/2L ONLINE/ – Të gjithë flasim për çdo ditë se ardhmëria e një familje apo shoqërie varet nga ne se si i rrisim, edukojmë, trajtojmë dhe i formojmë fëmijët tanë që të kenë një jetë më të lumtur në ardhmërinë e tyre.
Pasi që në “fokus” të këtij shkrimi kemi të bëjmë me zhvillimin e jetës së lumtur të fëmijëve, atëherë rëndësi të veçantë do t’i kushtojmë kësaj pjese, pasi që mbi etapat e zhvillimit është shkruar shumë dhe besoj se edhe prindërit edhe shoqëria kanë njohuri të mjaftueshme.
Por, çka kuptojmë me rritje të fëmijëve të lumtur? Rritja dhe zhvillimi i një fëmije të lumtur nënkupton një zhvillim gjithëpërfshirës në të gjitha sferat (aspektet) e jetës së fëmijëve duke u nisur nga: sfera fizike, emocionale, kognitive, intelektuale, komunikim dhe të folur, si dhe në sferën sociale.
Ajo çka është shumë me rëndësi se të gjitha aspektet e zhvillimit të një fëmije është më se e domosdoshme të kuptohen drejt dhe mirë, sepse asnjë prej fazave të zhvillimit nuk janë të njëjta dhe secila prej tyre kërkon një qasje të kujdesshme. Këtë duhet ta bëjmë, jo vetëm që e kemi obligim prindëror, shoqëror, por, se ata kanë nevojë për dashurinë, kuptimin që ne ia ofrojmë në harmoninë e jetës së tyre. Nga ky fakt i kuptimit të tyre dhe trajtimit në zhvillim e sipër varet edhe zhvillimi dhe formimi i personalitetit të tyre.
Zhvillimin e një fëmije mund ta përshkruajmë në dy mënyra
a) në zhvillim sasior dhe
b) në zhvillim cilësor.
Në zhvillimin sasior-mund të përfshihen ato që maten, duken si: pesha, gjatësia, që nga lindja e deri në përfundim të rritjes së tyre, por, të jemi të kujdesshëm që të bëjmë dallimin mes fëmijëve me anomali dhe fëmijëve normal sa i përket këtij zhvillimi.
Zhvillimi cilësor-është më kompleks, sepse këtu bënë pjesë atë që fëmijëve ia ndryshojmë vijën ”rrugën “ e jetës, në zhvillimin e lumturisë së tyre siç janë: ndijimet, ndjenjat, emocionaliteti, motivet, të menduarit, komunikimi, të folurit, inteligjenca, atashimi (krijimi i lidhjes) dhe perceptimi për botën, etj.
Zhvillimi cilësor thamë se është me kompleks sepse ka të bëjë me kompleksivitetin e ndjeshmërisë së brendshme të tyre i cili nuk varet vetëm nga faktorët e brendshëm, por,më dominant janë faktorët e jashtëm që ndikojnë drejtpërsëdrejti në lumturinë dhe mirëqenien pozitive të çdo fëmije. Atëherë shtrohet pyetja, cilët janë ata faktorë? Në rend të parë jemi ne prindërit si celulë e parë, pastaj rrethi ku jeton dhe zhvillohet fëmija, institucionet parashkollore, shkolla dhe tërë shoqëria.
Kur jemi te prindërit atëherë kemi të bëjmë me disa stile të sjelljes prindërore që ndikojnë në mirëqenien dhe lumturine e fëmijëve si:
1. Stili autoritar,
2. Stili liberal dhe
3. Stili demokratik,
Të shohim se si interpretohen këto stile tek fëmijët?
Stili autoritar – Janë ata prindër që gjithmonë praktikojnë të ushtrojnë kontroll, mbi fëmijët e tyre. Përmes këtij kontrolli vendosin rregulla të ashpra, të rrepta dhe presin që t’i zbatojnë ato në përpikëri. Nëse fëmijët e tyre nuk i zbatojnë këto rregulla, këta prind të këtij stili përdorin ndëshkime të ashpra ndaj fëmijëve të tyre dhe pa ia treguar arsyen gjë që është e tmerrshme në zhvillimin e tyre e që mund të lënë pasoja psiko-emocionale. Këta prindërit autoritar nuk ju shpjegojnë fëmijëve pse duhen zbatuar rregullat dhe nuk ju japin mundësi zgjedhjeje apo vendimmarrje. Në rast kundërshtimi këta prindër përdorin dhunën verbale dhe atë fizike, gjë e cila krijon jo tjetër, vetëm se fëmijë të dhunshëm të cilët do të ushtrojnë edhe ata dhunë në jetën e tyre.
Stili liberal – Janë ata prindër që praktikojnë me shumë tolerancë, në krahasim me stilin autoritar vendosin shumë më pak rregulla dhe zbatimin e tyre ia lënë në dorë më shumë fëmijëve. Këta duan që fëmijët e tyre të ndihen të lirë dhe të gjejnë vetë rrugën në jetë, nuk vendosin kufij dhe pritshmëri për sjelljen e fëmijëve të tyre, por gjithmonë përpiqen t’i duan e t’i pranojnë ashtu siç janë. Ndëshkimin e përdorin shumë rrallë, fëmijëve u japin shumë mundësi zgjedhje edhe kur fëmija nuk është në gjendje të zgjedhë vetë në mënyrën e duhur. Në shumicën e rasteve këta prindër zgjedhin të mos ndikojnë në sjelljen e fëmijëve, çka nënkupton se mund jetë e dëmshme në krijimin e marrëdhënieve prind-fëmijë, fëmijët e tillë gjatë zhvillimit do të kenë problem në vendimmarrje dhe zgjidhje të problemeve.
