Gjilan – (2LONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit Qemajl Mustafa së bashku me Drejtorin e Bujqësisë Nazmi Rapuca, kanë ndarë sot 21 makina mjelëse për fermerët gjilanas, e që numri i tyre në total për gjashtë vite është mbi 320 sosh.
Me këtë rast kryetari Mustafa ka thënë se ky është një akt i radhës shumë i mirë që po ndodh në ngritjen ekonomike, sigurimin e vendeve të reja të punës dhe afirmimin e bujqësisë gjilanase. Më parë kriteri ishte 5 lopë qumështore një makinë mjelëse, ndërsa tani e kemi ulur këtë kriter dhe e kemi bërë 4 krerë lopë qumështore një makinë mjelëse, në mënyrë që t’u dalim në ndihmë bujqve tanë të cilët janë të interesuar sinqerisht të merren me këtë lëmi, poashtu kjo po ndikon edhe në rritjen e fermerisë në komunën tonë. Ne me këtë rast vetëm po mbështesim bujqësinë si në shumë aspekte të tjera.
Poashtu bashkë me qeverinë po bëjmë punë të mëdha në të mirën e zhvillimit të bujqësisë dhe agro-kulturës. Ai tha se ky sektor në vitin 2007 ishte në një gjendje të plogësht dhe pa investime në bujqësi, por me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike të Kosovës, gjendjen e kemi ndryshuar për një përqindje jashtëzakonisht të madhe. Nga një sektor që nuk ka pasur përkushtim e kemi shndërruar në një sektor shumë të rëndësishëm të zhvillimit tonë, nga një sektor që nuk kishte investime ne kemi investuar jashtëzakonisht shumë bashkë me qeverinë. Vetëm për vitin 2014 ne kemi planifikuar rreth gjysmë milioni euro për këtë drejtori dhe çdo vit do të investojmë ne si komunë, qeveria e Kosovës por edhe donatorët. Sot bujqësia në Gjilan është një storie e vërtetë e suksesit.
Kemi organizuar trajnime praktike për më shumë se 1500 fermer brenda vitit, seminare të shumta, dhe aktivitete të tjera informuese rreth bujqësisë. Është krijuar një data-bazë e saktë e fermerëve të Gjilanit dhe e ekonomive të tyre.
Bashkë me donatorët kemi ndërtuar një shkollë që është më modernia në rajon dhe që do të nxjerrë kuadro të përgatitura mirë për të menaxhuar më pas suksesshëm aktivitete të ndryshme në Bujqësinë tonë. Ne edhe ashtu kemi një territor që është adekuat për bujqësinë dhe kështu do të vazhdojmë me subvencionime përherë e më të mëdha për bujqit. Për bujkun që donë të punoj ne do t’i jemi përherë pranë me investime dhe me mbështetje edhe teknike por edhe profesionale.
Ndërsa Nazmi Rapuca, drejtor i Bujqësisë ka thënë se jemi shumë të përkushtuar që bujqësinë ta mbështesim, sot po ndajmë makina mjelëse, ndërsa në ditët në vijim do të bëhet realizimi i projektit për mbjellje vjeshtore, sera për perime, fidanë për pemishte, etj. këto makina mjelëse i kemi siguruar përmes Buxhetit të Komunës së Gjilanit, kështu do të vazhdojmë edhe në të ardhmen dhe nuk ka bujk me të cilin nuk kemi bashkëpunim gjatë vitit. Kontaktojmë dhe i kemi të siguruara të gjitha informacionet sa i përket bujqësisë.
Ndërsa fermerët e shumtë kanë falënderuar Komunën e Gjilanit dhe drejtorinë e Bujqësisë për këtë angazhim jashtëzakonisht të madh e lehtësues që po u bëjnë atyre. Ata kanë uruar që kështu të vazhdohet edhe më tutje me investime në bujqësi. Poashtu ata kanë mirëkuptuar Komunën edhe në rastet kur nuk mund t’u dilet në ndihmë të gjitha kërkesave. /2lonline/