Daut Xhemajli, zv/ministër i Drejtësisë, mund të shkarkohet nga kjo detyrë, nëse kryeministri Hashim Thaçi aplikon standarde të njëjta sikurse në rastin e Ramadan Gashit, gjithashtu zv/ministër për tri javë në të njëjtën ministri. Gashi ishte shkarkuar nga kjo pozitë vitin e kaluar pasi ndaj tij kishte aktakuzë për shpërdorim të detyrës zyrtare në kohën sa ishte kryetar i komunës së Skenderajt.
Tash situata është e ngjashme edhe me Daut Xhemajlin ndaj të cilit madje janë dy aktakuza për raste të ndryshme që ndërlidhen me shpërdorim të detyrës zyrtare në kohën sa ishte zyrtar i lartë në komunën e Vitisë. Por Xhemajli vazhdon të mbetet në detyrë, edhe pse dy aktakuzat ndaj tij janë ngritur brenda periudhës kohore prej katër ditësh, shkruan Tribuna.
Daut Xhemajli është edhe kryetar i degës së PDK-së në Viti. Aktakuzat ndaj tij ndërlidhen për kohën sa ishte shef i Administratës së Personelit në këtë komunë. Gazeta ka marrë konfirmimin zyrtar nga Prokuroria Themelore në Gjilan se aktakuzat ndaj Xhemajlit tashmë janë ngritur.