(2LONLINE) – Qemajl Mustafa, që pritet së shpejti të bëjë pranim-dorëzimin e mandatit të kryetarit të komunës nga ai tek kryetari i ri i komunës Lutfi Haziri, ka drejtuar takimin e Këshillit të Drejtorëve ku ka kërkuar që puna në secilin sektor duke nisur nga drejtorët e drejtorive, shërbyes civil dhe çdo i angazhuar tjetër të bëhet në baza ligjore, në mënyrë që kur të dorëzohet qeverisja, ajo të jetë pastaj një vazhdimësi e dhënies së shërbimeve, duke mos u vërejtur fare nga qytetarët e Komunës së Gjilanit.
Mustafa ka thënë se qëllim i këtij takimi është që t’u falënderoj të gjithë juve drejtorëve për këtë kohë sa kemi punuar bashkërisht, dhe të gjithë Shërbyesit Civil, duke thënë se ndërtimi dhe zhvillimi i Komunës bëhet edhe nëse nuk jemi në poste të larta, por duke u angazhuar përherë për të mirën e vendit dhe zhvillimit të tij. Ne për këto vite sa kemi qeverisur me Gjilanin, kemi bërë punë të mira dhe shumë të mëdha. Ka përparime dhe prosperim gjithandej Komunës, duke nisur nga investimet e shumta e deri tek ato që ende janë në proces të finalizimit. Ai ka uruar që kryetari i mandatit katër vjeçar z.Lutfi Haziri, të vazhdoj me këtë ritëm por edhe më me intensitet rregullimin e Komunës së Gjilanit, duke e bërë çdo ditë të ardhshme më modern dhe më funksional.
Ndryshe Mustafa e ka informuar këshillin se kryetari Haziri, e ka caktuar një koordinator të bartjes së përgjegjësive, e ai është Agim Salihu, me të cilin unë personalisht kamë biseduar por gjithashtu edhe secili nga ju drejtorët do të takoheni për ta informuar dhe për të përgatitur raport në formën globale të qeverisjes së drejtorive tuaja për këtë mandat. Raporti duhet të përmbaj gjendjen në të cilën është drejtoria, obligimet, pengesat eventuale në ndonjë projekt apo fushë, punët të cilat janë bërë, ato që janë në proces etj.
Gjithashtu do të kemi edhe betimin e kuvendit, ku do ta kemi nga një fjalë, dhe kështu do të vazhdojmë. Është një gjë tjetër e sigurt, PDK do të jetë në këtë mandat opozitë ngase nuk do të hyjmë në koalicion.
Ndryshe Mustafa ka informuar këshillin se Fadil Osmani do të përgatis një listë të projekteve që janë të gatshme, atyre që janë të porositura, apo edhe të atyre që janë të gatshme për implementim, sikurse që do ta bëjë edhe listën e projekteve me të cilat është aplikuar në qeveri, donator etj. Ndërsa Hatixhe Daku është ngarkuar me obligimin që për një kohë të shkurtër të përgatis listën e të gjitha projekteve të realizuara dhe që janë në proces. Edhe sa i përket çështjes financiare, Nuhi Nuhiu brenda dy tri ditësh duhet ta sjell gjendjen e prerë financiare deri në këto momente në të cilat është sot Komuna, duke përfshirë obligimet për investime kapitale, për shpronësime, dhe për kode të tjera.
Ai ka kërkuar publikisht nga drejtorët por edhe nga secili shërbyes civil, që të mos bëjë “hile” në punën e tij të cilën e kryen brenda Komunës, por të gjithë duhet ta kryejnë punën me nder dhe konform ligjit. Ardhja e kryetarëve dhe ndryshimet politike, assesi nuk duhet të ndikojnë në punën e sektorit të shërbimit civil, sepse ShC janë në shërbim të dhënies së shërbimeve të mira për qytetarët. Kultura e secilit shërbyes civil duhet të jetë në nivelin e punës së sinqertë për shtetin dhe institucionet, deri në fund të këtij mandati por me punë të vazhdohet edhe në atë mandatin tjetër.
Ndërsa Fadil Osmani, nga zyra e projekteve, ka informuar këshillin se Komuna ka të kontraktuara 2.7 milion euro për asfaltime të rrugëve që në qytet janë mbi 20 kilometra ndërsa në fshatra janë të parapara mbi 16 km. Gjithashtu edhe për projektin e ndërtimit të urës në fshatin Pogragjë, projektin tjetër të Bibliotekës së qytetit që kah muaji korrik pritet të përfundoj, sepse donatori ka bërë përzgjedhjen e punëkryesit të ri për finalizimin e këtij projekti, por ai ka thënë se i ka të gatshme edhe të gjitha projektet tjera që janë në proces të realizimit.
Ndryshe Mustafa ka thënë se të gjithë do të informohen për pranim dorëzimin e mandatit nga unë te kryetari i ri Lutfi Haziri. Ai po ashtu ka vlerësuar se në hapësirën e Komunës së Gjilanit është bërë punë e mirë në përgjithësi, edhe pse nevojat e këtij qyteti dhe fshatrave janë më të mëdha se kaq./2lonline/