(2LONLINE) – “Nesër në Gjilan do të bëhet tërmet në ora 11 e 45 minuta”, por, vetëm si një skenar, si një shembull në kuadër të një stërvitje, përkatësisht të një ushtrimi praktik që do të bëhet në shkollën fillore “Selami Hallaçi”, për të parë se si do të menaxhohej situata në rast tërmeti.
“Drejtoria Komunale për Mbrojtje dhe Shpëtim në bashkëpunim të ngushtë me UNDP, në bashkëpunim me Agjencionin e Menaxhimit të Emergjencave/MPB, Kryqin e Kuq të Kosovës dhe IFRC-në, nesër me 5 dhjetor me fillim në ora 11.45 do ta nis ushtrimin praktik në Shkollën “Selami Hallaçi” në Gjilan”, ka thënë për 2lonline, Blerton Ajeti drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH).
Sipas tij, organizatorët kanë bërë trajnimin e stafit të Shkollës “Selami Hallaçi”, afër 25 pjesëtarë të shkollës, duke përfshirë stafin mësimor, teknik dhe atë ndihmës, mbi menaxhimin e situatës në rast tërmeti me temë: “Stërvitje shkollore me skenar tërmetin” (Earthquake School Drill), e që do të praktikohet në formë skenari.
Ndryshe, deri më tani janë mbajtur dy takime me qëllim të aftësimit sa më të mirë dhe ofrimit të njohurive për nxënësit dhe arsimtarët në menaxhimin e situatave të tilla.
Ky trajnim organizohet nëpërmes DKMSH me njësinë e Zjarrfikjes, Policinë Lokale, Kryqin e Kuq Komunal dhe Shërbimin e Emergjencës. /2lonline/