Ish-lideri politik i UÇPMB-së, Jonuz Musliu, i cili ishte pjesë e delegacionit të Luginës së Preshevës në Beograd, në takimin e së enjtes me kryeministrin serb, Ivica Daçiq, ka thënë se ky i fundit nuk është i interesuar t’i zgjidhë problemet e shqiptarëve të Luginës.
Musliu ka treguar se Daçiqi gjatë takimit e ka kërcënuar atë, pasi ky ka kërkuar me ngulm zgjidhjen e statusit të shqiptarëve të Luginës. “Daçiqi e humbi kontrollin dhe kaloi në fazën e Millosheviqit. Ai më tha se e ka forcën. Unë ia bëra me dije se, edhe pse jam në Qeverinë e Serbisë dhe në Beograd, mund të më arrestosh, por assesi të më frikësosh”, ka deklaruar Musliu në një intervistë për “Epokën e re”.
Ai ka bërë me dije se në takimet e ardhshme do të kërkojnë të jetë i pranishëm edhe faktori ndërkombëtar. “Takimet e ardhshme patjetër duhet të jenë të organizuara dhe të monitoruara nga faktori ndërkombëtar”, ka thënë Musliu.