/2L ONLINE/ – Gjilanasit Avni Rudakut, tri diplomat e tij të shkollimit, dy diploma baçelori e një në master për sociologji e psikologji, mund t’i shërbejnë aktualisht vetëm për t’u fotografuar me to, mund t’i ekspozojë edhe nëpër rrjete sociale nëse do, apo edhe si dekor në dhomën e tij, ngase, aty ku duhet, nëpër konkurse ato nuk po i kryejnë punë akoma. Brenda pak muajve, ai ka konkurruar në së paku tetë konkurse publike me shpresë se praktika e përgjithshme e punësimit në Kosovë nuk është degraduar në atë masë, por realiteti i stilit “Pronto’, po ia dëshmojnë për çdo ditë e më shumë të kundërtën.
Rrethi i tij është përpjekë që ta kthjellë atë duke ia dërguar linkun më të ri të “Pronto 2”, që ai veçse e ka parë, lexuar e dëgjuar, por edhe duke i “treguar” rrugën ma konkrete, madje edhe me ton qortues duke i thënë edhe fjalët: “Mirë e ke që s’po punësohesh, se nuk po i shkon n’zyre Lutës!”
Duke folur për praktikat e përgjithshme të punësimit në Kosovës, Rudaku shprehet për Portalin 2LONLINE, të ketë dëgjuar se si në komunën e Vitisë ka dëgjuar rastin kur mësimdhënësi me diplomë të kriminalistikës, jepte lëndën e muzikës! Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” ka asistent të punësuar, i cili, siç thotë Rudaku, njihet nga shumë si “ngelç i shkollës së mesme” (qyteti i vogël dhe ‘ish djemtë e çikat e klasës’ e njohin njëri-tjetrin!) dhe sot nuk e ndalni dot me mendjemadhësi prej asistenti, thua se është mbinjeri, e jo sall një servil i pushtetit! Ai thotë se më shumë i qahet sesa i qeshet me këto raste, ndërsa atyre që iu ka treguar, më shumë qeshin sesa qajnë, dhe kjo e bënë të dëshpëruar e të qajë përsëri me reagimin e tyre të butë satirik!
“Ta bëjmë të qartë që në fillim: punësimi është një e drejtë e gjithsecilit dhe askush nuk ka të drejtë t’ia cënojë këtë të drejtë askujt, sepse përveç që është sjellje e turpshme, jo humane, është edhe sjellje e dënueshme juridikisht. Si në nivel komunal, si në atë qendror, vazhdon mentaliteti i politizimit partiak të punësimit, si “Pronto 2” e Adem Grabovcit: “Është i joni, është me neve, e punësojmë, dhe s’është i joni, s’është me neve, nuk e punësojmë”! Bile praktika ‘grabovciane’ është në skaje të marrëzisë dhe të ndëshkimit: “Punëson militantë, pa e ditur edhe vetë këta të punësuar të paligjshëm se ku janë punësuar”! Këto skaje të marrëzisë thellohen edhe më tej pas deklarimit të Grabovcit: “Se nuk është krim të punësosh paligjshëm njerëz, analfabetë, me konflikt interesi, jo profesionalë, militantë, etj”, thotë Rudaku.
Sipas tij, vija kryesore ndarëse në mes të një shoqërie tradicionale e paramoderne me atë moderne është punësimi në këtë të fundit me bazë meritokracinë profesionale. Sapo morët kriteret e tjera për punësim: librezën partiake, lidhjet farefisnore, gjakun, lidhjet e ‘miqësisë’, atëherë ju e keni shkatërruar edhe të ardhmen e atij institucioni, e keni dëmtuar pakthyeshëm performancën dhe produktivitetin e punës, cilësinë, kreativitetin, motivacionin në punë, raportet ndërkolegiale, konkurrencën, drejtësinë, etj! Dukuria më e rrezikshme mbetet se në institucionet publike të punësuarit joprofesionalë, shpejt e marrin kontratën e përhershme dhe sall e vënë një institucion publik pranë falimentimit në organizim, administrim, udhëheqje e funksionim.
