(Sabit Rrustemi: “Murale shpirti”, sh.b. “Rozafa” Prishtinë, 2013, faqe 112).
Nga Bilall Maliqi
(2LONLINE) -Duke e shprishur aktualitetin jetësor të fushave të ndryshme dhe atë duke i nxjerrur si tabllo krejt reale realitetin e sotëm në vargje poetike të gravuara si murale shpirti, shkrimtari, poeti dhe publicisti i njohur Sabit Rrustemi para lexuesve doli me një libër të ri me poezi me njëqindë vazhdime me titull “Murale shpirti”, të cilat i ka prezantuar në këtë vëllim të veçantë dhe tejet serioz, në të cilat shpaloset brendia e shpirtit krijues të autorit të shprehura në vargje poetike.
Shumica e vazhdimeve të paraqitura me numra rendor shpërfaqet bota e motivit të dashurisë të cilën e ka kornizuar bukur mirë me shprehje të zgjedhura, të cilat japin të kuptojmë se poezia e Sabit Rrustemit përpunohet dhe latohet bukur mirë nga ai, i cili nuk kënaqet me pak, porse vazhdon çdo ditë të kërkoj gjurmime të motiveve me të cilat i mvesh poezitë e tij e në këtë rast librin që po e shqyrtojmë.
Gjetjet e motiveve dhe fuqia shprehëse të pajisura me figuracion të duhur poetik i bënë të gjitha vazhdimet e librit të këndshme për lexim dhe për rilexim të sërishëm.
Aktualiteti jetësor në të cilën gjendemi, poetin e ka frymëzuar të shpreh (pa)kënaqësitë e tij në rrafshe të caktuara të jetës shoqërore, ekonomike e politike të cilat, e përthekojnë përditshmërinë tonë.
Poetika e Sabitit është figurative herë gjysëmhermetike e herë e drejtpërdrejtë, ato kanë mesazh të qartë poetik, e këto porosi të autorit të shtrira gjithandej poezive japin të kuptojmë se poeti troket aty-këtu në dyert e ndërgjegjes duke sheshuar veset negative të shoqërisë dhe kërkon pozitivitet dhe përmirësim të akterëve që iu mvishen vargjet poetike: P.sh.,
“Përleu dhe mure miqsh
Duke vjellë mbi të veten fytyrë
Mjerimi ynë provincial”
(pjesa 21)
Apo
“Hiqe veten nga puthadorët
Në ia do të mirën vetes
Dhe mikut”
(pjesa 28)
Nga prologu deri në epilog
Që nga pjesa e parë me të cilën poeti e hap portën e shtigjeve, nëpër të cilat do të kalojnë vargje e motive, fjalë e përqëndrime, figura dhe zbërthime mendimesh vargërore, japin një pasqyrim interesant të ideve të poetit të shpërndara nëpër terrenin e tij poetik në libër.
Në këtë libër me njëqindë këngët e saj të vargëruara disa më të gjata e disa të shkurtra, fshihet një botë imagjinative, filozofike e psikologjike e poetit, sepse ai hapëron herë në një motiv herë në tjetrin, por gjithnjë me një sinqeritet të plotë deri në efektin e arrirë të shkallës së vlerave poetike.
Këto përqendrime të poetit në rrumbullaksim të ideve për t’i harmonizuar vargjet brenda lëndës së caktuar japin edhe rezultatin e duhur dhe të kënaqshëm për lexuesit dhe për njohësit e poezisë në përgjithësi.
Poeti bënë pyetje të arsyeshme për disa njerëz të caktuar që vishen me petkun e thashethënave dhe janë gjithnjë në kërkim të gjurmëve të huaja dhe për fat të keq ka mjaft që i takojnë kësaj kategorie njerëzish:
“Ti që ndjek gjurmët e të tjerëve
Gjurmët tuaja ku po i lë…”
(pjesa e 64)
Poezia e Sabitit është përplot me mesazhe dhe brenda tekstit poetik ka figuracion të duhur e me këto padyshim se e arrin gradacionin e duhur poetik.
Përveç kësaj vend i posaçëm në muralet e tij të shpirtit është edhe dashuria të cilën e pasqyron bukur mirë në pjesëkëngë të poemës p.sh.:
“Sa herë provova
Të të mbroj nga dashuria ime
Më tradhtoi ndjenja”
(pjesa 41)
Baraspesha poetike në të gjitha pjesët e librit ekziston si prologu me të gjitha kërkesat bazë të një hyrjeje të efektshme brenda tekstit poetik e deri tek epilogu me të cilë bën një përmbyllje bukur të mirë të librit në fjalë:
“O leximtar i moçëm e i ri
Murose dashurinë tënde tek unë
Siç e murosa zemrën time te ti”
(pjesa 100).
Ky vëllim poetik me titull “Murale shpirti” është edhe një vazhdim i sukseseve të poetit të njohur gjithandej trojeve shqiptare Sabit Rrustemi, duke e dëshmuar sa e sa herë individualitetin e tij poetik e letrar si shkrimtar me vlera të qëndrueshme poetiko -letrare./2lonline/