Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, së bashku me kryesinë e tij, ka bërë homazhe në nderim të figurës së lartë të Fehmi Aganit.
Fehmi Agani u vlerësua, nga i pari i LDK-së, Isa Mustafa, si një njeri i cili ka bartur proceset më të rëndësishme tëtransformimit të këtij vendi nga një shoqëri demokratike.
Sipas Mustafës, një figurë e tillë, do ti nevojitej përherë edhe LDK-së, si frymëzim i punës, i demokracisë, urtësisë e dijes, por po ashtu edhe shtetit të Kosovës.
Mustafa theksoi se Fehmi Agani ka qenë njëburim i pashtershëm i energjisë, i dijes , por edhe i urtësisë në një moment tepër të ndjeshëm dhe shumë të rëndësishëm për këtë vend.
Ndërsa, deputeti nga radhët e LDK-së, Sabri Hamiti, figurën e Fehmi Aganit e vlerësoi si një edukator të brezave të tërë të Universiteti të Prishtinës, si dhe një prodhues i nxënësve të dijes për Kosovën.
Fehmi Agani ka lindur në vitin 1932, ndërsa ndërroi jetë në vitin 1999. Ai ishte ndër ata që shquheshin qoftë sa i përket angazhimit për demaskimin e shtypjes barbare të ushtruar mbi shqiptarët, qoftë edhe më shumë në kërkimin e hapësirave të reja për zgjerimin e të drejtave shoqërore dhe kombëtare të shqiptarëve me synim barazimin me të tjerët në ish-Jugosllavi.
Fehmi Agani u vra nga çetnikët serb me 6 maj 1999.