Duke folur për përvojën personale në konkurset publike në Gjilan, Rudaku thotë se brenda pak muajve, ka konkurruar në 8 konkurse publike dhe në asnjërin nuk është punësuar, madje shumë prej tyre herë anuloheshin, herë rishpalleshin, nuk dinte njeri se a bëhej fjalë për konkurse publike apo për ‘punë kasapësh, shprehet ai.
“Në Gjilan kam pasur rastin edhe vetë të konkurroj në disa konkurse publike, qoftë në arsim, në drejtorinë e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, në Qendrën e Paraburgimit, etj. Merreni me mend shpallej konkursi publik për pozitën “zyrtar për barazi gjinore”, njëherë anulohej, pastaj rishpallej si “konkurs i brendshëm”! Në arsim, shpallej konkursi publik “zyrtar i bibliotekës” në shkollën “Musa Zajmi”, ndërsa personi që ishte i njohur si figurë publike nga “Vatra”(puna në mbrojtjen e të zhvendosurve nga Lugina e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës dhe të drejtat e tyre është shumë e rëndësishme sa për sqarim dhe pa keqkuptuar këtë subjekt si të tillë, pa harruar edhe faktin se po ky individ i punësuar ka pasur një kontribut shumë të rëndësishëm në të kaluarën e tij dhe nuk e mohojmë atë) me të cilën bashkëpunonte edhe Luta, ishte tashmë i punësuar aty! Dhe për habinë e pahabitshme, anulohej konkursi pa dhënë fare shpjegime për kandidatët që kishim aplikuar aty! Pse po shpallni konkurse kur njerëzit janë tashmë të pranuar dhe pse po maltretoni kandidatët?! A keni gjynah e rahmet?! – do të shprehej lokja! Qysh nuk frikësoheni në ëndërra kur dhjetra kandidatë sa shumë mundohen në vapë e shi, duke u sorollatur nëpër zyre e institucione, për të plotësuar dosjen e aplikacionit e për të aplikuar, e ju e keni kurdisur tashmë konkursin publik apo e anuloni me aq thjeshtësi?!”, thotë Rudaku.
Ai shtoi se edhe në Qendrën e Paraburgimit ishte pozita “zyrtar social”, që lidhej direkt me fushën e tij profesionale dhe anulohej përsëri konkursi e rishpallej sërishëm pa dhënë askush përgjegjësi! Pastaj as nuk vlenin ato aplikime kur rishpallej konkursi me një njoftim, as nuk të informonte ndokush për procesin e mëtutjeshëm, as hiçgjë. Pas disa muajve, përsëri shpallej konkursi publik për pozitën e njëjtë dhe askush nuk informohej më për asgjë! Rudaku thotë se punësohej individi me direktiva nga lart-poshtë për shkak të lidhjeve të forta me njerëzit e pushtetshëm!
“Tash ishte edhe një pozitë “zyrtar i mirëqenies sociale” dhe kandidatët hynin njëherë në test me shkrim thua se nuk vlenin aspak diplomat, sikur të hynin në provim universitar, duke e zhvleftësuar krejt rëndësinë e posedimit të diplomës. Pastaj sërish hynim në intervistë, duke na bërë edhe pyetje të njëjta sikur me shkrim dhe duke e improvizuar vlerësimin me pikët. Numër 1 me pikë ishte një nga përkrahësit e nëndegës së LDK-së në Nasalë! – më tha një kundërkandidat. Testi po ashtu kishte gabime fundamentale me pyetje që binin ndesh me normat e testit objektiv e të sigurtë! Këtu fatkeqësisht shpesh nuk janë në juri (me përjashtime të rralla) as njerëzit kompetentë, që nuk kanë ide se si të marrin “më të mirin në mesin e më të mirëve”! Duhet të jemi po ashtu të sinqertë e korrektë: në një vend që papunësia vazhdon të mbetet e njëjtë për gati gjysmën e popullsisë aktive, nuk është edhe krejtësisht e lehtë për asnjë juri, por në anën tjetër, paradoksalisht, me këtë konkurrencë aq të ashpër e masive për një vend të punës, për institucionin është shumë e dobishme, pasi që ka mundësi të zgjedh “personin më adekuat profesionalisht në mesin e aq shumë konkurrentëve”!”, thotë tutje Rudaku.
