(2LONLINE) – Që nga muaji Maj i këtij viti, mërgimtarët e Zhegrës në Gjenevë të Zvicrës, formuan shoqatën humanitare, me një projekt të caktuar, pastrimin dhe rregullimin e varrezave në Zhegër dhe përkujdesjen e tyre.
Konsiderojmë se nuk është e tepërt të informojmë lexuesit se prona në të cilën janë vendosur varrezat e Zhegrës, ishte donacion i të madhit Idriz Seferi, hero i kombit, në të cilat varreza pushon edhe ai, sikur edhe shumë dëshmorë të tjerë nga ky vend. Zyrtarë nga Shqipëria (para luftës së fundit), sa herë iu jepej rasti, vizitonin varrin e tij duke nderuar personazhin e tij, burrin e madh që hyri në historinë e kombit me luftën dhe trimërinë, urtësinë dhe vizionin që e kishte për komb. Këta, Idriz Seferi, Agim Ramadani, hero i popullit (varri i të cilit gjendet së bashku me shokët e tij të luftës në Koshare) dhe shumë dëshmor që dha ky vend, na bëjnë dhe jemi shumë krenar, edhe pse pas luftës së fundit, nuk arritëm që edhe ne ta dëshmojmë këtë krenari, ti nderojmë këta, tani edhe më të afërmit e familjeve tona që pushojnë aty, në vendin ku një ditë, kush më herët e kush më vonë, do t’u bashkohemi dhe pushojmë së bashku me ta. Aksionet vullnetare të kohë pas kohe nuk kanë mungua në pastrimin e varrezave, por ishte i nevojshëm një përkujdes më i madh e i rregullt në pastrimin si dhe rregullimin e tyre ashtu siç i ka hije një vendbanimi siç është Zhegra.
Duke parë gjendjen e përgjithshme të banorëve të Zhegrës, dhe pamundësia e një organizimi të banorëve për një aksion disa ditësh, mërgata e Zhegrës në Gjenevë, organizoi, themeloi dhe e regjistroi shoqatën me emrin: AssociationHumanitaire et Caritative « Zhegra » (Shoqata Humanitare dhe bamirëse “Zhegra”), me një vullnet dhe projekt të përcaktuar për përkujdesjen dhe rregullimin e varrezave në Zhegër.
Lajmi për idenë, qëllimin dhe formimin e kësaj shoqate u mirëprit nga të gjithë banorët e Zhegrës, dhe shumë shpejt (me 15 Maj 2013), në llogarinë e hapur të shoqatës, vullnetarisht, kush sa mundej dhe ia jepte zemra, filloi grumbullimi e mjeteve dhe për një afat të shkurtër, 15 – 31 Maj 2013, i grumbulloi jo më pak se 3375,00 CHF. Kuptohet se kjo shumë nuk mjaftonte për projektin e tyre të paraparë, por nuk deshën të vonohen me fillimin e projektit të tyre. Angazhuan me dhjetëra punëtorë dhe mbikëqyrës të punimeve, kështu që me 1 qershor filluan punimet e para serioze me një projekt që do të kushtoje me dhjetëra mija euro.
Deri më tani, shpenzimet (fuqia punëtore dhe materiali i nevojshëm) për rregullimin e varrezave ka arritur shumën mbi 9500,00 Euro. Punimet, për arsye të motit janë ndalur për momentin, por me syrin e pranverës, premtojnë se do të vazhdojnë punimet sipas projektit, në të cilin është paraparë edhe zgjerimi i varrezave. Ata shpresojne se do ia dalin pasi që, një numër i bashkëvendëseve që punojnë në Kantone tjera të Zvicrës, tani Gjermani, Austri, SHBA e gjetiu e që janë të zhgënjyer pak për arsye të mungesës së fletëpagesave me numrin e llogarise rrjedhëse, por tani edhe ata, si edhe në aksionet tjera, kanë filluar ta japin kontributin e tyre dhe bëjnë pagesën, kush sa mundet dhe zemra ia jep, përmes postës në llogarinë rrjedhëse, që tani është publikuar në një informim nga Këshilli për Përkujdesjen dhe Rregullimin e Varrezave nga Gjeneva, në faqen “Zhegra Komuna Ime” në Facebook.
Është emocionuese dhe e rëndësishme të përmendim se në mesin e kontribut dhënësve nga mërgata e Zhegrës, kemi edhe nga mërgata e vendbanimeve të tjera siç janë: Tërpeza, Dragashi, Gjilani, Sllatina, Demirt, Bujanovci, Hodonovci, Suhareka, Vitia, Lladova, Kumanova, Kuregja, Gjylekari, Uglari, Poliçka, Budrika dhe Smira. Edhe qytetarët e Zhegrës në kushtet e tyre iu bashkuan kësaj iniciative si dhe disa kompani që bën shumë punë me teknikën (makinat) e tyre, për të cilët nuk mungojnë falënderimet nga Këshilli i shoqatës dhe i banorëve të Zhegrës për të gjithë kontribut dhënësit, e në veçanti mërgatës nga vendbanimet tjera që ndihmuan dhe na nderuan me pjesëmarrjen e tyre.
Ndoshta nuk është e tepërt t’ua përkujtojmë të rinjve për kontributin e madh që ka dhënë diaspora kosovare para, gjatë, dhe tash pas luftës. Mërgata nga anamorava, gjithherë ka qenë zemërgjerë (gjeneroze) në aksionet e rregullta të ndihmave për Kosovën e njëherit u kujdes edhe për të ardhurat e arsimtarëve të shkollës së Zhegrës (numër i konsideruar), që u detyruan ti lëshojnë shkollat, për ta zhvillua mësimin nëpër shtëpi private, urën e xhamisë për këmbësorë, e tani edhe këtë të varrezave. Aksionet për mërgatën po vazhdojnë pa ndërprerë që nga ditët e para të kurbetit, mërgimit. Të zhgënjyer pak a shumë në politikat e zhvillimit të deritanishëm, prapëseprapë, nuk i kanë humbur shpresat në tërësi dhe besojnë se, një ditë do të fillojnë ndryshimet për këtë vend të bekuar e për këtë popull aq shume të vuajtur.
Zoti na ndihmoftë të gjithëve.
/Mustafë Jashari/