(2LONLINE) – Ansambli i këngëve dhe valleve Kemajl Azizi nga Vitia si nikoqir i festivalit Flakadani i Karadakut, ka hapur festivalin gjithëkombëtar të këngës dhe valles shqipe Flakadani i Karadakut 2014, ku po marrin pjesë grupe të ndryshme nga gjitha trevat shqiptare.
Duke shpallur të hapur këtë Festival, kryetari I Vitisë Sokol Haliti ka theksuar se festivali i Ansambleve dhe shoqërive konsiderohet si ngjarja më kulmore e gjithë Manifestimit Flakadani i Karadakut.
“Defilimi në këtë skenë, i qindra artistëve, solistëve e valltarëve, është një nderim që na e bëjnë vëllezërit dhe motrat tona nga trevat mbarë shqiptare, të cilët me pjesëmarrjen e tyre nderojnë figurën madhore të Njazi Azemit-komandant Mjekrrës, nderojnë qytetarët e komunës së Vitisë dhe nderojnë gjithë shqiptarinë.
Në netët e ardhshme, në këtë skenë do të prezantohen vlerat e mirëfillta të melosit tonë popullore, ku secili Ansambël dhe grup pjesëmarrës i këtij festivali, do të sjellë me vete traditat e trevave të tyre prej nga vijnë”, u shpreh Haliti. Me repertorin e tyre, në natën e parë u paraqitën AKV Kemajl Azizi që janë jashtë konkurrencës,
Ansambli “Ibe Palikuqi” nga Shkupi, Bajram Curri nga Prishtina dhe Ansambli Bajram Shabani nga Kumanova. Prezentimi i traditave dhe koloriti i valleve të këtyre shoqërive, u pritë me kërshëri nga të pranishmit të cilët i duartrokiten atyre për prezantim të suksesshëm.
Festivali Flakadani i karadaket 2014 si zakonisht edhe sivjet ka karakter garues dhe do të jepen shumë çmime të cilat do të vlerësohen nga juria profesionale në përbërje Rexhep Munishi etnomuzikolog, Sami Piraj muzikolog dhe kompozitor dhe Zija Aliu valltar.
Ndërkaq në natën e dytë në program do të jenë ShKA Dasma nga Pozherani, Shoqëria “Drita e Dervenit” nga Saraji i Shkupit, SHKA “Presheva Jehon” nga Presheva, Jonuz Ramadani nga Smira dhe Ansambli “Gjilani” nga Gjilani. Kurse në natën e tretë do të paraqiten SHKA “Koha” nga Tuzi i Malit të Zi, AKV “Emin Duraku” Shkup, AKV “Nakem” nga Bursa e Turqisë, SHKA “Shotë Galica” Drenas dhe AKV “Tirana” nga Tirana. /2lonline/
/fotoilustrim/