Ai më tej flet edhe për rastin kur juria në arsim, në nivel komunal e kudo, është fatkeqësi edhe kombëtare: nuk kanë asnjë kapacitet për të vlerësuar kandidatët! Bile ishte qesharake njëherë, shprehet Rudaku, kur nuk e merrnin parasysh fare përvojën tënde si asistent në kolegj universitar për dy vite akademike, ndërsa ju do të jepnit mësim në shkollë të mesme, sepse sipas tyre përvojë arsimore nuk është nëse nuk keni punuar vetëm brenda MASHT-it! Pa llogaritur as CV-në, as kualifikimet shtesë! Po kjo nuk ndodh kurrë në një kompani a shtet të emancipuar! “E mos të flasim se qysh politika i fsheh vendet e punës në arsim e gjetiu, kurdisë dhe vë njerëz me baza joprofesionale, e kështu me radhë! Juritë këtu janë po ashtu joprofesionale dhe po ashtu të kurdisura, me ndonjë përjashtim e respekt! E mos të flasim shpesh edhe për komisionet idiote për kriteret që vënë në pranimin e kandidatëve, duke mos e vlerësuar tërësinë e veprimtarisë profesionale e jetësore të kandidatit, por disa kritere mekanike e herë edhe të palogjikshme fare!”, thotë Rudaku.
Ndërsa duke folur për atë se a janë të gjitha partitë politike janë të njëjta në punësimin e paligjshëm, ai thotë se në Gjilan anëtarësia e LDK-së dhe shumë individë që kanë punuar për Lutën kryetar, janë shumë të pakënaqur për punësime, sepse kanë kontribuar aq shumë dhe nuk janë punësuar të gjithë! Pra, brenga e udhëheqjes aktuale është se si të bëhet me shumë njerëz të pakënaqur që kanë investuar në fushatën e zgjedhjeve të fundit për LDK-në! Është krejt e pavërtetë se këtë e bën vetëm LDK-ja, këtë e bëjnë krejt partitë politike, pa asnjë dallim! Vetëm një dallim i vockël është në Prishtinë nën udhëheqjen e Shpend Ahmetit, por edhe aty në masë të madhe është njësoj, me favorizime të të afërmve të tyre. Ka shumë gjilanas që janë punësuar në shkollat e komunës së Prishtinës, që jo detyrimisht kanë qenë përkrahës të LV-së, Njërit prej tyre i kishin bërë padrejtësi, ishte ankuar dhe sot është në punë! Mirëpo, përsëri çalon.
“Në një konkurs para pak muajsh për mësimdhënës në sociologji, pesë kandidatët e parë që i kishin thirrur për intervistë, të paktën pat kandidatë pa master në sociologji dhe i kishin ftuar edhe ata, ndërsa unë me tri diploma as në intervistë nuk më kishin ftuar! (ndoshta isha heretik i tyre, ku dreqin ta dish!) Pastaj mos të flasim për kritere të tjera: nota mesatare shumë e ulët e kundërkandidatëve, bagazh minimal jetësor e profesional, etj. Por po e themi edhe paradoksalisht këtë gjë: partitë politike që kanë pushtet, në rast se nuk punësojnë persona të afërt me ta, pasi që edhe nuk kanë ndonjë ofertë aq të mirë sa t’i joshin elektoratin, dhe vetëm përmes klientelizmit në punësim, krijojnë ‘votuesit e tyre të ardhshëm e besnik’! Nuk janë aq budallenj për interesin e tyre të ngushtë, jo se jo! Por për në borde të ndërmarrjeve publike, PDK-ja e ka kaluar secilin kufi sikur e tregon edhe “Pronto 2”! Me një hipotezë shkencore, mund ta formulojmë kështu “Shkeljet më të mëdha në punësim rriten me rritjen e pushtetit të secilës parti politike, qoftë në nivel lokal, qoftë në atë qendror!””, thotë tutje Avni Rudaku.
