Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq ka thënë se Qeveria në Beograd po u bën thirrje serbëve të Kosovës të dalin në zgjedhje sepse ajo dëshiron që t’i japë atyre legalitetin e duhur kur të diskutohen problemet e tyre me BE-në, komunitetin ndërkombëtar dhe Prishtinën.
Beogradi dëshiron që institucionet e Serbisë në Kosovë të ndalen së trajtuari si institucione paralele dhe të fillojnë të shihen si institucione të zgjedhura në vijë me rregullat e BE-së.
“Mendoj se kjo është mënyra e vetme për t’i mbrojtur plotësisht serbët e Kosovës, për t’i integruar ata në sistem, pasi që ne jemi duke folur në terma të Kushtetutës së Serbisë dhe autonomisë esenciale për Kosovën dhe Metohinë, siç parashihet me Kushtetutën e Serbisë dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB’së”, ka thënë Presidenti serb, në një intervistë për Wall Street Journal.
Nikoliq shpjegoi se listës së bashkuar serbe nuk i është dhënë e drejta për të pasur anëtarin e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Prishtinë apo në komisione zgjedhore nëpër komuna prandaj, sipas tij, ajo nuk do të jetë në gjendje ta përcaktojë rregullsinë e këtyre zgjedhjeve, transmeton express.
Ai tha se deri më tani, rreth 40 mijë votues janë regjistruar në Serbi dhe KQZ e Kosovës ka rishikuar rreth 11 mijë aplikacione dhe ka pranuar si të vlefshme vetëm rreth 200 prej tyre.