(2L ONLINE) – Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” nga Gjilani në bashkëorganizim me Fondacionin Friedrich Ebert Stiftung me seli në Prishtinë, ka organizuar të mërkurën debatin me temën “Stop migrimit dhe pjesëmarrjes në luftërat e huaja”.
Sipas organizatorëve me këtë debat synohet të sensibilizohet publiku për dëmin që i shkakton Kosovës ikja e të rinjve dhe familjeve të shumta nga Kosova në drejtim të vendeve të BE-së.
Migrimi ilegal është kancer për Kosovën dhe ndikon negativisht në liberalizimin e vizave. Por edhe më i dëmshëm se migrimi po shihet pjesëmarrja e qytetarëve në luftën e Sirisë, një luftë që s`ka asnjë lidhje me Kosovën e shqiptarët.
Lutfi Haziri, kryetar i komunës së Gjilanit, ka thënë se migrimi është mundësi dhe kjo po na përcjell që nga shekulli i kaluar. “Të mos u ngjesim njerëzve bishta, sepse kjo është një mundësi. Por, kjo mundësi ka rreziqe, sepse është vështirë të arsyetohet. Motivi politik, ekonomik apo motivi tjetër është vështirë të arsyetohet”, tha Haziri dhe shtoi se BE ka regjim të ashpër.
Ai tha se më problematik është lëvizja në lindje, në tokën e Shamit. Atje ka ofertë lufte, që është problem serioz e tash e tutje do të vijnë oferta për banim. Atje pritet të ndërtohet një popull i ri, që do të administrohet prej atyre që janë sot, apo që mëtojnë perandori të re.
Sipas Hazirit, lëvizja drejt perëndimit është problem, kurse problem është edhe lëvizja drejt lindjes. Ai tha se lëvizja e lirë nëpër Serbi është pjesë e marrëveshjes së Brukselit. Kjo e ka lehtësuar qasjen në territorin e BE-së, andaj njerëzit po e shfrytëzojnë këtë.
Flamur Hyseni, nga Instituti për Studime Ligjore, ka theksuar se kjo është nju temë e ndjeshme në shoqërinë tonë. Në aspekt global migrimi është problem ndërkombëtar. Kosova nuk e ka lirinë e lëvizjes, andaj kjo e shton më shumë kureshtjen që të provohet të dilet jashtë, ndoshta ngase po u mungon perspektiva. Dallimi mes Kosovës dhe shteteve të rajonit është se ata po kanë mundësi ta shfrytëzojnë nëntëdhjetëditëshin. Hyseni tha tutje se Kosova qëndron mirë me ligjin, por ka probleme në zbatimin e tij.
“Liria e kufizuar e lëvizjes është problemi kryesor. Të rinjtë nuk kanë motivim për punë, nuk po ka ku të marr model. Te ne nuk kanë punë e studiohet sepse njerëzit nuk po mund të gjejnë punë”, ka thënë Hyseni, që shtoi se kjo po bënë që të bijë cilësia e më shumë po i jepet rëndësi formalizmave.
Shaban Spahiu, prokuror, foli për trafikimin me migrantë, fenomen me të cilin po ballafaqohet prokuroria. “Më 2014 patëm 22 kallëzime penale për 27 persona. 17 përfunduan me ngritje të aktakuzës, derisa një person është liruar e katër të tjerë nuk u gjetën prova për ta. Numri i kallëzimeve penale është simbolik. Nuk kemi mundësi më të madhe për të parandaluar këtë dalje. Serbia e ndihmon këtë dalje me një liberalizim dhe ka hap korridor për të kaluar. Ai po na godet edhe në këtë segment. Ne jemi të përkushtuar që këto lëndë t;i shtyjmë përpara, po bashkëpunojmë me policinë dhe jemi shumë rigoroz në këto lëndë. Po e kemi të vështirë të ndalim këtë trend, ngase mundësitë për dalje janë maksimale, tash po dilet vetëm me letërnjoftim. Ata që kalojnë janë vetëm viktima e ne po i ndjekim trafikantët. Kjo shkuarje na godet rëndë, ky është problem ndërkombëtarë, por mekanizmat për t’i ndal këto migrime te ne janë më të vogla’, tha Spahiu.
Burim Haliti, profesor universitar, ka folur në rrafshin e stabilitetit të sigurisë në përgjithësi dhe kontekstin ekonomik. Stabiliteti institucional dhe perspektiva në aspektin ekonomik mund të ndalin migrimin. Ai tha se ata që po largohen e kanë vështirë të marrin statusin e azilantit, ngase Kosova është vend i sigurtë.
Demir Krasniqi, qytetar, tha se migrimi është vrragë e të gjithëve. “Kam katër fëmijë e 15 nipa e mbesa, por asnjërin nuk e kam këtu, tha Krasniqi, që dikur i kishte kënduar migrimit që nga lufta në Jemen në Perandorinë Osmane e deri te kjo e sotmja.
Selver Lenjani, nga brezi kufitar, tha se mbi 100 banorë u kanë ikur drejt BE-së, e është lutur të mos shkojnë më. Ai tha se nuk kanë siguri në kufi, policia rrallë del atje, ka rënë bujqësia e blegtoria. Ai thotë se banorët e brezit kufitar zor të kthehen, sepse ata nuk kanë siguri.
Fadil Gashi kërkoi që të punohet më shumë me të rinj nëpër shkolla mbi këto çështje dhe edhe debatues të tjerë dhanë kontribut në këtë debat me temën “Stop migrimit dhe pjesëmarrjes në luftërat e huaja” organizuar nga Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” nga Gjilani. /2L ONLINE/