(2LONLINE) – Konkursit letrar të manifestimit “Flaka e Janarit” i kanë arritur 320 punime në prozë e poezi. Shpallja e rezultateve do të bëhet më 31 janar, kur ndahet edhe çmimi për poezinë më të mirë të lexuar në Orën e madhe letrare, thotë Sabit Rrustemi, përgjegjës për pjesën letrare “Pena e Flakës”, që përbën njërën nga shtyllat e këtij manifestimi përkushtues për dëshmorët.
Edicioni i 23-të i manifestimit “Flaka e Janarit” përmbyllet më 31 janar, me Orën e madhe letrare, ku pritet të shpallen edhe fituesit e konkursit letrar shpërblyes në prozë dhe poezi, ku kanë arritur gjithsej 320 punime të krijuesve nga mbarë hapësirat shqiptare dhe diaspora.
Rrustemi ka thënë se, pas komunikimit të rezultateve të konkursit letrar dhe deshifrimit të autorësisë së tyre, organizatori do të bëjë verifikimin e punimeve të shpërblyera dhe nëse vërtetohet se ndonjëra prej tyre është botuar paraprakisht diku, qoftë edhe nëpër faqe interneti a rrjete sociale, atëherë autorit do t`i mohohet shpërblimi.
Një numër i punimeve të ardhura në konkursin letrar, me propozimin e jurisë do të merren për botim në revistën letrare – kulturore “AGMIA”.
Përzgjedhjen e poezisë më të mirë të Orës së madhe letrare, e bën një Juri e veçantë nga ajo e konkursit letrar shpërblyes./2LONLINE/
/foto: FOTO FARI/