/2L ONLINE/ – Në konferencën për media të Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë në Gjilan, të organizuar nga drejtori Ramiz Ramadani, është konfirmuar se rendimentet e këtij viti janë rekorde në kulturën e grurit, elbit dhe tërshërës, e kjo falë kushteve klimatike dhe implementimit të punës cilësisore, në arat e Gjilanit, që nga mbjellja e farës, trajtimi i bimës e deri te korrja e drithit.
Në fjalën e tij para gazetarëve drejtori Ramiz Ramadani ka thënë se fushata e korrje-shirjeve, përpos drejtorisë së Bujqësisë dhe Komunës në përgjithësi, ka mobilizuar gjithë komunitetin e bujqëve që gjithçka edhe falë kushteve të favorshme klimatike ka shkuar mirë.
“Falë mobilizimit të komisionit të veçantë, drejtorisë së bujqësisë dhe gjithë Komunës së Gjilanit e në veçanti komunitetit të bujqëve dhe bashkëpunimit të mire, është arritur që çdo gjë të shkojë mirë gjatë gjithë fushatës së korrje-shirjeve. Fushata ka filluar zyrtarisht me datën 8 korrik dhe me datën 21 korrik është përfunduar fushata në viset e rrafshta të tokës bujqësore, ndërsa pas kësaj date është kaluar me korrje-shirje edhe në viset kodrinore ku rendimentet kanë qenë me dallime të vogëla, jashtëzakonisht të mira. Varietetet e përdorura në Gjilan janë holandeze, varietetet e institutit të Novi Sadit, varitetet, gjermane, kroate, hungareze, francese etj. Në arat e Gjilanit kanë kryer punë 68 kombajner të tipeve të ndryshme dhe gjendja e tyre ka qenë e mirë dhe të gjithë i janë përmbajtur kritereve të rekomanduar nga Ministria e Bujqësisë dhe nga Komuna e Gjilanit”, ka thënë drejtori Ramadani.
Edhe sa i përket rendimenteve dhe përmbushjes së nevojave të qytetarëve të Gjilanit del se ky vit ishte i bereqetshëm, me rendimente rekorde dhe përmbushje bazike të nevojave vetanake për 77 për qind të kërkesave të qytetarëve, duke llogaritur Gjilanin me një popullësi prej 100 mijë banorë.
“Rendimentet janë rekorde në Komunën e Gjilanit, duke përfshirë edhe viset më të larta. Rendimentet mesatare në bazë të mostrave, del që për këtë vit është 4892 kilogramë për hektarë për farën e grurit, tek elbi është mesatarja 4510 kilogram për hektarë dhe te tërshëra 2584 kilogram për hektarë. Në këto rendimente kanë ndikuar kryesisht kushtet e mira dhe të favorshme klimatike por edhe kujdesit të mirë që bujku ka bërë në raport me bimën që nga mbjellja e deri tek korrja. Nga këto mostra dhe nga kjo mesatare del se janë plotësuar nevojat bazike për 77 për qind të kërkesave të qytetarëve, duke llogaritur Gjilanin me 100 mijë banor”, ka thënë Ramadani duke u shprehur i kënaqur me mesataren e rendimenteve.
Ndryshe në total në Komunën e Gjilanit kishte të mbjellur 3 mijë hektarë me grurë, 100 hektarë me elb dhe 130 hektarë me tërshërë. /2L ONLINE/