Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, ka reaguar ndaj vendimit të EULEX-it për transferimin e të burgosurve të Grupit të Drenicës në burgun e veriut të Mitrovicës, duke e cilësuar si provokim ndaj popullit të Kosovës.
Në vijim mund ta lexoni reagimin e plotë të Shoqatë së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së:
“Po bëhet një vit që luftëtarët e lirisë, siç i kanë quajtur ‘Grupi i Drenicës’ (se në Kosovën e drejtësisë ndërkombëtare nuk mbeti Zonë e Luftës për liri që nuk kishte së paku një grup të akuzuarish), i zhvendosin herë në një burg, herë në një tjetër. Më në fund ju gjeten një vend të sigurt. Drejtësia ndërkombëtare mori vendim që këta t’i dërgojë në një burg në Mitrovicën e Veriut, siç na kanë mësuar t’i themi Mitrovicës që më shumë se 15 vjet.
Askush nuk jep një arsye pse veprohet kështu. Strukturat e shtetit të Kosovës heshtin. Heshtin, se nuk bën të ndërhyjë politika në drejtësi. Një blof demagogjik i drejtësisë, edhe asaj ndërkombëtare. Të gjithë heshtin. Sa duket që të mos prishen me ndërkombëtarët, që të mos i hidhërojnë ata që ka në imunitet edhe kur vrasin të rinjtë e Kosovës.
Prandaj, që të jenë më të sigurt, luftëtarët e lirisë, ata të ‘Grupit të Drenicës’ i dërgojnë në një burg në Veri të Mitrovicës. Sigurisht, se atje të gjitha strukturat e sigurisë janë serbe. Kështu që siguria e të burgosurve është më e madhe se kudo në burgjet e tjera në Kosovë. Ngase kur të duan, i thyejnë burgjet dhe ose i vrasin, ose i lënë të lirë që të ikin, ose i dërgojnë në Serbi. Ndoshta Kosova nuk ka mjaft burgje për të vendosur luftëtarët e lirisë që po burgosen që 15 vjet.
Nuk është aspak me rëndësi se kush ka hartuar dhe kush harton dosjet e tyre. I hartojnë ato dosje elementë të caktuar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, përmes komisioneve të tyre për siguri. I harton ato dosje shërbimi sekret serb, në të cilat mbështeten të gjitha akuzat e deritashme të gjykatave ndërkombëtare për të burgosur luftëtarët e lirisë. I hartojn ë edhe elementë të caktuar të drejtësisë ndërkombëtare, që është në Kosovë që 15 vjet, herë duke paguar, herë duke shantazhuar dëshmitarë të qenë e të paqenë, kjo nuk ka fare rëndësi. Me rëndësi është të akuzohen luftëtarët e lirisë, të mbahen me vite nëpër burgje dhe të zhvendosen orë e çast nga një burg në tjetrin, derisa të gjendet vend në ndonjë burg në veri të Mitrovicës, se atje është siguria më e madhe, sepse luftëtarët e lirisë, i mbrojnë dhe i sigurojnë kriminelët serbë, që dihen me emër e mbiemër që më shumë se 15 vjet.
Në anën tjetër, na thonë se duhet t’i besojmë drejtësisë ndërkombëtare. Në anën tjetër na thonë që të mos ndërhyjmë në punët e drejtësisë ndërkombëtare.
Ne as nuk po ndërhyjmë, as nuk po i besojmë kësaj drejtësie. Ne po i themi kësaj drejtësie ndërkombëtare, a cilado qoftë ajo, se një ditë njerëzit mund të lodhen duke besuar, se një ditë njer ëzit mund ta thonë edhe publikisht mosbesimin e tyre, se një ditë njerëzit mund të mbushin rrugët e Kosovës për të kërkuar lirimin e këtyre të burgosurve, sepse ata janë luftëtarë të lirisë. Pastaj, nuk mund ta dimë se kush e merr përgjegjësinë për ato që mund të ndodhin. E merr shteti i Kosovës me mekanizmat e tij, e merr drejtësia ndërkombëtare, po ashtu me mekanizmat e saj, apo e marrin qytetarët e Kosovës, për të cilët nuk e dimë a do të ketë vende nëpër burgjet e Kosovës.
Por, kur ndiqet vetëm njëra palë për krimet e një luftë që për ne është çlirimtare, atëherë është vështirë t’i besohet kësaj drejtësie, qoftë kjo edhe ndërkombëtare!
Prandaj, luten të gjithë, edhe mekanizmat e drejtësisë të shtetit të Kosovës, edhe mekanizmat e drejtësisë ndërkombëtare në Kosovë, edhe të gjithë ata që ngritin akuza të shpifura, të trilluara dhe të kurdisura, që të lënë të qetë të burgosurit e ‘Grupit të Drenicës’, të na lënë të qetë ne, Shoqatave të dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ta lënë të qetë dhe të mos e provokojnë më popullin e Kosovës, ose pjesën më të shëndetshme të këtij populli, ata që janë në shërbim të lirisë së Kosovës”.