(2LONLINE) – Shfaqja e parë, komedia “Vllazni interes” e Kristo Floqit u shfaq me 26 mars të vitit 1944. Në këtë shfaqje, por, edhe gjatë gjithë kësaj kohe, arti dramatik në Gjilan nuk pati problem për interpretimin e roleve të femrave. Kjo veprimtari mbi 70-vjeçare e gjilanasve u nderua duke e profesionalizuar teatrin, i cili është bartës kryesor edhe i Festivalit kombëtar të Dramës shqiptare. Jeta teatrale shqiptare në Gjilan, në dokumentet e shkruara daton prej 26 marsit të vitit 1944, pra, ishte ajo ditë e diel, kur mësuesit dhe nxënësit shqiptar të shkollës fillore “Bogdani” shfaqën komedinë e Kristo Floqit “Vllazni interes”.
Kjo datë është shkruar në një raport të botuar në gazetën “Lidhja e Prizrenit”nr. 8, që u botua në vitin 1944, në faqën e 3-të. Në gazetë, pos kësaj shkruan se drejtori i shkollës Xhemal Xhahysa u falenderua për këtë shfaqje. Ky mësues dhe drejtor, kishte aftësi të organizojë e të paraqet para publikut një shfaqje të tillë, nga se, ai si mësues i shkollës në Zogaj, me 17 qershor të vitit 1938, së bashku me përfaqësuesin e inspektorisë së arsimit të Shkodrës, prezantoi në provimet e dyta për deftesë lirimi të shkollës së Shirokës në Shkodër, ku u dhanë shfaqje të ndryshme. Këtë e dëshmon Gjeto Kola (Gjysh Sheldija) në shkrimin e tij për shkollën e Shirokës. Sipas të dhënave për shkollën e atëhershme në Gjilan, që i jep Abdylaziz Veseli (“Shkollat dhe arsimi shqip në Prefekturën e Prishtinës gjatë periudhës 1941-1944”, faqe.209), mësojmë se, në Gjilan, mësues në at kohë ishin Xhemal Xhahysa (mësues dhe drejtor), Hilmi Rexhepi, Halit Isaja, Njazi Fehmiu, Tahsin Sylejmani, Sadije Gjilani (Brestoci) dhe Gjyste Sekuj, të cilët sigurisht se kanë qenë edhe aktorë të mundshëm, të kësaj komedie.
Në hulumtimet e deri tashme nuk është hasë në ndonjë dokument të shkruar e as nuk është mësuar nga ndonjë dëshmitar okular për shfaqje të tjera të shfaqura në Gjilan deri në vitin 1954, kohë kjo, prej kur ruhet një fotografi me aktorë gjilanas. që inskenuar dramën “Gjaku vlon” e që për publikun gjilanas u shfaq me 11 Nëntor të vitit 1954. Disa nga aktorët e identifikuar janë:Taip Myezini, Ramiz Ajvazi, Jashar Jashari, Qamil Begu-Gjinolli, Hasan Bunjaku, Isa Gashi, Tasim Sylejmani, Ali Bujiqi, Qenan Mahmuti, Behaxhere Arapi (Peja), Zymrije Tali e të tjerë.
Sipas Faik Hetemit, që njëherit është edhe punëtori i parë shqiptar i punësuar në sektorin e kulturës në Gjilan, (në maj apo qershor të vitit 1956), regjinë e kësaj shfaqje e ka bërë Isa Gashi, i cili në Prishtinë kishte kryer shkollën e mesme teknike drejtimi i ndërtimtarisë. Mësohet se në këtë kohë në Gjilan vepronte Shoqëria kulturo-artistike “Zenel Hajdini” në kuadër të së cilës seksionin e aktrimit e udhëhiqte Tahir Ibrani-që punonte si prokuror në Gjilan. Gjatë kësaj kohe, Isa Gashi shpesh herë i ndihmuar edhe nga Kristë Berisha, ka përgatitur shfaqjen “Monserati”, “Nitën” e disa të tjera. Të gjitha këto shfaqje që përgatiteshin në Gjilan, shfaqeshin edhe në mjedise të tjera të Kosovës madje edhe në Preshevë, Kumanovë e Shkup, tregon Faik Hetemi.
Tradita teatrale në Gjilan, siç po shihet është mbi 60-vjeçare, dhe këtë traditë e karakterizon edhe një e dhënë tjetër inkurajuese, asnjëherë në këtë qytet nuk ka pasë problem për të siguruar femra për të luajtur rolet. Ato çdo herë kanë qenë pjesëmarrëse active në zhvillimin e jetës kulturore, sa që, sipas dëshmisë së doajenit të gazetarisë gjilanase dhe njohësit të kulturës së këtij qyteti, Hasan Bunjakut, një aktore, kuptohet amatore, ka shtyrë ditën e martesës për shkak se atë ditë shfaqej premiera e një drame në të cilën ajo interpretonte një rol. Madje, ajo ishte edhe e kërcënuar nga i fejuari, por këmbëngulësia e saj i theu të gjitha barrierat e kohës.
Gjatë viteve të 50 të shekullit të kaluar shfaqjet teatrale në gjuhën shqipe ishin të kohëpaskohshme, por asnjë vit nuk ka mbetë pa u ngjitë në skenë një, dy apo më tepër premiera në gjuhën shqipe. E gjithë kjo punë është kryer në bazë të vullnetit të intelektualëve të këtij qyteti dhe entuziastëve regjisorë amatorë si Isa Gashi e ndonjë tjetër. Në këtë kontekst ndihmë të madhe kanë dhënë edhe aktorët e Teatrit të Prishtinës, të cilët qoftë në bazë vullnetare apo edhe zyrtare, kanë kthyer deri në Gjilan, për të përgatitur apo udhëzuar rreth përgatitjeve të shfaqjeve.
