/2L ONLINE/ – Përfaqësuesit e Mekanizmit Koordinues kundër dhunës në familje, kanë bërë një vizitë pune në fshatin Kishnapol për të bashkëbiseduar me banorët e kësaj ane për dhunën në familje dhe infrastrukturën e përgjithshme lidhur me legjislacionin që e rregullon këtë qështje shumë të ndjeshme, ndërsa të pranishëm ishin edhe banorë e fshatrave Sllakovc i Epërm dhe i Poshtëm dhe të fshatit Gadish.
Delegacioni i cili kryesohej nga koordinatorja komunale kundër dhunës në familje, Vjollca Jakupi, me bashkëpunëtor të tjerë të Mekanizmit Koordinues kanë bashkëbiseduar me banorët e kësaj pjese për dhunën në familje dhe zhvillimin e shoqërisë pa dhunë.
Në këtë takim pjesëmarrës ishin shumë femra të moshave të ndryshme të cilat u informuan mbi Ligjin për dhunën në familje, ekzistimin e Mekanizmit Koordinues kundër dhunës në familje dhe të drejtat në trashëgimin pronësore në kuadër të së cilës u shfaq edhe filmi dokumentar “Lyp hise gjej sherr”.
Takimi ishte i tipit të debatit të hapur ku të pranishmet bënë shumë pyetje për fenomenin e dhunës në familje.
Aktivitet tjetër poashtu në kuadër të këtij qëllimi është realizuar në bashkëpunim të ngusht mes Mekanizmit Koordinues dhe OJQ – së “Qendra Rinore Gjilan” për të ngritur vetëdijen e qytetarëve për pasojat e dëmshme të dhunës në familje. Me këtë rast një grup të rinjsh organizuan një marsh nga Teatri i Qytetit deri te qendrat tregtare ETC, INTEREX dhe Viva Fresh.
Të rinjtë mbanin pankarta me mbishkrime për ndaljen e dhunës në familje. Këtë aktivitet e përcollën një numër i madh i kalimtarëve të rastit nga qyteti i Gjilanit.
Aktivitetet e lartpërmendura të njohura si Komunikim për Zhvillim, janë pjesë e UNICEF-it dhe partnerit implementues PEN, në kuadër të programit të përbashkët të UNKT-ës në Gjilan, për luftimin e dhunës në familje.
Mekanizmi Koordinues kundër dhunës në familje për komunën e Gjilanit është themeluar në vitin 2013 si një ndër të parët në Kosovë me ndihmën e agjencioneve të OKB-ës të pranishme në Kosovë.
Mekanizmi përbëhet nga shumë institucione komunale (Komuna e Gjilanit, Policia e Kosovës, Gjykata, Prokuroria, QPS-ja, strehimorja “Liria”, etj) dhe ka për detyrë që të reagojë në mënyrë të përbashkët si një trup i vetëm kur paraqiten rastet e dhunës në familje. /2L ONLINE/