Ministria e Shëndetësisë, përkatësisht Agjensioni i Financimit të Shëndetësisë nënshkroi sot Marrëveshje bashkëpunimi me Postën e Kosovës, për bashkëpunim dhe asistencë të ndërsjellë për çështjet me interes të përbashkët lidhur me shërbimet postare dhe pagesat e premiumeve për sigurimet shëndetësore.
Marrëveshja e nënshkruar nga Ushtruesi i Detyrës së Kryeshefit të AFSH-së, z. Arsim Qavdarbasha dhe Kryeshefi Ekzekutiv i Postës së Kosovës, z. Sejdi Hoxha, mundëson lehtësimin e qasjes së shërbimit të pagesave të sigurimeve shëndetësore për kategori të caktuara të qytetarëve, të cilët obligohen për pagesat e sigurimit shëndetësor për veten dhe familjarët e tyre, konform Ligjit për Sigurime Shëndetësore.
Arsim Qavdarbasha (AFSH) tha se me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje vendoset një bashkëpunim stabil midis MSh-së dhe Postës së Kosovës, e cila do t’u mundësojë qytetarëve të kategorive të caktuara lehtësime të mëdha në pagesën e premiumeve për sigurimet shëndetësore.
Sejdi Hoxha (Posta e Kosovës) tha se Marrëveshja ka shumë avantazhe në favor të qytetarëve, sepse do t’u mundësojë atyre që përmes 150 njësive të pagesave të postës, të licencuara nga Banka Qendrore e Kosovës, t’i kryejnë pagesat e tyre për premiumet e sigurimeve shëndetësore, duke ofruar punë me orar të zgjatur si dhe gjatë vikendit (në pikat ku punohet), ndërkohë që shprehu bindjen se shërbimet do të kryhen me cilësi, bashkëpunim dhe në të mirë të qytetarëve.
Palët nënshkruese të marrëveshjes janë pajtuar që Komisioni për çdo transaksion të pagesës sipas faturës, në vlerë deri në 10 euro, të paguhet 0.50 Euro, ndërsa mbi 10 euro, pagesa është 1 euro dhe këtë provizion paguan pala. Lehtësimi është se nëse një anëtar i familjes paguan për veti dhe katër anëtarë të tjerë premiumin, nuk ka nevojë të paguaje 5 herë provizion, por me vlerën prej 0.50 euro është mbuluar pagesa për të pesë anëtarët e familjes.
Gjithashtu, Marrëveshja mundëson që të bëhet shpërndarja e të gjitha informatave-njoftimeve-fletëpalosjeve etj, përmes logjistikës shumë të avancuar dhe me tarifa më të lira në vend, si operator i vetëm publik për shërbime postare në Kosovë dhe çështje të tjera që janë pjesë e marrëveshjes.
Marrëveshja synon lehtësimin e pagesave të premiumeve shëndetësore që do të paguhen sipas Ligjit nr. 0/L – 249 për Sigurime Shëndetësore dhe Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 03/104, të datës 10.08.2016.