Në vitet e 60-ta, amatorizmi skenik, pos në qendër, mori hov edhe nëpër shkollat e mesme të Gjilanit, ku profesorët dhe nxënësit përgatitnin shfaqje të ndryshme, prej nga dalloheshin talentët qoftë në garat e recitimit apo edhe të interpretimit, e të cilët kontribuonin edhe në teatrin e qytetit, i cili punonte në kuadër të shtëpisë së kulturës, e cila kishte një sale, që përdorej për shfaqjen e filmave, por edhe të shfaqjeve. Mëqe në shkollat e mesme të Gjilanit, në atë kohë gravitonin nxënës edhe nga Bujanoci, Medvegja, Presheva, Kumanova, Kaçaniku dhe vendet e Anamoravës, kjo veprimtari amatore teatrale ndikoi që këta nxënës, më vonë, këtë aktivitet që e zhvillonin në Gjilan, ta vazhdonin edhe në vendet e tyre ku punësoheshin. Kësisoji, ndonëse në mënyrë amatore zhvillohej ky aktivitet, Gjilani u bë edhe shkollë e amatorizmit teatral për këtë anë të Kosovës dhe të viseve të tjera me banorë shqiptarë, por edhe të artit muzikor, sepse në Shkollën normale “Skënderbeu” nxënësit merrnin hapa serioz në këtë drejtim.
Në fillim të viteve të 70-ta të shekullit të kaluar, me punësimin e Sabedin Shahiqit dhe Nuhi Matoshit-aktor të shkolluar në Prishtinë jeta teatrale në Gjilan mori hov. Këta në fillim ndërmorën hapat e parë për aplikimin e dijes profesionale në teatër, por edhe në amatorizmin e përgjithshëm në kulturë. Organizuan gara të recitatorëve në nivel të qytetit e rajonit dhe zgjodhën amatorë për nevojat e teatrit të këtushëm, filluan punë të programuar, përmes këshillave artistik për hartim të repertuarit dhe morën pjesë në garat e ndryshme të fushës dramaturgjike të asaj kohe.
Ky hov i jetës teatrale, që mori përmasa të gjëra bëri që Gjilani të kthei nga Shkupi, më 1976, aktorin tash të formuar Muharrem Shahiqi për regjisor të teatrit, dhe kështu u vunë themelet për një teatër profesionist. Kjo treshe profesionistësh dhe numri i madh i entuziastëve amator, bëri që Gjilani të krijon emër jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë në territorin e ish Jugosllavisë, duke zënë madje edhe vendet e para në festivale, si në ate të Kullës e të Trebinjës. Në skenën e këtij teatri u ngjitën shfaqje me emra autorësh të mëdhenj ndërkombëtar e kombëtar. Madje guximi i trupës aktoreske gjilanase ishte tejet i madh, nga se përgatiti edhe shfaqje të autorëve që ishin të anatemuar si Minush Jero, pastaj angazhoi në gjiun e vet edhe emra njerëzish të anatemuar edhe nga regjimi vendor, duke krijuar pastaj edhe skandale, siç ishte rasti i Ramadan Agushit.
Dramat e përgatitura nga aktorët gjilanas e të shfaqura gjithandej, janë përfolur shumë gjatë nga njerëz me reputacion teatral, si bie fjala “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” në regji të Fetah Mehmetit, që është shfaqur në vitin 1976 në Kullë të Vojvodinës, si realizim është përmendur edhe në vitin 1993. Periudhë, më e vështirë, por ndoshta më e rëndësishme e këtij teatri, është ajo e dhjetëvjetëshit të fundit të shekullit të kaluar. Të larguar nga puna e edhe nga salla e teatrit, aktorët gjilanas arritën që ta mbajnë kontinuitetin e vet, duke përgatitur shfaqje edhe nëpër shtëpi private e duke i vënë në skenë nëpër shkolla e shtëpi të kulturave nëpër fshatrat e Gjilanit. Këta aktorë, të ndihmuar edhe nga intelektualët, entuziastët dhe veprimtarët tjerë të Gjilanit, arritën që nga viti 1991 e këndej, të mbajnë ritmin teatral gjilanas me nga 2-3 premiera në vit, por edhe mbajtjen e shtyllës teatrore të “Flakës së janarit…” duke e zgjëruar në festival vendor të teatrove.
I tërë ky aktivitet i aktorëve gjilanas, gjeti përkrahjen e merituar vetëm me 20 janar të vitit 2004, kur Ministria e kulturës i njohu statusin e Teatrit profesionist. Këtë epitet Teatri i Gjilanit e meritoi dhe e arriti edhe me punë pas luftës së fundit, sepse mori pjesë në të gjitha festivalet që mbahen në trojet shqiptare, ku dëshmoi seriozitet dhe përkushtim në punë si dhe cilësi në zgjedhje të repertuarit, ftoi regjisor të njohur për të përgatitur shfaqje në Gjilan, dhe në skenën e këtij teatri u ngjitën realizimet e te të gjitha teatrove profesioniste të trojeve shqiptare. Kësisoji, Teatri profesionist i Gjilanit, aktorët e tij dhe publiku besnik i Gjilanit, mburren me këtë traditë 63 vjeçare, por edhe me Festivalin e Dramës shqiptare që ky teatër e organizon me sukses.
/Rexhë HASANI/