Isa Mustafa ka shkruar se LDK do të votojë pro themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës pa vënë dhe marrë kushte nga të tjerët. Ai ka thënë se pas votimit për FAK”un deputetët duhet të vendosin për shpërndajen e Parlamentit. ”LDK dhe unë presim që partitë tjera politike të mbështesin shpërndarjen e menjëhershme të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe një datë konsensuale për mbajtjen e zgjedhjeve të parakoshme parlamentare. Ky proces do t’u mundësojë qytetarëve të rivendosin”, ka shkruar Mustafa.
Lexoni të plotë njoftimin e Isa Mustafës:
Siç u kam njoftuar edhe më përpara, nesër, më 5 maj 2014, është një ditë e rëndësishme për vendin tonë. Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të kenë rastin të votojnë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës.
Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës do të votojnë në uninamimet për Forcat e Armatosura, pa vënë asnjë kusht dhe pa pranuar asnjë kusht.
LDK dhe unë presim nga të gjitha forcat politike, të shumicës shqiptare dhe të pakicave, të reflektojnë mbi rëndësinë e posaçme që ka ky proces për ngritjen e kapacitetit institucional të atdheut tonë për të siguruar dhe mbrojtur vetveten dhe për t’i ofruar mbështetje stabilitetit rajonal, evropian e global, përmes integrimit sa më të shpejt të Forcave tona të Armatosura në NATO.
Në këtë proces, qeveria aktuale ka detyrim kushtetues dhe moral të japë kontributin e saj. Ajo duhet të sigurojë mbështetjen e deputetëve të koalicionit qeverisës, përfshirë edhe pakicat, për votimin e Forcave të Armatosura.
Ju e dini se kohët e fundit ne kemi diskutuar edhe një kërkesë të politikanëve të pakicave për vazhdimin e vendeve të rezervuara në Kuvendin e Kosovës. LDK dhe unë, bashkë me partitë dhe udhëheqësit tjerë të shumicës shqiptare, në vazhdimësi jemi treguar gjeneroz me pakicat dhe u kemi ofruar atyre ambient të përshtatshëm për integrim dhe pjesëmarrje në jetën institucionale të Kosovës.
Kosova ka dispozitat kushtetuese më të favorshme në rajon dhe Evropë për akomodimin e pakicave. Këtë, LDK dhe unë e konsiderojmë vlerë të demokracisë sonë dhe të parimeve tona kushtetuese.
LDK dhe unë jemi të bindur se çdo kërkesë përtej atyre që parashihen me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, rrezikojnë funksionimin e institucioneve dhe kështu frenojnë zhvillimin e procesit të ngritjes së kapaciteteve konform standardeve të domosdoshme për integrimin e vendit tonë në strukturat euro-atlantike.
LDK dhe unë presim që partitë tjera politike të mbështesin shpërndarjen e menjëhershme të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe një datë konsensuale për mbajtjen e zgjedhjeve të parakoshme parlamentare. Ky proces do t’u mundësojë qytetarëve të rivendosin sovranitetin e tyre përmes deklarimit të vullnetit të tyre të lirë për mënyrën e qeverisjes së vendit në mandatin e ardhshëm.