për heqjen e klasave të trembëdhjeta, ditëve të fundit, zgjoi një debat bukur të zhurmshëm në mjetet e ndryshme të informimit. Debatuesit ishin gazetarët, servilët e pushteteve e partive të ndryshme, anëtarët dhe përfaqësuesit e partive, të dërguarit e partive në komitetet e arsimit, arsimtarë të prekur nga reduktimi i vendeve të punës e të tjerë tipa si këta, po jo edhe ekspertë të arsimit, të cilët, nga një nivel i lakmueshëm dijesh dhe nga një pikëshikim i arsyeshëm arsimor do ta shqyrtonin arsyeshmërinë, apo joarsyeshmërinë e heqjes së klasave të trembëdhjeta.
Në debatet e deritashme është shprehur vetëm kundërshtimi për heqjen e klasave të trembëdhjeta. Kundërshtuesit dhe alarmuesit e vendimit për heqjen e klasave të trembëdhjeta, si argument të tyre kanë zvogëlimin e numrit të vendeve të punës në arsimin e mesëm të lartë, pra mbetjen e disa arsimtarëve pa vende pune, si dhe, në kohë të fundit, edhe argumentin tjetër se me heqjen e sivjetshme të klasave të trembëdhjeta, do të ndodh një ngulfatje në arsimin universitar.
Vëzhguesit e sotëm të arsimit, alarmimi dhe kundërshtimi i vendimit për heqjen e klasave të trembëdhjeta, nuk mund të mos i habisë, për një varg arsyesh.
E para, alarmuesit dhe kundërshtuesit e vendimit për heqjen e klasave të trembëdhjeta nuk janë dukur gjëkundi, as iu është dëgjuar kund zëri, lidhur me problemet në arsim, ndonëse këto vitet e fundit kemi pasur aq shumë probleme shqetësuese. Gjithashtu, alarmuesit dhe kundërshtuesit e vendimit për heqjen e klasave të trembëdhjeta nuk janë njohës të mirë të problemeve të arsimit (anipse ndonjë, si i,e dërguar i,e partisë, mund të jetë edhe ndonjë anëtar,-e i,e komitetit komunal të arsimit, pse ndonjë nga ata ka punuar pak vjet në arsim ose pse ndonjë nga ata ka provuar të bëjë punën e gazetarit etj.).
E dyta, alarmuesit dhe kundërshtuesit e vendimit për heqjen e klasave të trembëdhjeta nuk
e kanë idenë se kohëzgjatja e një niveli arsimor, siç është në këtë rast edhe vazhdimi i ekzistimit ose jo të klasave të trembëdhjeta, duhet të shikohet e arsyetohet me nevojën, interesin, synimet dhe rëndësinë arsimore te tij dhe jo me shkaqe e nevoja joarsimore, siç janё shkaqet sociale, si nevoja e punёsimit dhe zgjidhja e problemeve sociale.
Të kërkosh sot që nxënësit e një gjenerate t’i ndash nga gjenerata e tyre dhe t’ua pengosh ecjen edhe për një vit të tërë, siç janë në këtë rast nxënësit e klasave të trembëdhjeta dhe kjo, jo duke arsyetuar me nevoja arsimore, po me shkaqe krejt të tjera, joarsimore, siç është në këtë rast nevoja e sigurimit të vendeve të punës dhe e zgjidhjes së problemeve sociale të shoqërisë, domethënë të bësh një diskrimin tejet të madh, pra edhe një gjë tejet të papranueshme. Nёse ndodh kjo, atёherё nuk mund tё mos shtrohet pyetja: pёr çka ёshtё shkolla?! Kujt duhet t’i shёrbejё ajo?! Mos ёshtё shkolla, nё radhё tё parё, njё institucion pёr zgjidhjen e problemeve sociale nё shoqёri, nё vend se njё institucion arsimimi dhe edukimi?! E të tjera.
Ne, nga sa kemi vërejtur gjer më sot, mendojmë se ekzistenca e klasave të trembëdhjeta nuk është e arsyeshme (ose është e arsyeshme për aq sa është e arsyeshme edhe ekzistimi i klasave të trembëdhjeta edhe për të gjitha drejtimet e arsimit të mesëm të lartë). E arsyeshme dhe shumë e nevojshme, ndërkaq, është vështrimi dhe përcaktimi i numrit të orëve mësimore, sipas rëndësisë së lëndëve, në drejtimet e caktuara. Mungesa e klasës së trembëdhjetë mund të mos ndjehet fare me shtimin, në klasёn XI e XII, tё ndonjë ore mësimore, për lëndët e drejtimeve të cilat tani i kanë klasat e trembëdhjeta.
Problemi i humbjes së vendeve të punës, shkaku i heqjes së klasave të trembëdhjeta, nuk është edhe aq alarmant, sa na paraqitet nga ndonjë që është prekur vetë nga një dukuri e tillë dhe nga ata që alarmojnë problemin nga motive të caktuara klanore, partiake e tё tjera. Pjesa dërrmuese e punëtorëve që humbin vendet e punës, me rastin e heqjes së klasave të trembëdhjeta, shumë shpejt mund të absorbohen nga nevojat arsimore të komunave.
Mënjanimi i disa të metave, si regjistrimi i nxënësve përtej normës në paralelet e gjimnazit e të mjekësisë dhe mungesa e zbatimit të planit të regjistrimit të nxënësve në shkollat e drejtimet e ndryshme, jo vetëm që do të ofronte një arsimim të nevojshëm të shoqërisë, po edhe do të krijonte mjaft vende pune në fushën e arsimit. Një numër i vogël i punëtorëve të tashёm tё arsimit, të profilit joarsimor, siç janё mjekët, inxhinierët etj., po ashtu, mund të gjenden në fushën e profesionit të vet.
Numri i shtuar i maturantëve të sivjetshëm, për shkak të heqjes së klasave të trembëdhjeta, mund të gjejë vend për studim në gjithë ato universitete të shumta që ka Kosova, po edhe në universitete të tjera, jashtë Kosovës. Sot, fatbardhёsisht, këtë e mundёsojnё kufijtë e kalueshëm si dhe qarkullimi i lehtё. Por, sido që të jetë, nuk është aspak e arsyeshme që, për shkak të problemeve aspak arsimore, të cilat i përmendin alarmuesit dhe kundërshtarët e heqjes së klasave të trembëdhjeta, nxënësve t’ua zgjasim shkollimin e mesëm edhe për një vit të tërë. Zgjatja e shkollimit në një nivel të caktuar shkollimi duhet arsyetuar vetëm me arsye arsimore dhe assesi me arsye joarsimore.
Prandaj, vendimi për heqjen e klasave të trembëdhjeta, përderisa nuk kundërshtohet vetëm me nevojën e mbetjes së tyre për shkaqe arsimore, është vendim i arsyeshëm dhe i mirё pёr t’u zbatuar.
Nuhi Ismajli