(2L ONLINE) – Kryetari i Komunës së Kamenicës Begzad Sinani dhe nënkryetari Fatmir Matoshi, kanë pritur sot në takim Kryetaren e Komunës së Gjakovës Mimoza Kusari-Lila dhe Presidentin e AKR-së Behgjet Pacolli. Vizita kishte të bënte me thellimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave në mes të Kamenicës dhe Gjakovës.
Kryetari Sinani i ka njoftuar mysafirët me aktivitetet e fundit në pushtetin lokal, të arriturat dhe sfidat me të cilat po përballet komuna. “Po punojmë me një staf të ri dhe me mentalitet të ri qeverisës për të bërë Kamenicën një vend sa më të mirë për të gjithë.Kemi arritur të shkurtojmë shpenzimet në mallëra e shërbime sidomos ato në derivate, dreka e darka dhe telefoni. Unë mbetem i hapur për të ofruar mbështetje për të gjithë investitorët e mundshëm me qëllim të krijim it të vendeve të reja të punës” ka thënë kryetari Sinani.
Ai e ka falënderuar degën e AKR-së për kontributin e dhënë gjatë garës zgjedhore dhe pas konstituimit të qeverisë komunale.
Kryetarja e Gjakovës Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se është e lumtur që po e viziton Kamenicën dhe se vlerëson shumë njerëzit e kësaj komune, përderisa përgëzoi kryetarin Sinani për përzgjedhjen e një stafi të ri në komunë.
“Kamenica dhe Gjakova janë larg gjeografikisht por ne jemi të përkushtuar t`i ofrojmë sa më afër përmes bashkëpunimit ndërkomunal në disa fusha të veqanta. Falënderoj kryetarin Sinani dhe nënkryetarin Matoshi për pritjen që na kanë bërë dhe i mirëpres së shpejti në Gjakovë” tha kryetarja Kusari – Lila.
Presidenti i AKR-së Behgjet Pacolli, tha se në Kamenicë ndihet si në shtëpinë e tij dhe kishte kënaqësinë që u prit nga kryetari dhe strukturat tjera udhëheqëse. “Kryetari Sinani po bën punë të mirë në Kamenicë, dhe ne jemi të kënaqur që si parti politike e kemi mbështetur atë dhe tanimë së bashku me degën tonë po bëjnë punë të mira për njerëëzit këtu” tha Presidenti i AKR-së Behgjet Pacolli.
Nënkryetari i Kamenicës Fatmir Matoshi, falënderoj Presidentin Pacolli dhe kryetaren Kusari për vizitën dhe shprehu falënderimet e tij për bashjkëpunimin e mirë në qeverinë komunale me kryetarin Sinani.
Kryetarja e Gjakovës dhe zyrtarët e tjerë realizun një takim edhe me grupin joformal të grave me të cilat bashkëbiseduan për qështjet gjinore dhe avansimin e gruas në vendimmarrje e qeverisje. /2L ONLINE/