Se a ka humbur besimi në konkurse publike, Rudaku shprehet se po, por sipas tij kandidatët përsëri konkurrojnë në një konkurs publik, për shkak të angazhimit të tyre individual për të gjetur punë, e jo sa për të thënë se po kërkojmë punë! Rduaku thotë se është fat i rëndë se si nëpërkëmben kandidatët dhe ndonëse e dijnë se nuk kanë mundësi të punësohen me kritere profesionale dhe meritokratike, përsëri aplikojnë. Pastaj është edhe ajo ndjenja shumë e pakëndshme kur juria ta japin mesazhin se “na vjen keq prej teje”, duke të treguar në mes rreshtash se është i “punësuar dikush me direktiva nga lart”, “por çmojnë personalitetin dhe CV-në tuaj”! Pavarësisht humbjes së besimit, të papunësuarit aplikojnë sërish. Është nevojë jetike për të punuar dhe kjo është shumë sjellje e duhur e kandidatëve! I lumtë! Nuk përjashtojmë edhe qindra raste që nuk konkurrojnë për shkak të mosbesimit në konkurset publike!
“Merreni me mend ju sot kur shumë të rinj mbarojnë studimet, bëhen kryefamiljarë dhe presin të punësohen përgjatë shumë viteve! Është tragjedi e shumëfishtë! Pastaj harrone se janë të interesuar për demarkacionin dhe mund t’i dëgjoni më vete nëse keni telepati apo edhe empati, duke ju thënë: “More le t’ja japin krejt Kosovën Malit të Zi e vetëm të liberalizohen vizat e të ikim për ndonjë punë ilegale në vendet e zhvilluara perëndimore”! Njerëzit janë lodhur dhe nuk e kanë më atë mitin e sakrificës sikur e kishin dikur! Ka degraduar secilë vlerë atdhedashurie sepse në emër të patriotizmit janë bërë shumë krime pas luftës në Kosovë! Nuk ka vlerë sublime që nuk është përdhosur. A ka më rëndë sesa njerëzit përreth teje të të thonë me zë qortimi sadist: “Mirë e ke që s’po punësohesh, se nuk po i shkon n’zyre Lutës!” Domethënë, qëndrueshmërinë, rezistencën për servilizëm, dëshirën për rrugë ligjore e profesionale për punësim, jashtë partive politike, e shohin si dobësi, e jo si vlerë të rrallë personale! E pastaj përsëri të mllefosin kur vazhdojnë përsëri të thonë: “Në tetë konkurse, a bëre gjë? Ec more gjuaju në një parti dhe atë jo çfarëdo partie, por në këto dy partitë e mëdha sa e kanë koalicionin qeverisës!” Por përsëri them se refuzimi dhe rezistenca duhet të vazhdon deri në përjetësi! Zot ruana, të bëhem tip Ramadan Ilazi, ish OJQ-isti kritik ndaj PDK-së!”, shprehet Rudaku.
Sipas tij, biologjia e mbijetesës nuk guxon të sfidon dinjitetin profesional e moral të njeriut dhe ai merr shembull debatin për demarkacionin. “A nuk binte drita mu në fytyrën e profesorëve të gjeografisë si Bulliqi, apo tek ai i të drejtës ndërkombëtare si profesor Gruda, kur nuk tradhëtonin profesionin dhe hartat e gjeografisë, ndërsa komisioni shtetëror dukej si palaço?!”, pyet Rudaku.
