Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, dhe Rektori i WSG University në Poloni, Prof. Dr. Marek Chamot, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi mes dy institucioneve që ata drejtojnë.
Kjo marrëveshje është rezultat i një vizite zyrtare të delegacionit të UKZ-së, të përbërë nga Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka si dhe Dr. Sc. Shejnaze Gagica, të cilët janë duke qëndruar në Universitetin WSG në Bydgosczc, Poloni.
Marrëveshja në fjalë përfshin hartimin e programeve të përbashkëta në shkencat kompjuterike dhe shëndetësore, programe me diplomë të dyfishtë dhe një program të doktoratës. Gjithashtu, parashihet aplikimi për projekte të përbashkëta ICM KA-171, Erasmus CBHE si dhe Horizon Europe, organizimi i një shkolle verore dhe një konference vjetore, si dhe publikimi i stafit të UKZ-së në revista të këtij Universiteti, që janë të indeksuara në Scopus. Marrëveshja do të mundësojë edhe rritjen e mobilitetit për stafin akademik dhe administrativ, si dhe për studentët.
Një ditë më parë, delegacioni i UKZ-së i cili po qëndron në Universitetin WSG në Bydgosczc të Polonisë, kanë vizituar kampusin e WSG për shkenca të shëndetit në qytetin Torun, ku kanë pa për së afërmi se si funksionojnë shkencat e shëndetit, sidomos programi i infermierisë dhe fizioterapisë, si dhe shfrytëzimi i teknologjisë për rezultate më të mira në trajtimin e pacientëve në këto dy fusha.
Vizita, e mbështetur nga programi Erasmus+ ICM, KA-171, synon krijimin e bashkëpunimeve të reja dhe forcimin e lidhjeve ekzistuese mes dy institucioneve.
Ky bashkëpunim, i cili nuk ka asnjë kosto për UKZ-në, përfaqëson një hap të madh drejt zhvillimit të universitetit dhe përmbushjes së standardeve evropiane. /2LONLINE/