Sot, pas një sëmundjeje të rëndë, në moshën 55 – vjeçare, vdiq poeti dhe studiuesi Abdullah Konushevci.
Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës mban mbledhje komemorative sot, më 1 dhjetor 2013, në ora 12, në Institutin Albanologjik të Prishtinës.
Varrimi bëhet po ashtu sot në varrezat e Prishtinës.
Abdullah Konushevci lindi më 1 maj 1958 në Prishtinë. Mbaroi fakultetin filozofik në Prishtinë e Zagreb. Punoi në gazetën e studentëve “Bota e re” dhe në gazetën “Rilindja”. Pas mbylljes së “Rilindjes”, mbeti pa punë.
Ka botuar me qindra artikuj dhe recensione për letërsinë e shkruar dhe gojore, për çështje të gjuhësisë dhe onomastikës, si dhe ka përgatitur për shtyp një numër të madh veprash e revistash letrare. Shumë poezi të tij janë përkthyer anglisht, spanjisht, gjermanisht, rumanisht, sllovenisht, kroatisht, sllovakisht dhe turqisht. Ai ishte laureat i shumë çmimeve kombëtare për letërsinë si dhe autor i disa teksteve shkollore për letërsinë, shkruan koha.net.
Ka përkthyer nga gjuha angleze disa prej autorëve të letërsisë botërore, si: Hemingway, Tagore, Ludo Hupperts etj.
Krijimtaria letrare Abdullah Konushevcit, veçan poezia, me rizbulimin dhe pleksjen e bukurisë së lashtë me të sotmen, me gjetjen e kodit të mëvetësishëm të formulimit poetik të historisë, të etnopsikologjisë e të dashurisë, me urtinë e kthjelltësinë e vargut dhe me lojën e tij deri në kulmet magjike, me përmasën e re të gjeografisë poetike të etnisë, me shpirtëzimin dhe rikuptimësimin e mitit pellazgjiko – shqiptar, gjeti, në të vërtetë, Fyellin Magjik që e bëri vargun e tij emblematike jo vetëm për brezin e poetëve të viteve tetëdhjetë dhe, mbase, jo vetëm për poezinë shqipe.
Botoi këto vepra:
*“Pasqyrë dhe diell” (poezi,1979);
*“Rënia e mollës” (poezi, 1981) ;
*“Qerrja e diellit”, ( poezi, 1983);
*“Loja e strucit” (poezi, 1987);
*“Të qenët të mosqenë” ( poezi, 1990);
*“Pikat AD” (poezi, 2002);
*“Dashni dhe vdekje” (poezi ,2011);
*“Lutje dashurie” poezi;
*“Gjuha shqipe XI”, (tekst shkollor, 2004, 2009);
*“Demaçi, vepra letrare”, (monografi, 2008);
*“Për poezinë” (artikuj dhe vështrime, 2008);
*“Romani ‘Gjarpinjtë e gjakut’ (artikuj të zgjedhur letrarë, 2011);
*“At Gjergj Fishta” (2011) ;
*“Gjinollët e Prishtinës” (monografi, 2013);
*“Toponomia e Gallapit” (2013) dhe
*“Jetë e dytë” (poezi dhe dramë, 2013)