Zëvendësministrat e arsimit, Nehat Mustafa dhe Usmen Baldzi pritën Agim Agushi, i njohur në botë si zhongleri që theu katër rekorde botërore me goditjen e topit me kokë duke qenë ulur dhe një rekord të Ginisit. Agushi njëherësh është profesor i matematikës në gjimnazin ” Kuvendi i Lezhës ” në Viti.
Zëvendësministri Mustafa, e përgëzoi Agushi për sukseset e arritura në këtë lloj të veçantë të shkathtësive fizike-sportive që e bëri atë të famshëm brenda dhe jashtë vendit .
“Shembulli juaj prej sportisti e njeriut të pasionuar dhe entuziast të pa epur për arritjen e rezultateve kulmore, është për çdo lëvdatë, aq më tepër kur ju njëherësh jeni edhe profesor i dalluar në institucionin ku punoni. Ju me thyerjen e 4 rekordeve botërore dhe një të Ginisit, bëtë që shqiptarët të vlerësohen akoma më shumë në qarqet botërore sportive, si popull që ka vlera, dhe njerëz më shkathtësi të jashtëzakonshme kulturore sportive”, tha Mustafa.
Agushi ka falënderuar zëvendësministrat Mustafa dhe Baldzi për pritjen e bërë, njëherësh u shpreh i gatshëm që të performojë për nxënësit e shkollave të Kosovës në raste të veçanta kur është në interes të afirmimit të sportit dhe të shtetit të Kosovës.
Duke folur për ëndrrat e tij fëmijërore dhe rezultatet e arritura Agushi tha se “në fëmijëri kisha ëndërr të bëhem profesor, të marr ditarin dhe të ofroj dijen për nxënës dhe këtë e arrita. Ndërkaq në klasën e 7-të, si sportist ëndërroja se si të bëhem i pari në botë dhe këtë e arrita . Tash pas të gjitha këtyre u binda se sa e vogël është kjo botë, se sa i madh mund të jetë njeriu i thjeshtë kur ka talent, ambicie dhe kur punon pa ndalë”, tha Agushi.