/2L ONLINE/ – Ashtu edhe siç ishte paralajmëruar, për protesta në disa qendra të Kosovës, sot në mesditë edhe në Gjilan, para teatrit të Qyteti, nën moton “Ramushi është Kosova”, u protestua në mbështetje të kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj, i arrestuar më 4 janar nga policia franceze në aeroportin e Baselit. Ai është arrestuar në bazë të një fletarresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004.
Nënkryetari i AAK-së , Ahmet Isufi ka thënë me ktë rast se ndalimi i Ramush Haradinajt në paraburgim në Francë e ka një mesazh për institucionet se duhet të veprojnë si shtet dhe se institucionet e Kosovës duhet të marrin vendim që të ndalin bisedimet me Serbinë.
Ndërsa, kreu i AAK-së së Gjilanit, njëherësh nënkryetar komune, Rexhep Kadriu, tha se protesta e sotme bëhet për kauzë kombëtare dhe e kërkesë e tyre është lirimi i menjëhershëm i Haradinajt nga paraburgimi ku po mbahet në Francë.
Edhe Shaqir Shaqiri nga OVL UÇK e Gjilanit tha se luftëtarët e lirisë janë mbledhur të ngrenë zërin e kundërshtimit kundër shtetit francez që arrestoi Ramush Haradinaj.
E mbështetje protestës i ka dhënë edhe kreu i Gjilanit Lutfi Haziri
Lutfi Haziri mbështetë protestën për lirimin e Ramush Haradinaj
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka shprehur mbështetjen për protestën e sotme të organizuar me kërkesën për lirimin nga ndalimi në shtetin e Francës të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.
“Mbështesim fuqishëm protestën e sotme të organizuar për lirimin e ish-kryeministrit Haradinaj, i cili në dy procese e dëshmoi pafajësinë e tij. Prandaj, mendojmë se ai duhet të lirohet dhe të kontribuoj për Republikën e Kosovës. Shqiptarët historikisht kanë qenë të përndjekur nga Serbia padrejtësisht, me akuza të paqëndrueshme sikurse në rastin e z. Haradinaj. Kjo çasje destruktive e Serbisë duhet të ndalet njëherë e përgjithmonë dhe të mos përfillet nga shtetet aleate të Republikës sonë”, ka thënë kryetari Haziri. /2L ONLINE/