Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq ka ngrirë pjesëmarrjen në një takim trepalësh ndërmjet Serbisë, Turqisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, në pritje të një kërkim faljeje nga ana e Turqisë, për shkak të deklaratave të Erdoganit, të bëra në Prizren, se “Kosova është Turqi”, ka njoftuar Zyra për Shtyp e Presidencës së Serbisë.
“Kur mora funksionin e Presidentit, kam trashëguar edhe marrëdhëniet e mira me Turqinë, të vendosura nga paraardhësi im Boris Tadiq. Kam provuar që këto marrëdhënie t’i kthej në miqësi mes dy popujve. Tërë kohën i kam thënë presidentit të Turqisë se, së paku, nuk është sjellje e mirë që zyrtarët e Turqisë të kërkojnë nga shtetet tjera ta njohin ‘pavarësinë’ e Kosovës”, ka thënë Nikoliq.
Sipas presidentit serb, ‘skandali të cilin e bëri’ në Prizren kryeministri turk është i rëndë dhe dëmton marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve dhe përbën ‘mosrespektim të sovranitetit të Serbisë’.
Nikoliq thotë se idetë e Kemal Ataturkut nuk janë më ide të udhëheqjes turke. “Pres që Turqia të tregojë mirëkuptim dhe t’i kërkojë falje Serbisë për këtë agresion pa armë”.