Po si shihet nga qytetarët “punësimi me të njohshëm, Rudaku vlerëson se punësimi i paligjshëm, diskriminues, klanor, partiak e nepotist është instaluar në Kosovë që nga paslufta dhe në ditët e sotme e shohim në variantin e të pranuarit si normal edhe nga mentaliteti fisnor i qytetarëve tanë. “E mbaj në mend kur ish kryetari i komunës së Gjilanit në radhët e PDK-së pat punësuar bashkëshorten e tij në institucion publik, ne patëm protestuar, ndërsa kishte zëra nga qytetarët të cilët më thonin: “Pse, ti a nuk e kishe shti grun tande n’punë a?!” Pra, ky mentalitet i konkurseve dhe punësimeve me konflikt interesi të zyrtarëve me pushtet, nga një pjesë e shoqërisë shihet si normale për shkak të konceptit paramodern mbi organizimin e jetës profesionale dhe mishërimit të qytetarisë në gjak e fis. Kështu po ngjet edhe me pushtetin e rikthyeshëm të LDK-së në Gjilan, i cili ka bërë ‘save as’ në desktop të njëjtin mentalitet qeverisës. Dallimi në mes të PDK-së dhe LDK-së sot, mund të jetë ndoshta se PDK-ja punëson më shumë edhe balltëzke e baxhanakë, ndërsa këta të LDK-së veç ‘a na gjindet diku neve në të tashmen apo në të ardhmen’, qoftë edhe i PDK-së! Bile kryetari Luta secilit ia bën rrafsh dhe takova njërin që ishte zhgënjyer prej tij, sepse ia kishte rritur shpresat se do ta punësonte atë, ndërsa në momentet e fundit ia kishte ndihmuar një kandidates tjetër!”, thotë Rudaku.
Ai shton tutje se papunësia masive, mentaliteti farefisnor, klientelizmi partiak, mungesa e sundimit të ligjit, kapja e shtetit nga një oligarki kriminale, njohjet lokale dhe presionet që ushtrohet edhe ndaj figurave publike për punësim, njohuritë e dobëta rreth rolit të profesionalizmit në rritjen e performancës së institucionit, etj., janë disa nga shkaqet e kësaj dukurie, që tashmë kanë zënë rrënjë e kanë lulëzuar në masë të gjerë dhe ka kapur secilën parti politike dhe figurë publike të veshur me pushtet!
“Mos të harrojmë se ka një evoluim prej pasluftës në punësimin e jashtëligjshëm: dikur të punësonin vetëm nëse të njihnin me bazë familjare, miqësore apo partiake, ndërsa edhe këto kritere janë avulluar, nëse nuk e tregoni shkallën e servilitetit të skajshëm ndaj njerëzve me pushtet, nuk tregoni besnikëri ndaj tyre dhe nuk adresoni kërkesat tuaj në vazhdimësi e me presione, por edhe ka pasur shumë përfolje kur njerëzit kanë qenë në gatishmëri për të dhënë para e për t’u punësuar, duke e llogaritur më të dobishme punësimin në një institucion publik e me kontratë jetëgjatë, pavarësisht që duhej shpërblyer financiarisht dikë! Desha të them në fund, nuk është e saktë shkencërisht se vetëm pse jeni anëtar i një partie politike apo e njihni dikë të pushtetshëm mund të punësoheni, por edhe kur krijoni lidhje varësie të veçantë me këto figura publike, qoftë për nga ndikimi yt në rreth, pasuria, kthimi me t’mira në një kohë të artë për të, presionet, kontaktet e vazhdueshme, etj”, thotë Avni Rudaku, një i papunë që po konkurron nëpër konkurse publike, por që në shumë prej tyre as nuk ftohet në intervistë, e leje më të punësohet, ndërkohë që tri diplomat e tija, dëshmi e shkollimit, e paralizojnë të jap këshilla të mira, nipërve dhe mbesave, se duhet të mësojnë, nga droja se ata, ndonëse të vegjël, mund t’ia kthejnë në stilin “Pse, ti që i ke tri diploma, mos janë ka të hyjnë në punë!?” /2L ONLINE/