Zëvendësministri i Shëndetësisë Izet Sadiku mori pjesë sot në tryezën e organizuar për të shënuar Ditën Botërore të hepatitit. Tryeza është organizuar në bashkëpunim midis Ministrisë së Shëndetësisë, Organizatës Botërore të Shëndetësisë- Zyra në Prishtinë dhe Klinikës Infektive të QKUK-së.
Zëvendësministri Sadiku tha se Kosova ka bërë punë të mirë sa i përket parandalimit dhe trajtimit të hepatitit dhe është në hap me nivelin më të lartë botëror të testimit dhe trajtimit të kësaj sëmundjeje.
“MSh tashmë është e interesuar të punoj një strategji kundër hepatitit, bazuar në Strategjinë Sektoriale për hepatit të OBSh-së 2016-2021, e cila do të lehtësonte luftën për parandalimin dhe trajtimin e kësaj sëmundjeje”, tha ai.
Skender Syla, shef i Zyrës së OBSh-së në Prishtinë, tha se “fakti se cilido prej nesh mund të jetë i rrezikuar nga hepatiti e ngrit edhe më shumë rëndësinë e zhvillimit të një sistemi shëndetësor proaktiv, të mbështetur në komponentë të fuqishme dhe të qëndrueshme ndërgjegjësuese dhe promovuese të shëndetit – tipare këto që më shumë se kudo tjetër duhet të mishërohen në konceptin e Kujdesit Parësor Shëndetësor gjegjësisht Mjekësisë Familjare”.
Ai ka bërë thirrje për të gjithë akterët politikë dhe profesionalë, “që të intensifikojnë përpjekjet për ngritjen dhe fuqizimin e një sistemi shëndetësor të organizuar mirë, të mbështetur fuqishëm në komponentë e kujdesit parandalues si komponenta më racionale dhe më e leverdishme e çdo sistemi shëndetësor bashkëkohor…”.
Dr. Hamdi Ramadani, drejtor i Klinikës Infektive të QKUK-së, tha se informimi i mirë mbi rreziqet e hepatitit do të vetëdijesonin popullatën, dhe do të rriste kujdesin e tyre, dhe po ashtu marrjen e hapave që të mos infektohen vet por, as të mos infektojnë të tjerët duke kërkuar me kohë testimin dhe trajtimin e nevojshëm.
Dr. Salih Ahmeti foli për historikun e punës së Klinikës Infektive në parandalimin dhe trajtimin e hepatitit.
Ai ndër të tjera ka potencuar se tashmë Klinika Infektive, ka personel shëndetësor dhe aparaturë moderne gjë që mundëson punë të efektshme si në parandalimin po ashtu edhe në trajtimin e kësaj sëmundjeje.
Ndërsa, dr. Xhevat Jakupi, nga Departamenti i Mikrobiologjisë në IKSHPK, ka folur për kushtet dhe punën që bënë Instituti për parandalimin dhe testimet për këtë sëmundje.