Gjatë konferencës për shtyp sot në Mitrovicën veriore, prokurorët e EULEX-it së bashku me Policinë e Kosovës dhe me Policinë e EULEX-it bën të ditur shpërblimin deri në 27,500 euro për informata të cilat do të çojnë tek arrestimi i autorit ose të autorëve të vrasjes së pjesëtarit të EULEX-it Audrius Šenavičius.
Andrew Carney bëri të ditur shpërblimin dhe ju bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkëpunojnë me hetuesit. “I bëj thirrje personale secilit që ka parë diçka, të thotë diçka. Nëse keni parë diçka të pazakonshme – pavarësisht sa e vogël apo e parëndësishme mendoni që është – ju lutemi ta raportoni atë, ose në policinë vendase ose në EULEX, në numrin e telefoni +381 38 78 6565. Çdo gjë që thoni do të trajtohet në fshehtësi të plotë”, tha Carney, transmeton rtk.
Kapiteni Nenad Djuric, sqaroi përfshirjen e Policisë së Kosovës në hetim. “Çdo ditë, zyrtarë policorë punojnë drejtpërdrejt me ekipin e EULEX-it. Dua t’i falënderojë policët të cilat kanë punuar në mënyrë të palodhshme prej javës së kaluar duke u përpjekur që ta zgjidhin krimin. PK ka organizuar pika të kontrollit dhe është duke shkuar nga dera në derë në zonën e vendndodhjes së krimit për të pyetur nëse dikush ka parë ndonjë gjë që mund të lidhet me krimin”, tha Djuric.
Pascal Persoons ju dha sqarime përfaqësuesve të pranishëm të mediave lidhur me hetimet në terren të cilat janë duke u zhvilluar aktualisht. “Hetuesit nga Task Forca Mitrovicë janë përforcuar në ditën e vrasjes nga një ekip nga Njësia e EULEX-it për Hetimin e Krimit të Organizuar. Nga ana e EULEX-it janë përfshirë njëzet hetues të shkathtë dhe po punojmë me PK-në çdo ditë. Jemi duke e përcjellë një numër të pistave të hetimit. Detyrë e hetuesve do të jetë që ta hetojnë secilën pistë të hetimit deri në përfundimin e tyre të zakonshëm”, tha Persoons.
Hetimi lidhur me vrasjen e Audrius Šenavičius është duke u kryer nga një ekip i përzier i hetuesve të Policisë së EULEX-it dhe të Policisë së Kosovës nën mbikëqyrjen e dy prokurorëve të EULEX-it. Rasti bën pjesë në juridiksionin ekskluziv të Prokurorisë Speciale të Kosovës.