Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani me bashkëpunëtorë vizitoi sot Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, ku nga drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Arben Vitia, dhe stafi i saj u njoh me punët që bëhen në Kujdesin Parësor të Prishtinës, sfidat dhe hapat e zhvillimit të mëtejmë.
Gjatë kësaj vizite me theks të veçantë është diskutuar për konceptin e Mjekësisë Familjare dhe implementimin e fazës pilot të projektit të Sistemit të Informimit Shëndetësor (SISh), duke qenë që Komuna e Prishtinës është e përfshirë në këtë projekt.
Ministri Rrahmani tha se MSh-ja e ka kthyer vëmendjen nga Kujdesi Parësor Shëndetësor duke qenë që ky nivel i sistemit është shtylla e reformimit të shëndetësisë dhe se investimi në këtë nivel të kujdesit Shëndetësor është investim për një sistem të qëndrueshëm shëndetësor.
Ai ka vlerësuar punën në KPSH të Prishtinës dhe ka përgëzuar stafin për punën që bëjnë, ndërkohë që nga afër është njohur më vëllimin dhe cilësinë e shërbimeve që ofrohen dhe fillimin e implementimit të fazëspilot të projektit për Sistemin e Informimit Shëndetësor, të cilin e ka vlerësuar si jashtëzakonisht të rëndësishëm për sistemin shëndetësor.
“Implementimi i këtij sistemi para së gjithash do të jetë në funksion të fuqizimit të shërbimeve shëndetësore, ngritjes së performancës, sigurimit të informatave të rëndësishme për indikatorë dhe patologji të ndryshme në kohë të shpejtë dhe të bazuar në evidencë dhe mbi të gjitha do ta ndihmojë reformimin e sistemit shëndetësor”, tha Ministri Rrahmani, i bindur se problemet e ndryshme teknike që mund të dalin gjatë kësaj faze të implementimit, do të adresohen e zgjidhen së bashku me autoritetet komunale të shëndetësisë së Prishtinës.
Dr. Arben Vitia ka vlerësuar kujdesin që Ministri Rrahmani po tregon për Kujdesin Parësor Shëndetësor, e ka njoftuar atë me investimet e bërë në këtë nivel të Kujdesit Shëndetësor dhe gjithashtu edhe me sfidat që janë shfaqur në këtë fazë të implementimit të projektit pilot të SISH-it.
Gjatë kësaj vizite, ku është diskutuar edhe për tema si për Spitalin e Prishtinës, edukimin e vazhduar profesional, resurset humane dhe tema të tjera, sikurse edhe për furnizimin me barna nga Lista Esenciale, që nga drejtuesit e QKMF-së dhe dr. Vita u vlerësua shumë i mirë.
“Zakonisht furnizimi nga MSh në mënyrë permanente arrin 65-70% dhe nga DSHMS i Komunës furnizohemi me 25-30%, kështu që pothuajse në vazhdimësi Lista Esenciale e barnave është e mbukuar shumë mirë”, ka bërë të ditur në takim dr. Merita Brovina.
Pas vizitës së disa departamenteve në QKMF, Ministri me bashkëpunëtorë ka vizituar edhe QMF-7 në lagjen Kalabria (ish-Emshiri) ku nga afër është parë funksionimi i mirë i implementimit të Sistemit të Informimit Shëndetësor në këtë qendër.