Stili demokratik – Në krahasim me prindërit autoritar, por edhe nga ata liberalë, prindërit demokratik vendosin rregulla dhe kufij për sjelljen e fëmijëve të tyre. Por këta prindër, ndryshe nga autoritar gjithmonë mundohen që t’u shpjegojnë fëmijëve të tyre se pse kemi vendosur këto rregulla dhe përse duhen zbatuar. Ata gjithashtu vendosin pritshmëri të qarta për mënyrën sesi fëmijët duhet të sillen dhe i ndihmojnë fëmijët që t’i arrijnë këto pritshmëri. Në shumicën e rasteve përqendrohen tek sjellja pozitive e fëmijëve dhe këto sjellje pozitive përforcojnë atë me dashuri, apo shpërblime në bazë të sjelljeve të bëra. Prindërit demokratikë në krahasim me ata autoritar dhe liberal ju japin fëmijëve mundësinë të zgjedhjes së tyre duke u bazuar gjithmonë në nivelin zhvillimor fizik, psikik dhe kognetiv (njohës) të fëmijës.
Po cilët janë shenjat e një fëmije të palumtur?!
Sipas Hallowell shenjat e një fëmijë të palumtur janë: fëmija është i tërhequr në vetvete, i qetë, nuk ha shumë, nuk angazhohet në mënyrë spontane me fëmijët e tjerë, nuk luan, nuk bën pyetje, nuk qesh apo buzëqesh dhe ka fjalor të varfër. Por ajo që është me rëndësi se zakonisht nuk duhet të përzihen shenjat e fëmijës së palumtur me atë të turpshëm. Si shenja të turpshme të fëmijës janë: nuk luan me fëmijët e tjerë, nuk bënë pyetje, struket kur janë prezent njerëz të panjohu,r etj.
Por te fëmijët duhet të dallojmë mirë edhe disa sinjalet tjera, ku sipas C.Holinger, Profesor i psikiatrisë në Çikago i cili ka identifikuar nëntë sinjale, por dy janë më të rëndësishme ato (pozitive dhe negative). Për të kuptuar lumturinë te një fëmije bazohemi në këto shenja pozitive si ” interes” dhe “kënaqësi” qe japin një refleksion të një fëmije të lumtur të dashur me ndjenje pozitive si pranë familjes ashtu edhe në rrethin tjetër shoqëror, kurse si shenja negative tek fëmijët shihen “Shqetësimi“ “zemërimi” dhe “frikë”. Prandaj nëse këta fëmijë kanë këto cilësi, atëherë bëhet fjalë për një fëmijë i cili ndjen trishtim, apo ndihet i” trishtuar”që mund të jenë shumë faktor si: konfliktet mes prindërve, lindja e fëmijës së radhës, dadoja ( kujdestarja ),mos dëgjimi me vëmendje kur ai kërkon diçka nga ju, përjetimi i një traume, humbja e një anëtari të familjes, ankthi i ndarjes,.etj.
Për të pasur fëmijë të lumtur duhet të jemi prind të mirë, të cilët duhet që fëmijëve t’iu ofrojmë: dashurinë prindërore të cilën më së shumti kanë nevojë, t’i përqafojmë ledhatojmë dhe t’i puthim çdo ditë, të kemi durim që t’i dëgjojmë gjithmonë kur ata kërkojnë apo flasin, sepse vetëm kështu ndihen të rëndësishëm në familje dhe rrethin ku jetojnë, në këtë mënyrë jo vetëm që krijohet vetëbesimi, por edhe lumturia dhe zhvillimi i të menduarit. Pastaj, të iu kushtojmë kohë të mjaftueshme duke ju shpjeguar arsyet e krijimit të një rregulli apo vendimi që merret në familje, pavarësisht rëndësisë dhe peshës së rregullave apo vendimeve.
Po ashtu, të mos i qortojmë kur bëjnë gabime, por të bisedojmë për gabimin e bërë, në atë mënyrë që vet fëmija të pendohet për gabimin, e jo me fjalë siç përdorën në shumicën e familjeve tona si:“fëmijë i keq, fëmijë i poshtër, fëmijë budalla, fëmijë lazdran, ta thyej kokën, të mbys krejt, t’i nuk e meriton, hup nga shtëpia, etj. Këto janë disa që fëmijën e dëshpërojnë tej mase në ardhmërinë e tij.
Gjithmonë lavdëroni sjelljen e mirë të fëmijëve tuaj dhe përforcojeni atë në mënyrë që fëmijët të duan ta përsërisin sa më shpesh. Këta rregulla duhen përforcuar në mënyrë të vazhdueshme nga të gjithë pjesëtarët e familjes, përfshirë nënën, babain, gjyshin, gjyshen, motrat e vëllezërit, etj.
Vendosja e rregullave të qarta janë shumë të rëndësishme në bashkëpunim me fëmijën krijojnë ndjesi pozitive dhe fëmija ndihet i lumtur kur së bashku marrim vendim, qoftë orarit të gjumit, ngrënës, mësimit dhe aktiviteteve tjera. Të dilni së bashku me fëmijë, qoftë në shëtitje, qoftë në ndonjë vend ku ju preferoni, sepse kështu u‘a krijoni lidhjen, ndjesinë e lumturisë dhe dashurinë për të ardhmen e tyre.
Andaj prind të dashur, e di që dinamika e jetës ka bërë që ndoshta mos të jemi shumë pranë fëmijëve, por mundohuni sa do pak kohë të keni të lirë t’i kushtoni fëmijëve tuaj sepse janë jo vetëm frymë e shëndoshë e familjes, por edhe e tërë shoqërisë. /2L ONLINE/
/Mr.sci.Nevzat Shemsedini/
Autori është psikolog klinik – Ligjërues në Kolegjin” Fama“