Polici Goran Gjorgjeviq nga Kërshevica e Bujanocit, të cilin të hënën e shkeli me automobil një person i panjohur, të mërkurën ka ndërruar jetë në qendrën Klinike në Nish.
Siç njofton agjencia Beta polici ka ndërruar jetë rreth orës 9:30 minuta.
I ndjeri pas aksidenti ishte në komë i lidhur me pajisjet për frymëmarrje.
Gjorgjeviq (44) në qendrën Klinike të Nishit është pranuar të hënën rreth orës 20h dhe për shkak të lëndimeve të rënda në kafazin e kraharorit së pari është dërguar në kirurgji, ndërsa më pas është operuar edhe në repartin e neurokirurgjisë.
Polici u lëndua të hënë rreth orës 18h në tentim për të ndalë veturën, drejtuesi i të cilës nuk ndaloi por shkeli policin dhe iku në drejtim të fshatit Tërnoc.
ndërkohë, Trupi Koordinues (TK) për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë kërkon që në një afat sa më të shkurt të zbulohet dhe të arrestohet kryesi i kësaj vepre të rëndë.
“Ftojmë organet e hetuesisë që në afat sa më të shkurt të zbulojnë dhe të sjellin para drejtësisë aktorin e këtij krimi. Besojmë se qytetarët e Bujanocit do të ndihmojnë organet shtetërore në zbardhjen e këtij akti të urryer”, thuhet në reagimin e TK-së që e transmeton Titulli.
Trupi Koordinues i Qeverisë së Republikës së Serbisë njëherit i shprehë ngushëllime familjes së të ndjerit Goran Gjorgjeviq, i cili humbi jetën në kryerjen e detyrës.