Gjilan – (2LONLINE) – Duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, Gjykata Themelore në Gjilan, Departamenti i Krimeve të Rënda, gjyqtarja e procedurës paraprake, ka caktuar paraburgim në kohëzgjatje prej një muaj të pandehurve Dejan Tomiq nga Gjilani me vendbanim në Komunën e Ranillugut, për shkak të veprës penale dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimet nga neni 215 paragrafi 3 lidhur me paragrafi 1 të KPRK-së, dhe të pandehurit, Sasha Aleksiq nga Komuna e Ranillugut, për shkak të veprës penale dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimet nga neni 215 paragrafi 2 të KPRK-së.
Ndaj të pandehurve Dejan Tomiq dhe Sasha Aleksiq caktohet paraburgimi në kohëzgjatje prej muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit, konform dispozitave të nenit 187 paragrafi 1 nënparagrafët 1 dhe 2, pika 1.2.1 dhe 1.2.3 të Kodit të Procedurës Penale (KPP).
Siç bënë të ditur Zyra për Informim e Gjykatës Themelore në Gjilan, nga kërkesa e paraqitur dhe nga shkresat e kësaj lënde, gjyqtarja e procedurës paraprake ka vlerësuar se janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore të parapara në nenin 187 të KPP për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurëve Dejan Tomiq dhe Sasha Aleksiq. Kështu, në rastin konkret ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit i kanë kryer veprat penale për të cilën dyshohen, gjë që mund të vërtetohet pjesërisht nga deklarata e të pandehurëve, raportet e oficerëve policor, si dhe shkresave tjera të lëndës, arsye këto të paraparë në nenin 187 paragrafi 1 nënparagrafi 1 të KPP.
Përveç kësaj, në rastin konkret janë plotësuar edhe kushtet që parashihen në nenin 187 paragrafi 1 nënparagrafi 1 pika 1.2.1 të KPPRK-së, ngase ekziston frika e bazuar se po që se të njëjtit do të mbroheshin në liri mund të fshihen, ikin apo ti qasen arratis, sidomos kur kemi parasysh kufijtë e brishtë administrativ dhe faktin se të njëjtit mund të kalojnë lehtë kufirin e të shkojnë në Serbi, e në këtë mënyrë do ti shmangeshin përgjegjësisë penale e njëkohësisht do të pengonin rrjedhën normale të procedurës penale.
Po ashtu duke e marrë për bazë natyrën e veprës penale, cilësitë personale të të pandehurve pasi i pandehuri Dejan si simpatizues i partisë politike “SLS” (Samostalna Liberalna Stranka),veprën penale dyshohet se e ka kryer në drejtim të favorizimit të kësaj partie, ashtu që duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë ekonomike të qytetarëve u ka ofruar llaminat falas në këmbim të votës e në këtë mënyrë dyshohet ta ketë kryer veprën penale edhe i dyshuari i dytë Sasha Aleksiq, i cili në këmbim të votës ka pranuar 20 metra katrorë llaminat falas e duke i premtuar se do të votojë për partinë “SLS”
Përveç këtyre, duke e marrë për bazë faktin se më datën 03.11.2013, janë mbajtur zgjedhjet komunale në Republikën e Kosovës, si dhe faktin se të gjitha organet e thirrura në mbrojtje të ligjit kanë apeluar për mos keqpërdorime të votës në çfarëdo mënyre, sepse do të ndëshkohen, ndërsa i pandehuri Dejan me qëllim të ndikimit në votues duke mos e respektuar apelin e organeve të drejtësisë e duke keqpërdorë varësinë ekonomike të qytetarëve ka shpërndarë llaminat të cilin paraprakisht ky subjekt politik (SLS) e kishte deponuar në fshatin Crep e për qëllim të votimit të “SLS”-së, ndikon-keqpërdorë votuesit “se në këmbim të votës do të shpërndajë llaminat” e që në mënyrën dhe vendin ku dyshohet se është kryer kjo vepër penale, po ashtu edhe i pandehuri tjetër,Saha Aleksiq laminatin e ofruar falas e pranon në këmbim të votës për subjektin politik në fjalë duke e ditur se një gjë e tillë është e ndaluar, rrethana këto të mjaftueshme për caktimin e paraburgimit, nga neni 187 paragrafi 1 nënparagrafi 1.2.3 të KPPRK-së. /2lonline/